Trashëgimi /Kositja në kohë të vjetra në malin e Trieshit

0
385

Gjekë Gjonaj 

Jeta në malin e Trieshit, sikur në trevat e tjera të Malësisë, ka qenë shumë e vështirë për shkak të konfiguracionit  kodrinor. Një nga aktivitetet  më  të rëndësishme   në këtë vendbanim malor-kodrinor ka qenë gjithmonë  kositja, për arsye se   bari i kositur  është  një ushqim  i vlefshëm për tagjisjen   dimërore.  Kositja është një nga punët më të vështira në terren që kryhet ekskluzivisht nga burrat. Por, unë mbaj mend  në Trieshin e Poshtëm vetëm një kositëse femër, Katrinën e Mark Gjeloshit. Ndoshta mund të ketë  pasur edhe femra të tjera kositëse  në Triesh,  për të cilat unë nuk kam dijeni. E rëndësishme është se kositja në kohë të vjetra  është bërë  me dy vegla pune të pazëvendësueshme për kohën e kaluar, kosë dore  dhe drapër.

Kositja me kosë dore

Kosa është një mjet metali  me një bisht druri i cili përdoret  për punë bujqësore  për të  prerë barin  në livadhe ,  fusha , kullosa dhe drithëra nëpër ara. Thika është një teh i gjatë  i bërë prej çeliku i   lakuar drejt fundit. Gjatësia e saj është kryesisht prej 50  deri në 90 centimetër.  Bishtaleci i saj , është një trung  bredh i tharë  në lartësi  prej afro 2 metër i punuar me dorë me dy doreza. Ai  përveç dorezave ka edhe elemente  tjera përbërëse  për fiksimin e saj. Në fundin e  bishtit të  kosës ( thikës)  ndodhet pyka. Kjo pajisje druri   e thatë  shërben për  bashkimin e një tehu në një varg . Ajo e forcon dhe e fikson   kosën me bishtin. Është e rëndësishme që fiksimi  të jetë i besueshëm , sepse   siguria varet prej tij. Element tjetër i  fiksimit të kosës   së dorës  janë unazat,  të cilat përdoren  në lidhje me një pykë.   Kosëtari  mbante me vete çantën ku përgatiste  mprehëset , kudhrën dhe një çekiç, sikurse edhe një enë  të vogël prej metali ose druri . Ajo vihej rreth belit e mbushur me ujë  të pastër dhe me pak bar të njomë në të, ku ishte e futur griha ( gurë natyral mprehës). Mprehja e kosës   kërkonte mjeshtri të veçantë  dhe këtë punë e  bënin mirë vetëm kosëtarët e vjetër me shumë përvojë, ndërsa të rinjtë shumë pak. Kosëtarët e kontrollonin me   gishtin e madh të dorës  nëse tehu i  kosës së tyre është  mjaftë i mprehtë. Mprehja bëhet para rrahjes.  Rrahja është procesi i prerjes së tehut me një çekiç të posaçëm  me një fund të mprehtë, siç mund ta shihni në fotografi, për të holluar thikën  në krejt gjatësinë e  saj dhe shfaqjen e  dhëmbëzave prerëse. Para rrahjes duhet ta lini  tehun në ujë, në mënyrë që më vonë  të mund të shihni qartë zonën e prerjes.Të ishe  kositës do të thoshte të ishe i shpejtë dhe i mirë për të pasur prerjen më të gjerë  dhe për të prerë barin sa më poshtë që të ishte e mundur (“ta rruani mirë”).Në kohët e vjetra,  kosëtarët  trieshjanë  mblidheshin në grupe, duke u  solidarizuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin, sikurse edhe në punë tjera të fshatit. Më vonë  secili kryefamiljar kosiste livadhet e veta. Kositja fillonte herët në mëngjes dhe zgjaste deri në muzg.  Ata që i kishin  livadhet afër shtëpisë  drekonin  në familje. Të tjerët që  nuk kishin kohë  të vinin në shtëpi, për shkak të largësisë së livadheve, tërë ditën qëndronin në livadhe e piqeshin në diell në temperatura ekstreme mbi 4o gradë. Gratë, vajzat ose fëmijët  u përgatisnin ushqimin  e ujin dhe ua sillnin në livadhe. Ushqimi duhej të ishte  i  fortë dhe me shumë kalori , ( mish, fasule, lakra, djathë, qumësht i thartë…) . Në fund të ditës kur  mbaronte kositja , kosëtarët  ktheheshin në shtëpi të lodhur për të biseduar me familjarët. Kositja zgjaste   disa ditë varësisht  nga sasia e sipërfaqeve  të livadheve. Kur përfundonte kositja   bari lihej të thahej disa ditë  dhe më pas  rregullohej  prodhimi i barit ( vendosej në stogje pranë shtëpisë dhe mbuloheshin mirë kryesisht me strehë gjethi  shkoze ose qarri ( lisi)  për ta  mbrojtur nga shirat e vjeshtës dhe dimrit.   Ndërtimi i sanës ka kërkuar mjeshtri të veçantë, ngase në të kundërtën  të reshurat atmosferike e kanë  kalbur barin dhe bagëtia ka mbetur pa ushqim. Edhe sot në Triesh, ato pak familje që i kanë mbetur besnik vendlindjes , e kosisin sanën në mënyrë tradicionale, pa makina të posaçme elektrike.   Derisa  treishjanët me  qindra vjet  ruanin këtë traditë veçanërisht të vështirë  moshatarët e tyre në qendra urbane  kryesisht stërvitnin muskujt e tyre  në palestra dhe stadiume atletike.

Kositja me drapër

Një vegël tjetër bujqësore  mjaft e dobishme, e përshtatshme  dhe produktive të cilën e kanë përdorur trieshjanët dhe trieshjanet  për prerjen e barit dhe për të korrur  është edhe  drapri, me një presë si hark dhe me një dorezë. Ai funksionon pa të meta në të gjitha kushtet, madje edhe  në mot me shi. Drapri  përdorej shpesh gjatë vjeljes së drithit, kur kallinjtë e elbit, grurit, tërshërës e thekrës piqeshin  dhe kur puna vazhdonte me orë të tëra. Puna klasike me drapër kryhet në tre lëvizje:-një pjesë e kërcellit është e ndarë me një teh të lakuar;-me dorën tjetër, kërcellet kapen në pjesën e sipërme;-nga poshtë, bishtat priten me një teh në një lëvizje të qetë. Kur kallinjtë e elbit, grurit, tërshërës e thekrës piqen fillon korrja nga bujku dhe anëtarët e familjes. Korrja fillimisht është bërë me drapër. Korrësit me dorën e majtë kanë kapur kallinjtë e drithit dhe me të djathtën i kanë prerë me drapër. Pas një apo dy ditë bujku me familjarët e tij mbledhin drithin, e lidhin në duaj, dhe formojnë shtregë për ta mbrojtur drithin nga lagështia e shiut, pastaj me  gomarë e  mushka  i kanë dërguar në lamë për t’i shirë. Korrja e arave është bërë me drapër nga duart e vyera të burrave dhe  femrave trieshjane. Për shkak të cilësive të draprit , ai në Triesh pothuaj e ka humbur qëllimin e tij  fillestar – korrjen e bukës.