Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi gënjeu dhe tërhoqi zvarrë demokratët për tetë vite, humbi çdo betejë dhe braktisi çdo kauzë, tashmë po tenton të vijojë “bëmat” e tij.
Ndërkohë që në tetë vite, iu shkaktoi humbje katastrofike dhe përçau demokratët, tashmë Basha paska filluar takimet në terren, në salla të mbyllura me një grusht njerëz.
Së fundi, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në Mirditë, ku sikur shikohet në foton më poshtë, mesa duket ai i ka “alergji” sheshet, pasi gjithmonë takimet i bën në ambiente të mbyllura apo në kafene.
Një ndër ata që i shkojnë nga pas Lulzim Bashës, ka publikuar një foto nga takimi në Mirditë, ndërsa bashkëngjitur shkruan se Basha paska si qëllim bashkimin e demokratëve.
Por, ku ishte Lulzim Basha në tetë vite?
A nuk ishte ai kryetari i PD që prej vitit 2013?
Për më tepër ai tradhëtoi dhe braktisi çdo kauzë të demokratëve, duke i “dhuruar” kryeministri Edi Rama tre mandate qeverisëse, dhe duke lënë për herë të parë në 30 vite demokraci, PD-në, tre mandate në Opozitë.
Tradhëtitë e Lulzim Bashës
Tradhëtia e parë është çadra, e vitit 2017.
Në 18 shkurt të vitit 2017, Lulzim Basha, futi demokratët në çadër.
Basha vendosi të ngujohet në çadër, duke kërkuar largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila sipas tij do çonte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme
Lulzim Basha deklaronte në atë kohë se nuk do të tërhiqeshin nga protestat, deri kur të arrihet kauza e tyre.
Por, në 17 maj, pas një marrëveshje me Ramën, detajet e së cilës nuk u bënë kurrë publike, Lulzim Basha mori gjysmën e Qeverisë, hyri në zgjedhje me një listë të turpshme, dhe iu shkaktoi demokratëve një humbje katastrofike.
Dhe “rastësisht” vjehrri i Lulzim Bashës mori 16 milionë eurot, për shembjen e një pallati të ndërtuar në rërën e detit Jon, në Vlorë.Por, pas dy vitesh ai u kujtua se “zgjedhjet qenkan vjedhur”, dhe braktisi parlamentin.
Pas një proteste në shkurt të vitit 2019, Lulzim Basha deklaroi djegien e mandateve të deputetëve, duke i lënë demokratët të papërfaqësuar në parlament.
Tradhëtia tjetër e radhës ishte bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Sërish demokratët u tradhëtuan dhe Edi Ramës iu falen në tavolin 61 bashki.
Por, këto nuk janë të vetmet tradhëti të Bashës ndaj demokratëve në këto tetë vite.
Kauza kundër oligarkëve apo akuzat që Basha hedh ndaj Ramës, është një tjetër tradhëti. Kjo pasi njeriu që flet për kapjen e Qeverisë nga oligarkët, duket se “fle” me oligarkët. Dhe këtë e tregojnë vilat që ka marrë nga oligarkët, apo pagesat e këtyre të fundit për kompanitë e kunatit të Lulzim Bashës.
Nga ana tjetër, Lulzim Basha tradhëtoi djemtë e Kukësit, në protestën kundër vendosjes së traut në Rrugën e Kombit.
Tradhëtoi studentët në betejën kundër Ligjit për Arsimin e Lartë. Tha se do ta çonte në Gjykatën Kushtetuese, por nuk e bëri kurrë.
Tradhëtoi artistët. Tha se Teatri Kombëtar do shembej vetëm nëse kalonin mbi trupin e tij. Por, Teatri u shemb, ndërsa Basha flinte i qetë në shtëpinë e tij.
Tradhëtoi banorët e Unazës së re. Sërish “fadromat kaluan mbi trupin e tij”, dhe shtëpitë u shemben.
Tradhëtitë e Bashës nuk kanë të sosur, kanë filluar më 18 maj, kur shiti çadrën, rezistencën dhe shpirtin e demokratëve tek Edi Rama dhe vijojnë të mos ndalen as sot, kur tenton t’iu hedhë his syve demokratëve se gjasme ai kërkon bashkimin. Kur në fakt në tetë vite vetëm ka përçarë dhe shkatërruar Partinë Demokratike./CNA.al