Në Malësi mbahen zgjedhjet lokale

0
298

Në Tuz, komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës, më 5 mars mbahen zgjedhjet lokale.

Këto janë zgjedhjet e dyta që kur Tuzi u bë komunë e pavarur.

Nga ora 07:00 deri në orën 20:00, 12.387 banorë do të mund të votojnë në 30 qendra votimi.

Parlamenti lokal ka 32 këshilltarë.

Në zgjedhjet lokale garojnë shtatë lista zgjedhore, përfshirë katër koalicione.

Në garë janë: Koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim” – Alternativa Shqiptare (AA), Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG), koalicioni shqiptar “Bashkë” – Partia Demokratike (PD) dhe Forca, koalicioni “Rrugës së drejtë” – Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (BS) dhe Social Demokratët (SD) dhe “Me gjithë zemër për Tuzin” – Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lëvizja për Tuzin.

Nga subjektet politike po garojnë: “Më të fortë jemi së bashku” – Demokratët, “Për Tuzin me nderë” – Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe “Për gjeneratat e ardhshme” – Partia për Drejtësi dhe Pajtim (SPP).

Një pjesë e shqiptarëve në Tuz janë myslimanë dhe pjesa tjetër katolikë.

Tuzi është në qendër të Malsisë, që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri.

Statusin si komunë e pavarur – që i ishte marrë nga viti 1958 – Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit.

Për pothuajse dy dekada, kërkesa kryesore politike e partive shqiptare, por edhe e diasporës, ishte që Tuzi të bëhej komunë.

Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz.

Shumica e votave u fituan nga koalicioni i partive shqiptare, Forumi Shqiptar, që mbështetej nga një këshilltar demokrat. Ata formuan qeverisjen lokale të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj. REL