Çfarë duhet të shohim tjetër përtej kumtit: “ S’keni parë gjë akoma…”

0
231

Marash Gilaj

Ky kumt ka kohë që është paralajmëruar nga kryeqeveriu, por nga ajo kohë punët kanë shkuar keq e më keq. Shqiptarët kanë parë e ndjerë mbi kurrizin e tyre momente dëshpruese, denigruese plot vuajtje e shuarje shprese për një jetë më të mirë. Vunë re se horra e kriminelë, pasi erdhën në pushtet nuk shqiteshin, nuk lëshonin rrugë, edhe pse sjellja e tyre ishte vërtetë armiqësore ndaj popullit të vet. Kryefjala e të gjitha të zezave ishte dhe mbeti krimi. Ai ka kapur majat. Ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe anëtarë këshillash në bashki e komuna, pas Ligjit të dekriminalizimit, dolën jashtë loje, ndersa loja e pistë vazhdon. Këta ishin qindra që gëlonin në zyrat e shtetit. Ishin një ushtri e thirrur nën armë për të sunduar, përçarë popullin, për të blerë vota me para droge, për të grabitur pasuritë kombëtare, për të instaluar korrupsionin endemik, për të kapur çdo institucion, duke shkelur e shkatërruar çdo ligj, medemek se po bëjmë reforma. Ankohej opozita, opinionistët e pavarur, njerëzit e ndershëm, që vuanin, por dilte madhëria dhe thoshte se kot qaheshin, pasi, siç thoshte “Mesia”, “nuk kishim parë gjë akoma”. Prisni se ka edhe më keq, donte të na thoshte, nëse e kishim kuptuar mirë. Ndersa ai përpiqej të na e vërtetonte në çdo dështim e skandal, që i ndodhte. Vetëm këtu nuk e ndau kurrë fjalën nga vepra. Dukej si gjë e qellimshme, e planifikuar, e rekomanduar nga armiqtë e Shqipërisë, sa që ngjante me një gjenocid. Ndryshe, nuk kishte si të shpjegohej largimi masiv i rinisë, i intelektualëve, i shumicës së kulifikuar. Edhe sot që po hedhim këto radhë vazhdojnë të largohen të rritur e fëmijë të mitur, sepse u janë djegur shpresat. Njësoj si në vendet e pushtuara, kudo nepër botë. Siria ishte një prej tyre, me të cilën haheshim për vend të parë e të dytë. Këtu qeveria duhet të nxirrte mësime, të kërkonte arsyet se pse po largoheshin njerëzit kaq masivisht. Po t’i kërkonte këto do t’i gjente të metat e veta, do të ndryshonte kurs dhe gjëndja do të përmirësohej. Por kjo nuk ka ndodhur e nuk po ndodh, pasi vetë I Gjati, kishte grumbulluar të ngjashmit e vet dhe me ta do të sundonte gjatë pa i hyrë gjëmbi në këmbë. Ai gëzohet se po i ikin kundershtarët. Vetëm në një regjin antikombëtar ndodh kjo gjë kaq fatale. E që të mos ikin njerëzia, duhet të ikte qeveria pa mbushur vitin.

Së pari, duke shkatërruar gjykatat kryesore, duke bërë ligje të paligjshme dhe duke mos i zbatuar ato, kryente amanetin sorosian që shteti të mos ekzistonte, edhe pse na thoshte se po ndertonte shtet. E gjithë kjo ishte tinzare, hipokrite e djallëzore. Premtime lëshuar me thasë, për kënaqësinë e tij e të horrave që mbante afër. Pasi mbushi vendin me drogë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, u shtuan vrasjet midis bandave që ushqente vetë dhe me ndihmën e ndonjë ministri, që u përfshi në këtë lojë të pistë. Dhe natyrshëm vinte urimi: ”Hëngshin kokat e njëri – tjetrit!” Ndersa, polici hidhte kapelen për të mbledhur vota, Kriminelët nuk kishin frikë nga policia sepse ajo ishte njësh me ta, i mbronte, i ndihmonte, duke dekonspiruar aksionet e veta. Suksesi arrihej me ndihmën e qeverisë, e cila u kthye në një grup të strukturuar krminal. Shteti po ushqente krimin. Shtoheshin vrasësit me pagesë, u shpikën edhe patronazhistët, që nuk deshi t’i quajë spiunë, siç nuk do ta quajë as partinë me emrin që kishte, sepse mendon që kështu fsheh krimet. Vodhi të dhënat personale, nxorri në shesh privatësinë e secilit. Specialët bashkëpunojnë me krimin, tradhëtojnë detyrën dhe vetë shpërndajnë e shesin drogë. Rastet janë të shpeshta. Reforma në polici, si në çdo fushë tjetë, ka dështuar me sukses. U harrua edhe testi i drogës. Duket qartë, si në dritë të diellit, se këtu punon dora e zezë e partisë – shtet.

