“Një polemikë e sinqertë me zotin Escobar”

0
309
Agim Nesho 
Zgjodha ta quaj polemikë të sinqertë se të dy bashkëbiseduesit ndajnë të njëjtin qëllim: Të mbrojnë vlerat dhe parimet perëndimore dhe të sigurojnë rolin udhëheqës të SHBA-së si lider i botës perëndimore.Duke na bashkuar, qëllimet kryesore na e bëjnë më të lehtë bashkëbisedimin për diferencat dhe pikëpamjet për zhvillimet në Shqipëri, të para në dy këndvështrime të ndryshme nga Uashingtoni dhe Tirana. Ju si zyrtar i Administratës Amerikane, unë si analist i medias shqiptare.

Po si shikohen zhvillimet në Shqipëri nga këndvështrimi shqiptar?

Së pari, në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me një regjim demokratik që të ndajë vlerat perëndimore. Regjimi i zotit Rama është një regjim hibrid, i cili nga dita në ditë po e kthen Shqipërinë në një demokraci jofunksionale.

Pushteti është i personalizuar nga Kryeministri, i cili dominon jetën e vendit duke ndarë pushtetin me oligarkët. Shteti është i kapur, shoqëria civile e nënshtruar ose inekzistente, media nën kontroll gjithmonë e më të madh të zotit Rama dhe oligarkëve që ndajnë interesat me të.

Së dyti, nuk ka legjitimitet të institucioneve se vota e popullit është e deformuar. Sistemi i patronazhistëve, rastet e blerjes së votës, mos ndëshkimi i shkaktarëve të deformimit të zgjedhjeve të 2017, përdorimi i burimeve të administratës dhe pushtetit për të influencuar votën si dhe lidhja e politikës me krimin e organizuar, kanë sjellë si rezultat jo vetëm një demokraci të deformuar por edhe një pushtet të palegjitimuar me fasadë demokratike.

Së treti, korrupsioni në vend është shtrirë në të gjitha nivelet e administratës dhe vendi po përjeton një asfiksi të plotë nga keqpërdorimi i fondeve publike. Revolta dhe pakënaqësia popullore ka arritur ato përmasa sa akumulimi i urrejtjes popullore mund të shpërthejë çdo ditë dhe mund të rikthejë një gjendje të pakontrolluar dhe kaotike.

Së katërti, reformat institucionale dhe e drejtësisë kanë mbetur në vend për arsye të kontrollit dhe përdorimit të tyre nga regjimi që drejton vendin. Vetë opinioni publik Shqiptar sot beson në reformën në drejtësi në nivelet e 36 % sipas sondazheve serioze. Idealizmi juaj dhe përpjekja për të ndihmuar Shqipërinë për reformën në drejtësi po keqpërdoret për të kapur këtë reformë me presione politike. Gabimi juaj ishte se besuat tek pushteti për të shpëtuar reformën, kur pushtetit i mungonte vullneti politik për të pasur një balancë pushtetesh në vend dhe një drejtësi të pavarur.

Së pesti, Shqipëria është kthyer në një kanabis-republikë, dhe kjo jo nga neglizhenca, paaftësia por si projekt për të mbrojtur pushtetin e korruptuar.

Si rrjedhojë, Shqipëria është kthyer në një vend të rrezikshëm të prodhimit dhe eksportimit të drogave por edhe në një nyje të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Ne e kuptojmë që partneri ynë strategjik, SHBA, nuk ka vëmendjen e duhur që të merret me Shqipërinë në këtë kohë kritike kur revanshizmi i Rusisë, lufta në Ukrainë po prek vetë ekzistencën e rendit tonë demokratik. Por në mungesë të vëmendjes mos u entuziazmoni nga veprimet klienteliste të një lideri si Rama, që është gati të kryejë çdo gjë, të pranojë muxhahedinët, afganët, etj, etj., që ju të mos e prekni në‘parcelën’ e tij të interesit dhe pushtetit të tij ‘putinesk’ anti-demokratik.

NUK ËSHTË FAJI JUAJ QË BESONI NË INDIVIDË DHE FIRMA LOBIZMI APO GRUPE PRESIONI QË SPONSORIZOJNË ZOTIN RAMA, ZOTIN VUÇIÇ, SI AGJENTË NDRYSHIMI NË BALLKAN, TË CILËT DO TË SJELLIN STABILITETIN DHE PAQEN. DHE KY ËSHTË NJË QËLLIM I MIRË PËR T’U PËRKRAHUR.
NË FAKT KY ËSHTË NJË PROJEKT I BUKUR NË LETËR, POR SHUMË LARG REALITETIT DHE ZHVILLIMEVE NË RAJON. PËR MË TEPËR QË KËTO PROJEKTE BALLKANIKE RREZATOJNË INTERESAT E RUSISË DHE SERBISË PËR TA KTHYER BALLKANIN E HAPUR NË NJË ZONË TË HAPUR INTERESASH PËR FUQITË JO-EUROPIANE SI RUSIA DHE KINA.

Pavarësisht se kërkojnë bashkëpunimin tuaj, ata kërkojnë të realizojnë një botë ‘të paangazhuar’, jashtë influencës perëndimore, gjë që do t’ju sillte si rezultat ruajtjen e pushtetit të tyre të pakufizuar. Cili autokrat do të donte të rrezikonte pushtetin e tij dhe të jepte llogari për korrupsionin e qeverisë së tij? Për më tepër që ju keni deklaruar që lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë fund.

Autokratët e Ballkanit sigurisht kërkojnë të kenë edhe garancitë e tyre, kushtet për të punuar kur kanë vëmendjen tuaj miqësore, mundësinë për të zhdukur opozitën dhe orientojnë sesi duhet të jetë ajo. Kur bie në lojën e tyre, sigurisht do të biesh në kontradiktë me realitetin ekzistues në vend. Populli kërkon vendosjen e demokracisë, goditjen e korrupsionit, që po i merr frymën, kur të tjerët përpiqen me zor të projektojnë stabilitetin.

Presidenti Biden me shumë vizion përcaktoi kohën tonë si lufta midis demokracisë dhe autokracisë. Dhe ne besuam se ky qëndrim do të përqafohej shpejt nga të gjithë.

Por, duket se veprimi i promovimit të demokracisë është harruar si funksionon nga burokratët e Departamentit të Shtetit. Në të kundërtën, ndihen komfort me status-quo-në e një stabiliteti të rremë.

Autokratët nuk janë e ardhmja e shoqërisë tonë me vlera perëndimore, por vdekja e saj. Prandaj është me rëndësi të mos merremi vetëm se çfarë duhet të bëjë opozita, të luftojmë armiqtë e brendshëm të autokratëve por të kuptojmë nevojën e shoqërisë për ndryshim.

Po të mos e kuptojmë këtë realitet do të mbetemi në histori si ata zyrtarë që kërkuan të zbehin mitin e pathyeshëm të demokracisë Amerikane në Shqipëri. Për më tepër që nuk kuptuam vizionin e madh të Presidentit Biden.GAZETA TELEGRAF.AL