77 VJETORI I TRADHTISË KOMUNISTE QË NDAU TROJE E ZEMRA TË MALËSISË SË MADHE..! (07 shkurt 1945- 07 shkurt 2022).

0
699

NGA NDUE  BACAJ  

Malësorët si dhe shqiptaret etjerë patriot e pritën pushtimin fashist me indinjatë të thellë dhe me deshirë (“të pa realizuar…”) per tu rrjeshtuar në ushtrinë mbrojtëse shqiptare, kundra pushtuesve Italian. Por perkundër kësaj ,në qendresën e pabarabartë por heroike të ushtrisë shqiptare që priti me plumba e jo me lule fashistet italian me 7 prill (1939) në bregdetin e Durrësit e më gjerë, do të dalloheshin per trimerinë, atdhetarinë dhe qendresen heroike tre ushtarakë malësor- hotjanë; Mul Deli Bajraktari -Komandant i batalionit “Deja”, Toger Gjelosh Luli -Dedëvukaj i cili komandonte një pjesë të baterisë së topave të vendosur në vijen e parë të mbrojtjes në kodrat e Durrësit, si dhe Zef Martini-një nëtoger i shquar i këmbësorisë shqiptare..1. Në keto kohë gjysma e Malesisë së Madhe lengonte nën pushtimin e Malit Zi, që kishte filluar të pakten që nga kongresi i Berlinit e “finalizuar” me konferencen e Londres (1913).. Në këto kushte paria e kësaj “gjysme” të Malesisë Madhe (nën Malin e Zi) për të shpetuar çfarë mund të shpëtonte ( edhe pse përkohësisht), kishte vendosur të “thërrasë” në ndihmë të keqen më të “vogël”.. Pikirsht për këtë me datën 12 maj 1941: Hoti, Gruda, Trieshi, Koja, Tuzi,Vllana, Vrana dhe Matagushi u dergojnë autoriteteve qeveritare fashiste në Tiranë një Memorandum për bashkimin me Shqiperinë nënë, të trojeve shqiptare të lëna padrejtesisht nën Malin e Zi. Memorandumi fillonte me disa levdata (të pa merituara) per fashistet, por ske çi bënë pasi ky është haraçi që duhet të paguash kur kerkon ndihmë nga një pushtues… Pastaj memorandumi vijonte..: “ Jemi shqiptar dhe duam Shqipninë. Me Malazezet kemi kenë dhe jemi armiq të perhershem, na ndanë kombesia, gjuha, traditat, doket, ligjet, pra na ndanë jeta… Piramidat e kufijëve të vume padrejtësisht mbi vorret tona qysh me 1878 e mbrapa lypim që të zhduken fare, tue kenë se viset e syperthanuna janë kenë edhe duhet të jenë pergjithmonë, në prëhen të Nanes së vet Shqipnisë së Madhe…Rrnoftë Shqipnia e Madhe… Keto kerkesa me plotë besim i nënshkruajmë perfaqesuesit e popullit:

 Hoti: Smajl Haxhija, Lucë Gjeloshi, Gjon Leka, Lukë Deda, Prekë Gjoni, Tomë Nika, Pjeter Zeku, Prekë Gjoku.

Gruda: Mark Zefi, Mark Gjeku, Martin Hasi, Selman Juku,

, Dokë Martini, Nikë Marashi, Gjokë Deda, Zef Preka, Pjeter Nika.

Trieshi e Koja: Mark Toma, Gjon Lucë Nika, Gjon Smajli,

 Kolë Preloka, Pjeter Nikashi, Pretash Zeka Ulaj, Prenash Uci.

Tuzi: Sherif Hyseni, Dem Binaku, Prekë Gruda.

Vllana, Vrana e Matagushi: Ali Zeku, Pretash Nika.2.

Pas këtij memorandumi, Malesia e Madhe, ndonse vuante pasojat e pushtimit fashist si pjesa tjetër e Shqiperisë, Ballkanit e më gjerë, ju krijuan disi premisa më të favorshme per bashkepunimin e trevave të saja të ndara, që në vitet 1878 -1913. Madje fashizmi per qellime edhe propogandistike mori parasyshë memorandumin e perfaqësuesve të Malesisë së Madhe të dates 12 maj (1941) dhe me dekretin e 7 gushtit të vitit 1941 shpalli ribashkimin e trojeve shqiptare që i mbanin të pushtuara Serbo-Malazezet…3.

