Gjekë Gjonaj
Besimtarët e fesë islame në Komunën e Ulqinit , pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit , kremtuan festën e Fitër Bajramit ( Bajramit të Madh). Kjo festë për besimtarët islamë është një moment shumë i gëzueshëm, sepse afron familjen, farefisin, miqtë, shokët e të tjerët.
Derisa dy vitet e kaluara shumica e ceremonive të kësaj feste u zhvilluan në shtëpi për shkak të pandemisë COVID- 19, këtë vit qindra besimtarë morën pjesë në ceremonitë e faljes së Bajramit të Fitrit në xhamitë e kësaj komunë. Kjo festë e shenjtë sivjet u kremtua në një atmosferë festive si dikur , duke shijuar mirësitë e saj, me vizita të ndërsjella të të gjitha besimeve fetare, duke uruar dhe përgëzuar njëri-tjetrin.
Ditëve të Bajramit të Madh në Ulqin me rrethinë festuan së bashku shqiptarët e besimit të krishterë dhe islam, sipas traditës shumëshekullore. Familjet shqiptare pa dallim feje vazhdojnë ta ruajnë frymën e tolerancës e harmonisë fetare. Shumë familje katolike ishin për vizitë tek familjet e vëllezërve të tyre të besimit islam, për të kremtuar së bashku këtë festë, duke iu uruar të gjithë njerëzve që festojnë begati, paqe, rehati e mirëkuptim. Dhe, nuk ka vlerë më të madhe se kjo e cila përshkruan dhe dëshmon tolerancën fetare tek shqiptarët, pikërisht ashtu siç thoshte Atë Gjergj Fishta “ vërtetë ne kemi bajram dhe pashkë, por shqiptarin e kemi bashkë”.
Ky respekt i shqiptarëve të të dyja feve që t’ua kthejnë festat njëri-tjetrit, kryesisht Pashkët dhe Krishtlindjet ( Kërshëndellat) me festën e Bajramit, por edhe festa të tjera që në këtë komunë nuk janë të pakta, nuk ka munguar kurrë dhe kjo traditë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ulqini gjithmonë ka qenë shembull i tolerancës etnike dhe fetare, ndërsa ky mozaik është pasuri e çmuar e shqiptarëve, të cilëve as kësaj here, si përherë, nuk i ka munguar kënaqësia vëllazërore. Qytetarët e Ulqinit përmes festave çdoherë e më shumë po i forcojnë vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes e mirëqenies.
Kjo festë solli atmosferë gëzimi në çdo familje të besimit islam, pavarësisht kushteve financiare. Kështu ishte edhe në familjen e Sadik Mehmedoviqit nga fshati Zogaj, i cili jeton në Ulqin. Familja e tyre brez pas brezi e ka trashëguar mikpritjen e gjithkujt, që do të thotë të presin njerëz edhe të besimeve tjera.
“Ne Bajram e Pashkë i kemi festuar gjithmonë bashkë. Kështu vazhdojmë t’i festojmë edhe sot sepse jemi të gjithë vëllezër”, thotë kryefamiljari Sadik Mehmedoviq. Ai shprehet se u gëzohet të gjithë njerëzve të besdimeve tjera të cilët e vizitojnë për festa fetare, njëlloj sikurse më të afërmve dhe farefisit të tij. Shton se ajo që i bën të bukura festat është respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin.
Ndërkohë bashkëshortja e tij Zuhraja, nënë e dy djemve binjakë, Fatit dhe Florit, e lindur në fshatin Kllezën-vendbanim i përzier muslimano-katolik, i njohur për respektimin e feve, na tregon për përgatitjet dhe gatimet tradicionale që sipas traditës janë ruajtur ndër vite për këtë festë shumë të bukur. “Sipas traditës që është ruajtur me vite, për këtë festë përgatisim sofër të pasur me disa gatime tradicionale siç janë japraku, pite të ndryshme, mishi i qengjit dhe kecit me pilafë e supa të shijshme. Ëmbëlsirat po ashtu janë pjesë të rëndësishme të kësaj feste dhe ato nuk do të duhej të mungojnë në tavoilën ( tryezën) e asnjë besimtari të fesë islame. Ndër ëmbëlsirat më tradicionale që përfaqësojnë këtë festë janë bakllava, “ mbreti “ i sofrës”, kadaifi, tuhafija, hallva, tullumbat, trileqet…”, rrëfen Zuhraja.
Ky çift bashkëshortor mban mend që e festonin shumë festën e Bajramit edhe më parë. Ata i kanë të freskëta kujtimet kur prindërit e tyre u blinin gjëra të reja dhe vizitat që shkëmbenin me të afërmit. Me mall flasin edhe për të kaluarën kur si fëmijë u janë gëzuar ëmbëlsirave dhe parave të cilat u dhurohen fëmijëve për Bajram. Kjo familje e ndershme shqiptare dëshiron që të gjitha traditat e kësaj feste t’ua përcjellë pasardhësve të saj, siç e do tradita.
Vlen të përmendim se në kohën kur shqiptarët e Ulqinit dhe të tjerët në Malin e Zi shijuan mirësitë e kënaqësitë e kësaj feste , në shumë shtete të botës kemi konflikte, luftëra e gjakëderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, shktaërrime, vrasje e dëbime. Prandaj, shqiptarët të gjithë së bashku, krahas urimeve e përgëzimeve, bëjnë thirrje për solidaritet e paqe në këto kohë të vështira që po kalon njerëzimi.