Liqeni i Rikavecit, perlë e turizmit malor dhe e natyrës piktoreske

0
322

Gjekë Gjonaj

Atë mëngjes të së dielës së  muajit gusht të këtij viti,  mendimi im i vetëm ishte të ikja nga banesa në Ulqin  diku në natyrë. Të mos shikoj  televizorin dhe  kompjuterin gjithë ditën, të   përballoj vapën e verës,  zhurmën e tollovinë  e padurueshme të   turistëve që kishin “ pushtuar  këtë qytet bregdetar,  mora vendimin  në një çast, pa asnjë përgatitje a planifikim. Kam parë vetëm  titullin në portal: “ Në Ulqin ditë me diell deri  në 35 gradë , kurse në Podgoricë deri në 39 gradë”. Me shpejtësi   bëra gati   një këmishë me mëngë të gjata, këpucët malore dhe  kapelën. U nisa në drejtim të Podgoricës. Kur  mbërrita në kryeqytetin e Malit të Zi,  u ndala për pushim dhe për disa telefonata shokëve të mi në bjeshkën e Koritës dhe Koshticës. I njoftova se  jam nisur për të vizituar Liqenin e Rikavecit dhe i luta të më shoqërojnë dhe mundësisht  të na sigurojnë një automjet të lartë, apo  me  dy diferenciale.  Caktuam  vendin dhe kohën e takimit në  Koritë.  Gjithçka shkoi ashtu siç e kisha  menduar. Nga Podgorica u nisa drejt vendlindjes- Trieshit për në Koritë, megjithëse deri në këtë bjeshkë mund të arrihet edhe  drejt Kuçit.  Derisa  kaloja përmes Trieshit,  u çmalla  me pamjet e bukura  të  kësaj krahinë shqiptare ku e u linda   dhe i kalova  tri dekada.  Termometri në makinë  binte  gjithnjë e më shumë. Kur zbrita nga makina në Koritë u  përballa me  flladin  i freskët  që më priti.  Pa humbur kohë  me shoqëruesit e mi, adhurues të natyrës,  vazhduam  ekspeditën tonë  rrugës   me gropa  të gërryera nga erozioni drejt  Koshticës dhe Liqenit të    Rikavecit me automjet për terrene të vështira. Pas diçka më shumë se  dy orë vozitje nga Korita, arritëm në brigjet e Liqenit të Rikavecit, në ora 12.30.  Atje në mesditë   temperatura ishte 18 gradë. Çfarë ndryshim i madh  temperaturash?  Nga 39 gradë  në Podgoricë, në 18  gradë në Liqenin e Rikavecit.

Liqeni ndodhet në lartësinë 1.313 metra mbi nivelin e detit dhe në të derdhen ujërat e përroit të Rikavecit dhe ujërat fundosen në lumin Cem dhe  Ribnicë. Ai ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike dhe turistike. Teksa udhëtuam rrugës që na  çoi deri në këtë  perlë të turizmit malor dhe natyrës piktoreske   të fshehur  mes kodrave  pranë kufirit me Shqipërinë mes   Alpeve Shqiptare  ( Bjeshkëve të Nëmuna ), përjetuam një udhëtim në histori.  Një kuriozitet për ditët e sotme  është se atje nuk ka mbërritur as energjia elektrike  dhe as sinjali i celularit, përveçse në  pjesë  të rralla të kësaj zone malore jashtëzakonisht të bukur. Dikur gjatë stinës së verës, siç e mbaj mend edhe unë,  ka qenë vendqëndrim i  blegtorëve -bjeshkatarëve nga Koja, Trieshi e  Kuçi. Sot nuk është më kështu. Viteve të fundit është bërë mjaft i shkretë.

Uji i kaltër dhe i  ftohët i këtij liqeni  të bukur, që të lë pa fjalë dhe pamja e natyrës përreth, i kanë dhënë bjeshkës së  Rikavecit  tiparet e një oaze qetësie.  Fushat e gjelbëruara me  lule shumëngjyrëshe, pishat e larta dhe shkëmbinjtë monumentalë që e karakterizojnë, të gdhendur nga vetë natyra ndër shekuj, krijojnë një peizazh natyror vërtet miklues.

Për liqenin e Rikavecit ekzistojnë  disa  legjenda dhe tregime të cilat i rrëfenin  bjeshkatarët malësorë e malazez. Njëra prej tyre thotë se në liqen jetonte një djall ( kuçedër), i cili çdo verë rrëmbente një vajzë  bareshë dhe pas lutjeve të barinjve bjeshkatarë , Zoti ( Perëndia)  e përzuri duke hedhur gurë të nxehtë në liqen.

Ky liqen akullnajor është i rrethuar me disa maja të larta ndër të cilat po përmendim majën e Vilës (të lartë  2o93 metra), ku gjendet pika e orientimit dhe guri kufitar. Nga kjo majë impozante prej së cilës   ditëve me diell mund të shihen si në pëllëmbë të dorës, Lugina e Vërmoshit, kanioni i lumit Cem, Selca,  madje edhe Qafa e Përdolecit, syri të joshet  nga peizazhi  me mrekullitë e natyrës së bukur të Bjeshkëve të Nëmuna, që të befasojnë me pamjen e tyre, të emocionojnë e të frymëzojnë me koloritin mbresëlënës  që i karakterizon ato.

Vizitorët apo turistët  e paktë vendas  e të huaj vijnë këtu për të shijuar natyrën virgjër, për të ikur nga civilizimi dhe për të  përjetuar  flladin   e freskët  e të shëndetshëm , të cilat  i  bëjnë të  qëndrojnë atje, për një kohë të gjatë. Andaj, nëse jeni  në kërkim të aventurës e dëshiron të shihni  “piktura” të natyrës  të cilat janë pak të vizituara, por mund të ofrojnë shumë, po ju preferojmë  ta vizitoni këtë  atraksion, respektivisht  thesar turistik, meqë  jemi të bindur se ia vlen të vizitohet për shkak se adhuruesit  e natyrës  mund ta gjejnë parajsën mbi tokë.