MALËSIA E MADHE NË “MES” FASHIZMIT E KOMUNIZMIT.

Megjithë ketë klimë qe solli një ënderr ribashkimi të trojeve shqiptare, Malesia si gjithë Shqiperia e urrente fashizmin si ideologji dhe pushtues,i cili si per çudi solli kushtet e favorshme që emisaret jugosllav, Mugosha e Popoviç, Dushan Mugosha  tjerë të krijojnë bijen e tyre; Partinë Komuniste Shqiptare me 8 nentor 1941. Ketë të vertetë të mjerueme historike për shqiptarët do t’ua komunikonin edhe malësorëve hapët emisarët komunist malazez-jugosllav veçse gjashtë muaj nga dita e krijimit të PKSH, në një mbledhje në fshatin Kopilaj të Piperit me 23 maj 1942… Ketë mbledhje e preshkruan në ditarin e tij me realizem intelektuali dhe nacionalisti Prekë Gruda, i cili ishte pjesmarrës në ketë “kumt” kobndjedhes per shqiptaret e vertet, nga i cili citoj: “…Mbledhjen e hapi dhe kryesoi Dragisha Ivanoviq, tuj na pershendetë me grusht Vdekje Fashizmit ! Rreth treqindë vetë i pergjigjen me za Liri Popullit ! Mandej qenë urime per jetë të gjatë Stalinit dhe urra të forta per ushtrinë e kuqe edhe mjaft shtesa me mbiemna e bishta të tjer të stilit komunist. Mbas këtyre cermonive të rendomta folen gjanë e gjatë komisaret politik për gjendjen e brendëshme të Jugosllavisë e për kushtet e përgjithshme botnore, me të cilat nuk pajtohen aspak, mbasi nuk mundem me e besue se janë çmendë nga mania aq fort Anglo-Amerikanet që të zemruem nga Hitleri kanë ra ashtu në kambë të Stalinit, per me i hapë vorrin e kuq njerzimit… Nuk po më duket e arësyeshme me u marrë me parashtrime të tyre, perveç po e ndjej detyrë me vu në dukje trajtimin që ju ba çeshtjes shqiptare…Çeshtjen tonë e hapi prof. M.Vujosheviqi. Kur foli u zgjat hollësisht te çeshtja jonë, per shumë punë të programit të komunistëve jugosllavë ndaj Shqipnisë. Qe shkurtimisht çfar u tha: Malesia e Madhe tha profesori Vujosheviq asht tuj na dhanë ndihma e strehua pë ditë, sidomos kur na msyjnë çetniket me ushtrinë e okupatorit. Shumica jonë e shpetojmë kryet ndër ta dhe kemi me qindra familje malazeze të strehueme në krahina shqiptare. Edhe ekonomikisht jemi të varun nga bujaria e tyne, e per të tana keto të mira prej sish nuk na kerkohen kurrfarë konditash, veçse po, ata na pyesin e duan me e dijtë si ka me qenë çeshtja e kufijëve mbas kesaj lufte?. Ata duken të vendosur mos me u ndarë kurrma nga atdheu i tyne shqiptar, gja shumë e drejtë që pajtohet edhe me luftën tonë nacionalçlirimtare. Dragisha ju pergjigj lakonisht profesorit trim luftar. “Vetem u thoni se ka me vendosë populli në fund të luftës”. Nderkaq një komisar nga Vasoviqi nderhyni energjikisht. Ata nuk knaqen me kaq, por kerkojnë hollësina ma të gjata dhe sigurime ma të mira prej