Keni lëkurë bualli e shpirtin katran, po ecni në udhë pa krye me revan

0
364

Lëkura e buallit, sipas frazeologjisë popullore, ka të bëjë me pandjeshmërinë e dikujt ndaj qortimeve apo edhe sharjeve të merituara, ndonëse ky bualli – njeri nuk e prish gjakun as gjumin; nuk skuqet as nuk zverdhet sepse, kur fytyra merr ngjyrën e zezë, në kuptimin metaforik, do të thotë se lëkura është trashur e regjur. Një shpirt katran, me mendjen kobure dhe me nxitim, vrapon në një rrugë pa krye. Kjo situatë është e qartë si drita e diellit për të gjithë ata që duan ta shohin e ta prekin në lidhje me çfarë ka ndodhur e po ndodh në vendin tonë, sidomos, gjatë nëntë viteve të fundit nën sundimin e “rilindasve të mëdhenj.”

Po përse po kritikohen, akuzohen apo shahen në vazhdimësi këta mafiozë? Ndër gjërat më të rënda e skandaloze është rekrutimi i njerëzve me të shkuar kriminale dhe dhënia e posteve të rëndësishme si: kryebashkiakë, deputetë e deri në majat e qeverisjes. Pasojat duken çdo ditë dhe i vuajnë të pambrojturit, të varfërit, ata që detyrohen të emigrojnë, të papunët, studentët, pensionistët etj. Arrestimi i ish kryebashkiakut Kajmaku alias Totoja në Itali, nxorri edhe një herë në dukje dhe na kujtoi gjithçka që ka ndodhur e po ndodh, pavarësisht “Ligjit të dekriminalizimit” që duhet të ndalonte ngjarje të shëmtuara si kjo e fundit. Marrim vesh se 13 herë tentuan, gjoja, ta arrestonin Kajmakun, por dilte dikush nga “policia që duam” dhe e dekonspironte veprimin e policisë. Ndoshta, ndonjë shef “ i pakorruptuar” ose ujku që vumë për të ruajtur delet. Shyqyr që na ndihmon komshia, Italia, se ndryshe keq e më keq do të bëhej. Në 2019, ministri i parë  thoshte se Gimi është si puna ime. Me këtë donte të na tregonte se të ngjashmit e tërheqin njëri – tjetrin si me magnet. Betohej se ishte qelibar, se kurrë nuk kishte paguar një gjobë në jetën e tij. Shfaqej si garant i tij. Si ka mundësi që nuk pati kurajon një herë të vetme të dilte e të kërkonte falje për dhjetra Gimër e Jorgo?! Si ka mundësi që kurrë nuk u bë palë me ligjin, por anoi nga krimi?

Është kritikuar e akuzuar fort për kanabisin, por ka ngulur këmbë se ai po luftohet fort dhe, gjoja, sukseset janë të mëdha në këtë drejtim. Por e kundërta ka ndodhur. Tani që mbi 300 000 veta na qënkan dakord të legalizohet ose 12% e popullsisë mbi 18 vjeç, ç’rëndësi ka se 88% ishin kundër ose nuk u prononcuan duke e ditur se “Këshillimi kombëtar” do të ishte falso, siç është falso çdo lloj votimi tjetër. Mos e luftoni më! Gjynah! Ata që e konsumojnë dhe e trafikojnë duhet të jenë votuesit dhe miratuesit e këtij legalizimi. Plus ndonjë patronazhist. S’ka rëndësi se njerëzit japin jetën për drogën, sepse, siç thoni ju: “ Hëngshin kokat e njëri – tjetrit! Dhe mbaron tragjikomedia.

Para disa ditësh, në Konferencën antikorrupsin, që u mbajt në Tiranë, u fol për luftën që i kemi shpallur këtij armiku qafir që s’po na lë të marrim frymë lirisht.   Një çështje kaq jetike siç është beteja antikorrupsion, duhet marrë seriozisht pasi, sipas të gjitha raporteve nderkombëtare, mësohet se ka kapur çdo qelizë të shtetit dhe nuk ka asnjë shënjë përmirësimi. Tashmë, sa më shumë e “lufton” qeveria, aq më më tepër harliset, egërsohet dhe po e sfidon krejt rilindjen. Në anën tjetër të gëzon fakti se vetë ministri i parë tha me gojë të vet se ka mungesë transparence në tendera dhe shkelje ligjesh që të çojnë drejt korrupsionit. Ta zbulosh këtë pas 9 vitesh qeverisje është sikur të qëllosh objektivin, edhe pse nuk sheh fare. Por mallëngjimi nga fjala e tij arriti kulmin, kur pohoi: “Kujt ia merrte mendja se do të shkonin në burg deputetë, ministra e kryebashkiakë!?” Kjo, sipas tij, kishte lidhje me Reformën në drejtësi, me sukseset e saj dhe të tij. Kjo ngjan njëlloj si në kohën e komunizmit, kur diktatori zbulonte apo sajonte armiq të brëndshëm e të jashtëm apo poliagjentë, sa herë që punët shkonin keq e më keq. Edhe sot, për të justifikuar dështimet e qeverisë dënohen ca fakira, ndersa fajtorët e vërtetë gradohen në poste më të larta. Po nuk u dënuan ata që i përzgjodhën kajmakët e sojin e tyre, ata që i udhëzuan dhe i mbrojtën aq sa mundën, asgjë nuk keni bërë ju as drejtësia. Drejtësisë së reformuar i takon të zbulojë “Nënën e të gjitha të zezave”, vendin ku flë lepurushi. Ju po dënoni zbatuesit e urdhërave tuaja. Nuk qënka turp që shteti ynë është më i korruptuari në rajon e në Europë. Të korruptuarit nuk e luftojnë korrupsionin. Sikur ta dinte qeveriu dhe ta pranonte këtë, do të kishte ikur me kohë, do të kishte dhënë dorëheqje. Mbase nuk do ta dijë qeveria, por duhet luftuar fillimisht shkaku e pastaj pasoja.

