Një qeveri që mshkel me këmbë çdo ligj , i ngjan një bande gangsterësh

0
262

Nga Marash GILAJ

Ligji është normë, rregull i detyrueshëm, që duhet pranuar e zbatuar pa hezitim, fillimisht nga qeveria e pastaj nga çdo njeri normal i atij shteti që i përket. E nëse kjo nuk ndodh, nuk e meriton të quhet qeveri. Ajo merr një emër tjetër të përçudnuar deri në neveri, siç janë bandat e gangsterëve. Njerëzit e ditur, në shekuj, ligjin e kanë quajtur të shënjtë, e kanë hyjnizuar për t’i dhënë vlerën që ka e duhet të ketë. Sikur ta kishin parasysh këtë, parlamentarët tanë, ata që aprovojnë ligje, po të ishin shembull vetë, efekti në popull do të ishte, vërtetë, i madh. Punët do të shkonin shumë më mirë. Ndersa, kur shkelësit e ligjeve janë ata që i aprovojnë ato, ndikimi në masat e gjëra të popullit është skandaloz e tepër kriminal. “Kur një oficer vjedh një mollë nga pema e huaj, ushtari i fundit e shkul pemën me gjithë rrënjë”, thotë një fjalë e urtë.

Shtysë për këtë shkrim u bënë ngjarjet e fundit: protesta e pedagogëve, vdekja e të riut në polici, këmbëngulja tek amnistia fiskale, kthimi tek lojrat e fatit si fundi dhe tani fillimi i marrrëzisë, hakërimet nga iranianët, satelitët, dronët, që do të zbulojnë drogën e legalizuar dhe pallatet e ndertuara me leje pa kriter. Por vargu i ndodhive, i skandaleve dhe shkeljes së ligjeve është i gjatë, i pafund. Ato kanë filluar heret dhe po vazhdojnë me ngulm për të siguruar me çdo mjet “fitoren” e turpshme të zgjedhjeve lokale që i kemi vitin tjetër dhe të gjitha të tjerat që ka organizuar sekti i Rilindjes në 9 vitet e kaluara.

U bënë gjashtë vjet që ka filluar reforma në drejtësi, por fati i saj duket fatal për vendin tonë. Këtë e vëren çdo shqiptar i ndershëm e normal, ashtu siç e vënë në dukje edhe ambasadorët, sondazhet që bëhen herëpashere, gazeta serioze gjermane” Die Welt”, të cilët pohojnë se ajo ka dështuar, se ligjislacioni, në përgjithësi, nuk përputhet me direktivat e BE – së, se kryeministri ka dorë të lirë mbi të dhe se edhe Strasburgu e ka rrëzuar këtë lloj reforme me dy standarte në disa raste, qoftë edhe kur ka pasur lidhje me vetingun. Është arritur në perfundimin se asnjë institucion nuk fuksionon në bazë të ligjeve. Prokurorët dhe gjyqtarët, edhe pse paguhen 4 herë më shumë se rroga mesatare në vend, nuk ndihen të pavarur, janë të joshur, të frikësuar e të shantazhuar. Reformës i mungon ligjshmëria. Ajo është antikushtetuese, s’ka ndershmëri as të vërtetë. Këtë e tregojnë më së miri edhe vizitat e shpeshta të ambasadores amerikane tek organet e drejtësisë për t’u dhënë atyre kurajo në zbatimin e ligjit pa u frikësuar,  me kranari dhe paanësi. Gjithçka që ka bërë rilindja duket si mision, si qellim djallëzor për të mbajtur pushtetin padrejtësisht siç ndodhte në diktaturë dhe u shërben votimeve të radhës, pasi zgjedhje nuk ka pasur as nuk do të ketë sa të sundojë paligjshmëria e sektit të rilindjes skandaloze.

