Familja Shkreli, vendstrehim i sigurt i afro 80 kosovarëve në kohën e gjenocidit serb

0
633

Gjekë Gjonaj

Forcat serbe gjatë luftës 1998-1999 , kishin dëbuar me forcë  popullin e Kosovës  nga shtëpitë e tyre. Vala më e madhe e refugjatëve ishte shpërngulur  në Shqipëri. Viti  ’99 kujtohet si dramë e madhe. Mali i Zi,  Shqipëria dhe  Maqedonia e Veriut  mbetën simbol dhe shembull  i solidaritetit njerëzor.   Qeveritë e tyre  bënë diçka të jashtëzakonshme. Ato gjatë  eksodit të  shqiptarëve nga Kosova  ishin një me Kosovën  dhe hapën kufijtë e shteteve të tyre.  Me këtë rast mijëra familje nga këto tri shtete fqinje dhanë kontributin e tyre, duke   hapur dyert e   shtëpive të veta  për rreth  një milion shqiptarë nga Kosova të cilët u detyruan të  lëshojnë trojet e veta nga forcat paramilitare serbe.

Për të   kujtuar ditët e shpërnguljes  me dhunë të kosovarëve  nga shtëpitë e veta  dhe vuajtjet e tyre  nga regjimi  i egër e barbar  i Sllobodan Milosheviqit ,  dhe për të treguar bujarinë dhe mikpritjen e familjeve shqiptare ndaj  refugjatëve  nga Kosova  po   veçoj    veprimin  njerëzor  të familjes  së  Anton Shkrelit, i njohur në Shtoj të Ulqinit si Noshi i Lacit.  Ai në  shtëpinë e tij në vitin 1998  pranoi dhe strehoi  disa familje nga Peja të njohura e të panjohura. Të gjitha u  bënë bashkë.  Po ashtu  një vit më vonë,  në muajin mars,   familja Shkrela  ndau  një kulm shtëpie  edhe me familje të tjera nga Kosova,  të cilat qëndruan aty deri në muajin qershor, kur ato kur morën vesh se  Kosova ishte e lirë.   Në  këtë familje  të njohur  për mikpritje e bamirësi  gjetën strehim,  dashuri e respekt vëllazëror  afro 80  kosovarë  në njërin prej momenteve  më të vështira të historisë së tyre.   Përveç kujtimeve   Prenë Shkrelit i ka mbetur  vetëm një foto, kjo që po e shihni me fëmijë të vegjël kosovarë ,  në oborrin e shtëpisë së saj, të cilën e ruan me shumë kujdes.

Personalisht kam pasur rastin disa herë t’i vizitoj  këto familje kosovare ( fëmijë të vegjël,  të rinj e të reja, gra e burra të moshuar),  të shoqërohem e të bisedoj me to për hallet dhe përjetimet e tyre  rrëqethëse nga eksodi serb, të cilat  të shqetësojnë shpirtin e të prekin thellë në zemër.  Ata  ndjeheshin  shumë mirënjohës  ndaj familjes Shkreli, dhe të gjitha familjeve tjera  shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni që ua kishin hapur dyert me shtëpive të tyre  në kohë kur  ata ishin larguar nga Kosova për shkak të represionit serb.

E bukura është se familjarët  e Anton Shkrelit,  23 vite më pas , kanë  mbetur miq të vjetër, të  dashur e të sinqertë  me  këto familje kosovare, që nga koha e luftës. Të gjithë së bashku  e dinë se janë vëllezër dhe do të jenë vëllezër gjithmonë.