nesh. “Ata janë burra të mirë e të urtë dhe nuk mashtrohen prej fjalëve të bukura e premtimeve të thata”. Veç kaq u thom e të tjerat i dijmë ne tha Dragisha, porse vasoviqasi nguli kambë burrnisht tuj kerkua sqarime ma të plota si malazias luftar. Atëherë u çua në kambë tuj perdredhë mustaqet Bllazhe Jovanoviqi, (i deleguari i Titos N.B.) dhe mbasi na kqyri me ata sy gaca sikur donte me na coptua të tanve, ia filloi me folë rrufeshëm pa maskë të kuqe: “Partinë Komuniste të Shqiperisë e kemi në dorë ne malazezet, dhe i kemi atje organizatoret tanë që drejtojnë e komandojnë. Edhe në Kosovë ku jemi tuj ndeshë mjaftë pengesa nga naionalizmi shqiptar, ia kemi dalë me i organizue partizanët shqiptar si jugosllavë, dhe ketë gja e kemi garantua me ndihmen e komunistave të Shqiperisë, per të larguar veshtirsitë tona atje në atë Serbi të vjeter. Pra per çdo gja i kemi vu bazat në Kosovë që çdo pikë ujë të shkojnë në mulli të Jugosllavisë së madhe, dhe me siguri do ta zmadhojmë nga të gjitha anët. Per pakicat shqiptare në Mal të Zi nuk kemi biseduar aspak me komunistë të Shqiperisë. I kemi në dorë pa asnjë konditë. Ungji Stalin ndoshta ka me na e lanë krejt Ballkanin në dorë e jo ma Shqipninë që e kemi qysh tashti në grusht. Ma në fund mos harroni e duhet ta dijmë mirë të gjithë se na janë vrarë në luften Ballkanike (1912-1913, rrethimi i Shkodrës N.B.) njembedhjetë mijë malazez në rrethinat e Shkodres, atë çfarë nuk e perfituan etnit tanë ateherë me luftë, jemi tue fitua ne me mënyrë tjeter. Malet shkambore të Malësisë Madhe e as ata të Krajës me Ruminë nuk na duhen gja sepse male kemi majft, dhe aq ma pak na duhen gja banoret trima të egër të atyne krahinave. Na duhet Liqeni i Shkodres, që do të thahet dhe do të bahet Banata e Malit Zi, hambari i pasun per buken e popullit tonë, e prej Matagushit e deri në Vraken e vllazneve tanë malazez kanë me lulëzua katundet sllave dhe ajo Shkodër, kaq fortë e deshirueme prej nesh do të bahen krejtësisht sllave, sikurse janë ba Podgorica, Tivari dhe shumë krahina të tjera të marruna shqiptarëve mbas kongresit të Berlinit e deri në luftën ballkanike.”.4.  Është me vlera të cilësohet se gjatë luftës antifashiste , si nga Partia komuniste Jugosllave dhe nga bija e saj propagandohej , se mbas çlirimit nga fashistët , edhe shqiptaret në trojet e tyre etnike kanë të drejtë të vendosin lirshëm se me kë dëshirojnë të jetojn: me Shqipnin nanë apo me Malin e Zi që i kishte bashkuar dhunshëm Europa plakë. Këtë të drejtë sipas propoganduesve jugosllavë e shqiptar ua jepte lufta e përbashkët që gjoja i kishte vëllazëruar. Këtij premti, si gjithë premtimeve të tjera të sllavëve do t’u delte boja pa vonuar..