Po ku duken gjithë këto shkelje ligjesh? Le të fillojmë me luftën ndaj drogës deri në legalizim. Sa cinike! Skandalet e përditëshme të policisë që kanë lidhje me ruajtjen e rendit, me vrasjet, me drogën që e lejon të kalojë përmes aeroportit dhe zbulohet në Turqi, përmes detit dhe kapet në Itali, etj. Amnistia  fiskale apo pasaportat e arta janë në  shkelje të ligjeve dhe të kundërshtuara fort nga organizmat serioze nderkombëtare. Këmbëngulja e qeveriut për t’i aprovuar me ligje të paligjshme duket si çmenduri. Në shkelje me ligjet janë edhe inceneratorët , patronazhistët, nxjerrja e të dhënave të qytetarëve nga hakerat vendas, duke u dhënë shembull e nxitur edhe iranianët të shkojnë pak më tej. Ndersa ambasadorja amerikane, me të drejtë, ngulmon: “Ndahuni nga krimi!” Të rritësh numrin e njerëzve që punojnë në zyra nga 85 000 në 185 500 nuk është shkelje ligji? Ne e kuptojmë se këta nuk duhen për punë, por thjeshtë si kontigjent për të shtuar votat. Ju shpenzuat 3 herë më shumë para për fushatën e zgjedhjeve të vitit që shkoi, duke shkelur rëndë ligjet. Ku shkoi reforma territoriale? Çfarë kursyem? Po me “e – Albania” çfarë kursyem? Ju thoni se mbi 1000 dokumentacione të ndryshme për qytetarët kryhen me këtë portal. Atëherë, përse duhen gjithë ata nëpunës? Inceneratorët i paguajmë edhe pse nuk punojnë. Po kjo pikë e zezë?! A ka shkelje ligji këtu? Kush e ka në dorë vendin? – , pyet ambasadorja: kriminelët apo qytetarët? Një qeveri e zhytur dhe e mbytur në skandale, 100 herë duhet të kishte dhënë dorëheqje dhe po kaq herë duhet të kishte rënë.

Falë punës tuaj të bukur, falimentuat të gjitha bashkitë e vendit që drejtoni vetë si në monizëm. Çfarë ndodhi? Kush e kishte fajin? Si ia arritët të humbni qindara miliona euro në arbitrazhet nderkombëtare? Sigurisht, duke shkelur ligjet. Ne jemi kampion në korrupsion dhe krimi është ai që e mban atë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Sipas indeksit të Bazelit, jemi kampion në pastrimin e parave. Kudo kemi vënë ujkun të ruajë delet dhe i kemi varur atij mëlçinë në qafë. Dukemi si shtet i çorganizuar që punojmë me urdhëra që vijnë nga organizata kriminale dhe të masonerisë. Kur ju jepni tendera sekret e pa garë me 3-4 fishin e çmimit të vëtetë, siç ka ndodhur me asfaltimin e rrugëve, ju i vidhni ato, i ndani me oligarkët, por dëmtoni ekonominë tonë, nuk rrisni rrogat as pensionet, nuk ulni taksat dhe, me të drejtë, pedagogët pyesin. “ Pse të mos i kemi rrogat sa pedagogët e kosovës?” Pra, ju e dini ku shkon buxheti ynë. Ka edhe pyetje të tjera që lidhen me funksionimin e shtetit. Pse nuk mund t’i bëjmë zgjedhjet si në Kosovë? Pse këtu nuk bie qeveria edhe pse skandalet i kemi të përditshme, si bukën që hamë? Pse në Mal të Zi, në Itali, Maqedoninë e Veriut e deri në Angli bien qeveritë dhe bëhen zgjedhje të parakohshme? Mos vallë ata nuk dinë të drejtojnë kaq bukur sa ne? Apo ne marrim shembull nga Serbia, Turqia, Rusia ose Kina?

Pasojat e kësaj paligjshmërie kalojnë çdo imagjinatë. Shpopullimi i vendit me këto ritme të frikshme është fakt dhe një dëm i madh për kombin. Po ikën rinia, inteligjenca, truri i kombit, sepse këtu nuk zbatohet meritokracia, këtu bëhet propagandë boshe, flitet për suksese imagjinare, i drejti, i afti dhe i ndershmi shpërfillet, poshtërohet e tallet. Shpresa e rinisë është vrarë, indiferenca është kthyer në sëmundje. Të rinjve e të moshuarve u është mbushur mendja top se në këtë vend nuk jetohet. Nga kjo dyndje e ikanakëve mund të ndalohet edhe lëvizja e lirë. Për sektin rilindas kjo duket normale. Kësaj i thonë të punosh kundër interesava kombëtare, të jesh miop dhe i shitur. Me sytë nga Serbia e Turqia, duke harruar Shqipërinë, pasi po merreni me problemet globale, duke filluar nga Ballkani tek Europa e përtej, duke i kritikuar ata, duke i mësuar e  bërë karshillëk e shantazhe. E ardhmja duket edhe më e zymtë, siç e thoni edhe vetë. Po thoni se do të ketë errësirë, inflacion që rritet dhe biznese që falimentojnë. Ndaj duhet luftuar fort për drejtësinë që kemi humbur sepse po humbim edhe pafajsinë bashkë me nderin. Pse tregohemi kaq të mjerë? Kjo qeveri duhet të kishte rënë 100 herë dhe në çdo çast duhet të bjerë.

13 dhjetor 2022