111 VITE NGA NGRITJA E FLAMURIT NE DEÇIQ !

0
648

( 6 prill 1911-6 prill 2022)

NGA  NDUE BACAJ

Sukseset e dy javëve të para të kryengritjes kundër turke-osmane (24 mars-06 prill) do të sillnin atë ditë të shenjtë , të enjtën e 6 prillit 1911 kur trimat kryengritës çuan në vend, amanetin e Gjergj Kastriotit dhe fjalën e prijesit atdhetar Dedë Gjon Luli, duke e ngritur flamurin kombetar me shqiponjen dy-krenore në majen Bratiles së Deçiqit, që u LA me gjakun e shtatë deshmorve Kojas : Dokë Preç Kercaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj , Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj, dhe Gjeto Gjekë Ivanaj, të cilet ranë heroikisht njeri pas tjetrit per flamurin kombetar shqiptare, dhe sot ata janë të perjetsuar në një memorial në Kojë . Ndersa Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjeter Zefi janë flamurtaret e paharrur të shqiptarisë.1. Atë ditë (me 6 prill 1911) Lekët e Hotit, Grudes, Trieshit, Kojes, Orahoves, Fundnave, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit etjerë, mbas fjales së Dedë Gjon Lulit :”Bini bini sokola, he në krajlni ju shkoft zani”. Rrugën flamurtaret ja hapen vehtes në mes të mitrolozave e mauzerreve të turkut, sikur të ishin badema derdhun mbi nuse e krushq ditën e dasmes, e jo plumba, që shkepusin jetë e shtrijnë burra për tokë.. Në pak orë u gjeten në maje të Deçiqit, dhe shpalosen në ajër të lirë të Malesisë Madhe at Rub të Kuqe me Shqipe të Zezë që tash 450 vjet kishte ndejë palua e diku edhe harrua, ndër skutat ma të fshehta të Shqipnisë robnueme..”.2.  Me 6 prill 1911, Malësia e Madhe “Etnike” nxorri nga katakombet turko-osmane në dritën e diellit Europian, Flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit –Skenderbe.. Në këtë ditë të paharruar nga mali i DEÇIQIT u valvitë flamuri jonë Kombetar i larë me lot e gjak per 432 vite rrjesht. Deçiqi është “Oxhaku” nga i cili ka dalë “tymi i bardhë” i ngritjes së flamurit kombetar, por është edhe “Oxhaku” që shperndau shkendijat që fluturuan nga Veriu në Jug, duke ndezur në të gjithë Shqiperinë idealet e flamurit dhe mvehtësisë… Ky “Oxhak” i shqiptarisë nuk u fikë kurr edhe pse mbi të u derdhen pa papushim ; rrebeshe, stuhi, gjakë, lotë e mundime. Tash mbi një shekull në trojet tona bëhet be ; pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq… Kësaj dite fatlume, fetari, atdhetari dhe poeti i ëmbël malsor, dom Aleksander Sirdani i kushtonte vargjet brilante :
“Nalt Flamuri perhillet,
Armikut s’i leshon cak,
Me besë Arbnori lidhet,
Me gjakë mbrojt Atdheun me gjakë,
Ngallnjyese kthen Malesia,
N’Deçiq Flamuri të valojnë,
Plot gjak e jetë i kushtojnë.
……………………………
Kuq e Zi Flamuri perhillet,
N’dor Ded Gjo’Lulit trim,
me Gurakuqin mblidhet,
Shqipnia me një kushtrim
“.

Në atë ditë me 6 prill (1911) shqiptari i vertet mbushi mushkeritë me frymen e lirisë, e brohoriti në Zemer të vet :”Rrnoft Shqipnia”.3.
Patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta ketij Flamuri do t’i  kushtonte një poezi me titull: “Hymni i Flamurit Kombëtar”, nga e cila citoj:
“….Mbi njatë Flamur Perendia
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“ Per shqiptarë do t’jet Shqipnia
Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue !
…………………………………………….
Ma mirë dekë me u shue nën hije
T’Flamurit tonë në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnie
Per nën sukuj t’huejë t’Ballkanit
…! 4.