Reforma në drejtësi ka dështuar, sepse ju keni vënë atje prokurorë e gjyqtarë të kohës së xhaxhit Enver. Shteti i së drejtës nuk ekziston, përderisa nuk ka zgjedhje të lira. Ai që udhëhoqi reformën, z. F. Xhafa, ju thotë se “ky është vetingu që na turpëroi.” Merrni guximin të nderseni SPAK – un dhe i thoni të arrestojë këtë e atë. Drejtësinë e keni kthyer në kuzhinë partiake.

Opozitën e konsideroni armike, prandaj bëre gjithçka që ajo të përçahej, të mos ekzistonte fare. Kur e pave se diçka po lëvizte, me anë lobimesh sorosiane luajte lojën e rrezikshme me “non grata.” Ajo që nuk e kemi parë , por që po i fryn fort është një luftë e mundshme civile në horizont. Mos është kjo, ajo që s’kemi parë akoma?

Medemek, u hapën negociatat, pas 9 vitesh, kur Europa u bind se ne shkatrruam gjithçka parimore, njerëzore, ligjore, shkatrruam demokracinë, duke e kthyer në monizëm e sharlatanizëm. Boll i dhamë mend Europës e botës, edhe pse punët tona i kishim dhe i kemi  mysibet. Ne që lëkundemi si lavjersi nga lindja në perëndim.

Pamë e çfarë s’pamë. Ballkani i hapur serbo – rus ka mbetur si axhendë e fiksuar që duhet realizuar me çdo çmim. Vullneti i vëlla Vuçiçit duhet plotësuar, pavarësisht se ai është armiku kryesor i Kosovës dhe jo më pak i Shqipërisë, nëse duam ta dimë. Gjithçka shkon kundër interesava kombëtare. Idea është të bëhemi qeveri vasale e Beogradit që të udhëhiqemi nga Vuçiçi dhe çdo lloj viçi tjetër. Na iku një viç i Malit të zi, pasi andej përtej gardhit i dinë punët më mirë se ne. Dhe mirë u bë. Le të bëhet mësim, inshalla! Bravo i qoftë Kosovës për qëndrimin që ka mbajtur! Ajo u tregua shumë vigjilente në lidhje me copëtimin e saj, si thikë pas shpine që i vinte nga ata që duan më shumë Serbinë se Kosovën. Tensionet në veri të saj, që përsëriten herëpashere, janë sinjalet që u dërgojnë dhe i ushqejnë me urrejtje e armiqësi, megjithëse janë fajtorë, kurrë nuk kërkuan falje as nuk kanë ndermend t’i karrogjijnë pretendimet e tyre.

Uzurpimi i mediave vizive e të shkruara, blerja e opinionistëve pa shtyllë kurrizore dhe lufta ndaj atyre që kanë rezistuar, duket si diçka normale për sunduesit tonë. Më e shëmtuara mbetet mbyllja e gojës së disa gazetarëve kurajozë , që kur e pyesin kryeministrin, ai nuk përgjigjet, i ofendon dhe nuk i pranon në konferenca shtypi për tre muaj, pasi, sipas tij, kanë nevojë të riedukohen. Si gjitholog, duhet ta dinte se bën mu dhe bie në kundështim me ligjet demokratike.