TUBIMI I FUSHËS SË TUZIT APO TUBIMI I FUSHË SË TURPIT TË KOMUNISTËVE SHQIPTAR, TË 07 SHKURTIT 945.

Përshkrimin e ketij tubimi tradhtie e turpi , mendova t’ia lë nacionalistit Prekë Gruda, pjesmarrës në këtë tubim, të cilin e përshkruan vertetësisht në një dorshkrim që më ka ra në dorë para rreth 30 viteve me titull : « Hot Grudë, pervjetuer turpi për komunistat shqiptarë », nga i cili për të kujtuar 77 vjetorin e kësaj ngjarje tragjike mendova të citoj :

“Mbas tërheqjes së gjermanëve prej Malit të Zi, Shtabi i divizionit VI – të të ashtuquajturës ushtri naç – çlirimitare shqiptare, thirri në Tuz të gjithë burrat e Malësisë ku lajmëtarët kumtojshin që mos të mungonte asnjë mashkull, dhe porositnin të shkonin të gjithë të armatosur në bashkim, ku do të komunikoheshin disa çështje me rëndësi. Bashkimi u bë në fushë të Tuzit me dt.7.02.1945. Në tribunë zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Kërkush nuk mundej me mendue tragjikomedinë e turpshme që kishin pranuar me vu në skenë n’at çerdhe Shqiptarie komuniste shqiptare… Perden e hapi Shefqet  Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, e i porositi për qetësi dhe i ftoi të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, dhe i porositi ata burra Shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye mercenari nga gjeneral Gjoku me shokë e u tha: Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun t’i vrisni, në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Këtu ia preu fjalën Kol Zefi i Grudës, i cili ndër të tjera tha: “Tash 52 vjet kjeshë detyruar me shtëpinë time me i shërbye sllavëve, tuj o mbrojtë me gjoks e fanatizëm interesat e këtyre maleve shqitpare, që qysh prej kongresit të Berlinit e këndej filluan të shkatërrohen prej malazezëve. Ju këta i paskeni ba vëllazën, ndërsa ne kurrë as për formë nuk kemi muejtë me u thanë miq… Me 1890, kur filluam luftën kundër Turqve, na kjeme lidhë me besë të Zotit drejtpërdrejtë me Kral Nikollën e Mark Milanin, per me na ndihmue, e Vendet tona që do t’i merrshim me gjak prej turqve me na i njoftë si zona të lira shqiptare, por ata na rrejtën. Trojet që i çliruam me aq sakrificë ia bashkuan Malit të Zi. Gjithmon na kanë rrejtë e mashtruar dhe tradhëtuar. Shumë më zi kanë me jua ba ju, shpejt keni me u pendue, por ka me kenë vonë me fitua çfarë sot, me syplasët po dhunoni. Jemi shqiptarë me mish e me shpirt të gjithë në këto male, prandaj na duket shumë e natyrshme e njerëzore që të mbetemi me Shqipninë. Sa për dajakun ktheje ka doli se na e kemi pasur traditë me u pre me shpata me Malazez, e me u vra me pushkë ballë për ballë, e jo me u rrahë si gratë me shkopinj”. Mbas Kolës, foli Smajl Haxhia i Hotit, që nuk pranoi me i dhanë dorën gjeneral Gjokut. Smajli të nesërmen vdiq, plasi nga maraku që mbuloi Malësinë. Tom Nika i Traboinit foli, me nji ton të zjarrtë patriotik tuj vu në dukje luftëtarët e përpjekjet e Malësisë për Shqipni. Po kështu i argumentuan punët Ali Zeku i Vranjes, nik Zeka i Trieshit, Pretash Zeka i Kojës, Luc Maxhi i Luharit e Osman Bajri i Dinoshës. Të gjithë kërkuan energjikisht mos të ndaheshin ma prej Shqipnie, por me kë me folë e kujt me iu drejtue?