Kjo krye-kryengritje dhe ky Flamur (në trojet tona) identifikohet shpesh me figuren madhore të Malësisë e Shqiptarisë, heroin e popullit Ded Gjon Luli që thoshte : “Flamuri i ka të gjitha, ai ka besen, ka pushken, ai ka brenda gjithë Shqiperinë.. atij i falen, atë e ndjekin mbrapa të gjithë, çka është shqiptarë i vertet..”. Keto ditë heroike të Malësisë Madhe i pershkruan mrekullisht edhe poeti pogradecar, Lasgush Poradeci me vargjet domethënëse :
“Malesia që bënë sulm në zjarr /
Porsi dragojë me fletë/
Siç bënte sulm ngadhnjimtar /
Gjergj Kastrioti vetë…”
Ndërsa gazeta “Liri e Shqipnisë”, që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi do të shkruante: “Nji punë e bukur ndër këta burra, që leshi i kresë të çohet përpjet prej gëzimit, që këta fatosa luftojnë me flamur të kuq me shqiponjën e zezë me dy krena, due me thane me flamurin (bajrakun) e Skenderbeut”.5. Këtu nuk po mundem të lë pa kujtuar edhe aktin heroik të grudasit trim-dragua Nikë Pretash Leci – Sinishtaj, per të cilin Risto Siliqi (pjesmarrës në kryengritje me pushkë e pendë) do të shkruante: Fatosi shqiptar, i flakti trim prej Grudet Nikë Pretashi në betejen per marrjen e fortesës të Shipshanikut, kur e pa se turqit ishin të fortë në këtë forsadë e mbasi …shqiptaret topa nuk kishin vetëm luftonin me plumba, i plasi zemra e u nis në pikë të vrapit kalasë perpjetë edhe pse si breshen pikojshin plumbet në të gjitha anet …mberriti tu bedeni , ku me një hov murin e shkaperceu, pos sa e kapi murin e derës të hymjes së kalasë perbrenda e priti batarja e plumbave të nizamit..e ra deshmor në kambët e armiqëve …!
Me hov të luanit, me guxim burrash,
Desht ta rendojnë kalanë me dorë;
Prej njiqind singinash, prej njiqind plumbash
Mbrenda bedenit u ba therorë.! 6.
Ndersa trashigimia gojore thotë se Nikë Pretash Leci është hellur mbi gryken e Topit turk që qellonte malësorët kryengritës…
Per luften e kryengritesve malësor në Deçiq shkruan edhe autori i librit “DUKAGJINI” (Zef Gjeta), nga i cili po citoj: “ Në luften e Deçiqit dhe në ngritjen e Flamurit Kombetar moren pjesë edhe vullnetarë nga Shala e Shoshi . Në luften per ngritjen e Flamurit, midis të tjerëve u vranë edhe Bal Gjoni nga Nicaj-Shalë dhe Bush Delia i Shoshit. Kur u ngritë Flamuri në Deçiq dhe më vonë, populli i Shkodres e Malesisë i kendoi kengen:
Vigmen tue i dhanë Shqipnisë, po anë e mbanë
Bini bre burra bini ksaj Turki
Dirgu moj djelmni, e bjer në tiran
Me nji Gurakuq, me nji Dedë Gjo’Lul
Me nji Mehmet Shpend, me nji Prel Tul
Me ne janë Lekët që u shkrinë per Shqipni “
7.
Dita e Flamurit tonë kombetar është një ditë e madhe, që deshmojë me zë të lartë, deri në kupë të qiellit, se shqiptaret e themelisht malsorët kanë ruajtur per shekuj fillin (shpesh të holluar) të perkatësisë sonë Europerendimore.. Ngritja e Flamurit në një ditë pranvere e bënë me domethënse ketë eveniment historik, pasi pranvera në kalendarët enciklopedik të popujve “njihet“ si : Pranvera e ringjalljes, pranvera e dashurisë, pranvera e luleve, ndërsa në kalendarin enciklopedit të memories sonë prej 6 prillit 1911 “kujtohet” si pranvera e Flamurit.
Trojet shqiptare për këtë ditë të shenjte historike , kishin “pritur” 432 vite në mes luftrave,   lotëve, e gjakut të derdhur nga malësorët e shqiptarët, ë cilët për liri e atdhe e bënin vdekjen si me le. Kësaj epopeja që i shtoi ngjyrën e gjakut flamurit kombëtar, një atdhetar, fetar e muzikant, (At Bernardin Palaj) do ti kushtonte  një poemë brilante me titullin d.m.th. “Vorret e Flamurit” , nga e cila citoj:                               “ Eni moj zana ,pra e shtojzavalle ,

E rreth Flamurit  tonë sot këndoni valle ,

Aso vallesh pirrike që kenduat motit

Para Lekës e burrit,Teutes  e Kastriotit..”.8.

Ky flamur nga Deçiqi, nisi udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nentor 1912) deri në Vlorë, i cili si flaka olimpike udhëtoi duke lëshuar dritën e dhanë kushtrimin, se kush është shqiptarë i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Nga Malësia filloi udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqiperisë edhe memorandumi i Greçes (23 qershor 1911) i cili sherbeu si bazë e programit politik të shpalljes së pavaresise nga Vlora me 28 nentor 1912… Nga Malesia e Madhe moren vrullë dhe udhëtuan nëpër Shqiperi e Europë per ditë e muaj edhe korifejt e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri etjerë , të cilet kishin marrë besimin , bekimin e sigurinë se koka e Shqiperisë (jo vetem nga ana figurative), Malesia e Madhe Etnike me në krye kryetrimin e urtë të atdhetarisë Dedë Gjon Lulin do të ishin në perjetësi në krye të luftës , perpjekjeve dhe kerkesave jetësore e ligjore për një Shqiperi të lirë e të mosvarme…

(Në foto autori: Ndue Bacaj)

REFERENCAT:  

1.”Hylli i Drites” 1932/11, fq.575 , revista “Leka” 1937/6, fq.249-250, (Flamuri i kuq ne Deçiq), Kol Kamsi “Kronikë e Agimit të Lirisë”,“Leka” 1937/VIII-XII, fq.371-372.
2..At marin Sirdani, Flamuri në Deçiq, revista “Leka”, nr.6 -1937, fq.249.
3.Klajd Kapinova, Në mes Kryqit dhe Atdheut, fq.63.
4.Gjergj Fishta,…nga Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, fq.15-16, perg. Nga Tonin Çobani, Enti botues Lisitan, Lezhë 1994.
5.“Liridashësi” gazeta “Liri e Shqipnisë”, (që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi), nr.4, dt.13 prill 1911.

6.Risto Siliqi, “PASQYRA” e Diteve të pergjakshme në të pestin Shekull të Shqipnisë të Ronueme, fq.81-82, Trieste 1912.  

7.Zef Gjeta “DUKAGJINI”, fq.412-413.
8.
At Bernardin Palaj, Poema“Vorret e Flamurit”.

9.Më shumë për kryengritjen , shih në monografinë time të botuar në vitin 2016 dhe ribotuar me disa shtesa në vitin 2019, me titull: “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911.