Kemi parë e çfarë s’kemi parë në dekadën e fundit. PPP-të dhe koncesionet e paligjshme që gllabërojnë buxhetin e popullit, që na varfërojnë e kanë bërë që borxhi të shkojë mbi 100%. Kemi parë vjedhjen e shekullit me anën e inceneratorëve që nuk punojnë fare. Tendera sekret dhe pastrim parash. Taksa e çmime që vetëm rriten, sidomos ai i naftës, ndryshe nga vendet që kemi afër. Kemi parë se si dyfishohen punonjësit e administrates, si kontigjent për votime në favor të rilindjes, edhe pse aplikimi me e-albania duhet t’i kishte reduktuar gjysmën e tyre. Porti i Durrësit, kthyer në port kokaine apo Butrinti që po shitet janë shembuj ulëritës. Rrugë të asfaltuara me 3-4 fishin e çmimit që duhet të ishte dhe që dëmtohen pa përfunduar nga cilësia e keqe e punimeve, nga babëzia e vjedhjeve të fondeve. Këtë vit kemi parë plazhe të pushtuara e të përgjakura nga ata që duhet të na mbronin. Inflacioni ka kërcyer mbi 13% dhe çmimet mbi 30%. Çdo lloj reforme ka dështuar, por kohët e fundit, falimentimi i 61 bashkive moniste na nxorri krejt zbuluar, na turpëroi fare me reformën territoriale. Tani qeveriu na tha se do t’i merrte në patronazh e do t’i komandonte nga maja e Olimpit. Gjithçka po shkërmoqet, po i dalin brinjët e rrënjët. Refereni vazhdon : “ S’keni parë gjë akoma…”, prandaj shpiku edhe pasaportat e arta për oligarkët rus e kinez. Kjo na gëzoi pa masë, sepse shton pasigurinë, vjedhjet dhe majmërinë e qeverisë. Një tjetër bajloz po i afrohet Vlorës. Teci i Bangladeshit që ndot mjedisin. Këtë, vërtetë, nuk e kishim parë as imagjinuar, por duhet të rrojmë që të shohim gjëra të reja, të papara. Le të kujtojmë edhe ca gjëra të vogla, siç është ajo e zbulimit nga autoriteti i dosjeve për ish presidentin Meta, të cilin, pasi e bëri aleat e president, na dha kumtin se paska qënë edhe spiun, por nuk e theksoi nëse ishte poliagjent apo thjeshtë informator. A nuk është kjo një lojë e fëlliqur politike kundër kundërshtarëve dhe opozitës në përgjithësi. Kësi zbulimesh bënte dikur edhe xhaxhi Enver. Duket si “rruga e vazhdimësisë” që na kujton sh. Ramiz, kur i dha fjalën sh, Enver, në ditën e varrimit. Kjo tregon se edhe autoriteti i dosjeve kaloi me të majtën dhe nuk i shërben qellimit për të cilin është ngritur.

Partinë në pushtet e mori malli për bustet e Leninit e Stalinit, ndaj u ekspozuan ditët e fundit. Ndoshta, thjeshtë si nostalgji dhe për të na thënë se “ata ishin në anën e duhur të historisë”. Mos i harroni batutat afrodiziake të qeveriut, duke filluar nga fjalët giciluese: ngrihet, s’ngrihet e duke përfunduar tek turpi i turpeve me fjalën “gojore”. I kemi dëgjuar nga salla apo stalla e parlamentit. Ndoshta, për të rregulluar etikën. Hajde mere vesh. Kryeparlamentarja nuk reagoi. Pse? Në diktaturë ishim, aty jemi përsëri. Tani kemi më pak nxënës, studentë e martesa, por janë shtuar vdekjet. Sa merreni me mashtrime e propagandë gebelsiane, apo me Fazlliçin, mos harronin Tonin e Batonin. Kjo qënka Shqipëria që duam, që do ti apo Shqipëria jote!? Dhe para se të ndodhin të tjera që nuk i kemi parë akoma, nuk na kanë mjaftuar këto kumte? Ndaj, duhet reagim i fortë qytetar. Boll kemi pritur. Shumë kemi duruar. Deri kur? Quo vadis Albania?

1 shtator 2022