… Vetëm komisari i divizionit të VI-të, Muyzafer Spaho, u prek e pa me sy tradhëtinë e tij e të shokëve të vet. Ai tha: “Qëndroni shqiptarë, se ne nuk luftuem me vendosë kufijtë e versajës e as të boshtit për liri e bashkëpunim të popujve. Ju qenkeni më shqiptarë se ne, prandaj gjaku ynë i kësaj lufte e i juaji gjithnjë për liri, u garantojnë vetvendosjen tuaj në bazë të luftës sonë e të premtimeve aleate.” Këtu ia zunë në fyt fjalët Peçi me shokë, atë ditë ra viktimë e idesë mashtruese edhe Myzaferi, që kishte lënë studimet në Itali, për të luftuar për lirinë e Shqipërisë. Ai ishte një ndër të paktët që nuk iu nënshtrua turpit mashtrues. Nuk munguan oratorët malazez me folë me demagogjinë marksiste, tuj lavdërue shërbëtorët e vet. Gjendja u keqsua fort. Malësorët edhe pse e panë se çështja e tyre shqiptare asi shtegu dështoi, vendosën të gjithë të vdesin me armë në dorë, por kurrë mos me u dorëzue, ç’burrni ishte në atë tubim Tradhëtie. Pater Zefi që qysh në fillim kishte refuzuar me ndejtë në tribunë, duel nga mesi i trumës në shesh të burrave, e theksoi rrufeshëm: “Po e shihni, o komunista shqiptarë. Mjerë Shqipnia në duart tuaj. A keni mendua ndopak për historinë e kombit? Ku janë premtimet marksiste për liri e të drejta të popujve? Ndërsa ju Malazez u lumshin krahët, sepse dini gjithmonë me manovrue për të mirën e Malit të Zi  e Jugosllavisë. Na jemi tuj e pa se prapë u bëmë robët tuaj, por jo për dobësi të këtyre burrave luaj malesh ndër pranga, por për tradhëti të komunistëve shqiptarë që i paski marrua e ç’burrua kështu. Sa për dorëzimin e armëve Malësorët paskan punë me ju, por siç po e shihni nuk dëshirojnë me i dorëzue sot këtu, prandaj le t’i kthejnë të armatosur ndër shtëpia të veta. Ju e dini se me to nuk u bien tradhtishtë. Vëllezën shqiptarë që u braktisën Vëllazënit e Shqipnisë, qindroni burra e të urtë. Detyrën tuaj e keni krye, ma tepër nuk keni çfarë me ba. Armët keni me i dorëzue autoriteteve Jugosllave kur t’jua kërkojnë. Të shpërndahemi për në shtëpiat tona. Rrnoftë Shqipnia. Zoti kjoft me ne.” Akti i Parë i tragjeditë u mbyll, tjetri u luajt dy javë më vonë, kur natën hynë brigadat Serbo – Malazeze, gjoja me bashkue armët. Në atë natë të kobshme terri mjaftë burra nacionalista të përvëluar për Shqipëri u vranë pa faj, pa kurrë një farë gjyqi të paktën formal. Po atë natë u muar në kishë të Traboinit, ndërsa ishte ndër të lutuna edhe Pater Zefi (Leonardi) e u pushkatuar ndër sy të nanës së tij, vetëm pse i shërbeu Zotit e Kombit me besnikëri. Akti i Tretë i tragjedisë u vu në skenë në Hot e Grudë, ndër krahina të Ulqinit e Tivarit me Larje e Shestan dhe në Plavë e Guci me rrethe…. Porse me Kosovën tonë të martirizuar skena e masakrave ishte gjithnjë e hapur qysh përpara….me Karagjerogjeviqa, me Pashiqa, prej Titos me Dushana e tjerë, për çfarosjen e Kombit Shqiptar… ».5. Sot edhe pse kanë kaluar 77 vite nga kjo tradhti kombëtare e komunistëve shqiptar, trojet etnike shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjërë vazhdojnë t’a  vuajnë këtë ndarje…por pa humbur shpresen e ribashkimit me Shqipninë nanë…

REFERENCAT :

1.Mul Deli Bajraktari,Beslidhjet e Malësisë, kujtime 1939-1945, fq.9.Shkodër 2004.

2.At Marin Sirdani “Ndricime te historise,kultures dhe artit shqiptare,fq.61-62. Prishtinë 2002.

3.Fletore zyrtare 7 gusht 1941.

  1. Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme,sa kam shprese kame shpirte”(1937-1975) pjesa I, fq.192-193.Tiranë 1995.

5.Prekë Gruda, Hot Grudë, pervjetuer turpi per komunistat shqiptarë (dorshkrim…), + Ndue Bacaj, gazeta “Shqiperia Etnike,nr.15, viti 2001,+Kostaq Xoxa, gaz.55,dt.7 qershor 2010.

6.Më e zgjerueme kjo histori tradhtie e krimesh komuniste, është pasqyruar në librin tim të botuar në vitin 2018 me titull: Malësia e Madhe Kundër…, ku janë të shënuar edhe emrat e plotë të të pushkatuarve nga komunizmi jugosllav e shqptar…

Malësi e Madhe, 07 shkurt 2022