Me nismat e reja për hartën e re gjyqësore po e paralizoni edhe një herë drejtësinë, siç ndodhi , kur s’kishim Gjykatë Kushtetuese as të Lartë. Ngjan sikur doni të ktheni në fuqi Kanunin e Lekë Dukagjinit, ligjin e më të fortit apo vetëgjyqësinë. Kjo nuk i shërben luftës antikorrupsion.

Nuk ishte tronditëse e domethënëse ajo që deklaroi ambasadorja amerikane: “Jeni në moment kritik. Vendosni, krimi dhe oligarkët apo qytetarët.” Luftoni korrupsionin. Pastaj iu drejtua shqipëtarëve: “Vendosni nëse vendi do të drejtohet nga krimi e kriminelët apo nga njerëzit normalë.”  Kush thyen ligjin, të paguajë çmimin. Do të shkoni përpara apo pas?” Dhe përsëri lëkura e buallit nuk ndjeu asgjë. Mjaft me korrupsionin. Demokracia duhet mbrojtur. Është e turpshme që dikush t’i shmanget ligjit”, – tha ajo midis të tjerave. Por kujt ia tha dhe sa vlerë paten në veshin e shurdhër? Ne jemi të zhytur e të mbytur në korrupsion me koncesione, PPP, inceneratorë, tendera sekretë në shëndetësi, asfaltime rrugësh e kudo tjetër. E vërteta është se qeveria nuk do ta luftojë korrupsionin, pasi po të ndodh kjo, do të kishin më pak para, më pak vila, makina të shtrënjta, udhëtime të pajustifikuara, më pak krime, më shumë siguri e mirëqënie  për popullin. Në anën tjetër, do të rriteshin rrogat, pensionet shërbimet, do të kishim drejtësinë e merituar. Nuk do të jetonim si në diktaturë, pa zgjedhje të lira e të drejta, me patronazhistë, do të ishin çelur negociatat me BE – në, nuk do të ishim kaq të varfër as nuk do të emigronim si në kohë lufte. Një qeverie si kjo e jona i intereson të sundojë si në diktaturë për të zgjatur kohën në pushtet. Siç duken gjasat, pas çdo krimi qëndron një kryebashkiak, deputet, ministër, kuadër i lartë policie etj, të ngjashëm. Qeveria krenohet për çdo dështim, skandal, shkelje ligjit dhe i mbulon këto me propagandë, shplarje truri, protagonizëm e lloj – lloj marifetesh të ulëta. Dhe përsëri vazhdon të drejtojë një shtet të falimentuar e mafioz me sytë nga Serbia, Erdogani apo Rusia. E harruat BE – në. Dihet që nuk plotësuam asnjë kusht, vetëm i shtuam. U kthyem pas. Do të shkojmë në Bruksel t’u mbushim mendjen atyre se Ballkani i hapur është e vetmja rrugë që na çon atje. Ku? Në Lindje pra. Duke mbajtur këtë ide e qëndrim, po luftojmë Kosovën, pranojmë nënshtrimin ndaj Vuçiçit dhe Sorosit. Serbia na qënka në rrugën e duhur?! Si mund të pranosh të bësh avokatinë e tij? U bëmë përralla e gazi i botës.

Më bëri përshtypje takimi dhe këshillat që mori presidenti i ri tek z. Moisiu. Një nder këshillat më të rëndësishmet qe mbrojtja e votes, sepse, nëse kjo nuk ndodh, qeveria bëhet e paprekshme. Pastaj vinte zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjeve. Kujdses lojrat plitike, ishte një tjetër këshillë. Sipas Z. Moisiu, sepse kjo klasë politike ka dështuar, nuk i shërben vendit, por vetvetes. Qellimi i tyre, sipas ish presidentit, është pasurimi, vilat, etj. Ai tha se vetë nuk kishte vila dhe se ishte i pakënaqur me sjelljen e tyre. Po me se i bëjnë vilat, shtronte pyetjen. Kuptohet vetvetiu. Presidenti i ri ishte i shqetësuar për marrëdhëniet President – qeveri. Në 90 minuta bisedë miqësore presidenti i vjetër kishte besim se ky i riu do ta kryente mirë detyrën, bazuar në integritetin e tij. Ndersa unë që po shkruaj këto radhë, do t’i thoja presidentit të ri Begaj se nuk duhej ta pranonte këtë detyrë, nëse vërtetë ka integritet. Ai do të përdoret si noter ose do të shikohet si Z. Meta. Pastaj, ka përpara edhe problemin madhor të kufinjve me Greqinë, të cilin duhet ta firmosë edhe nëse kjo përbën tradhëti kombëtare. Pra, duhet ta kuptonte se qeverisë i duhet një njeri pa integritet e dinjitet, servil, hipokrit e yesman. Në përgjithësi, i duhen duartrokitës të verbër.

Lufta kryesore frontale e qeverisë mbetet ajo me opozitën, me demokracinë e jo me korrupsionin apo krimin në përgjithësi. Opozitarizmi ka marrë goditje të fortë përmes shitblerjes së disa eksponentëve. Vetëm një qeveri kuislinge mund të vepronte deri në këtë derexhe. Dhe nuk ka shënja se do të bëjë kthesë. Mbase edhe atdheun mund ta shesë pjesë – pjesë.

 Marash Gilaj