Rënia e dëshmorit të popullit, Dedë Prëlë Nikollaj, frymëzim për brezat e rinj

0
537

Luftëtarët e lirisë

Gjekë Gjonaj

Fshati Muzheçk  i malit të Trieshit  është  vendlindja dhe djepi i  disa  patriotëve të shquar, të cilët luftuan, u ekzekutuan  dhe u përkushtuan denjësisht  për  çlirimin e trojeve etnike shqiptare  nga armiq  të ndryshëm, për pavarësinë e Shqipërisë, për gjuhën dhe flamurin tonë kombëtar.  Njëri nga  trimat atdhetar, luftëtar i  dalluar  dhe i dashur  nga trieshjanët  dhe  banorët e  tjerë të Malësisë së Madhe në fund të shekullit XIX – të   ishte edhe  Dedë Prëli Nikollaj.  Familja e tij  është e nderuar dhe e respektuar   ndër breza. Kjo derë atdhetare  ka qenë model për trimëri, bujari e  fisnikëri, për  punëtorë e të dashur për  shokun dhe mikun,  por shumë të rreptë për armikun e atdheut ( vatanit).  Bijtë e kësaj shtëpi  kanë vuajtur gjatë regjimeve antipopullore të kohës, por kurrë nuk janë gjunjëzuar  para armiqve shekullorë dhe mbetën shembull frymëzimi  për gjeneratat e reja.   Në këtë frymë  atdhetarie e dinjiteti njerëzor, u lind , u edukua  dhe u frymëzua   personazhi i këtij shkrimi,   Dedë Nikollaj. Ai  ishte  fëmija  i parë dhe i vetëm i prindërve  të tij dinjitarë.

(Ne foto:Gërmadhat e Kullës në Qafë të  Bokrrinës  afër fshatit Selisht -Grudë)

Erdhi në jetë në  gjysmën e dytë shekullit 19-të , në vitin 1864. Ishte kjo  periudha kur   Perandoria Osmane, e udhëhequr nga  sulltani  Abdyl Hamiti II ( 1848-1918)  vendosi   një nga regjimet më të egra ,  i cili zbatoi ndaj shqiptarëve politikën e mohimit të të drejtave kombëtare dhe  të shkombëtarizimit.

Dedë Prëli Nikollaj, bashkë me shumë patriotë të tjerë malësorë ( shqiptarë) , nuk u pajtua  me këtë regjim zaptues e pushtues.(Në foto:Shtëpia familjare e Dedë Prelë Nikollaj)  Ai  vullnetarisht  u bë pjesëtar i   kryengritjeve  të armatosura  kundër regjimit  turk ( osman)  fillimisht në Luftën e  Lemajës në Triesh , në vitin 1907 dhe pastaj në sulmin për dëbimin ( largimin)  e ushtrisë turke  nga kulla ( karakolli)  në Qafë të Bokrrinës, në afërsi të fshatit Selisht ( Grudë). Sulmi  i malësorëve  nga Hoti, Gruda, Trieshi, Koja , e Kelmendi,  i frymëzuar nga zjarri i çlirimit nga pushtuesi  turk,  në Qafë të Bokrrinës,   ishte i përgjakshëm dhe  i suksesshëm.  Kryengritësit malësorë arritën të çlirojnë  këtë karakoll, kurse Dedë Prëli Nikollaj  nuk u shpëtoi breshërive të plumbave të ushtarëve turq dhe u vra trimërisht, më  26 mars 1911, në moshën 47 vjeçare  bashkë me disa kryengritës të tjerë malësorë.   Bashkëluftëtarët  trieshjanë  , pas  rënies së tij heroike ,  e  marrin trupin e   pa jetë dhe e çojnë   në  shtëpinë e tij në Muzheçk. Ky  dëshmor i popullit u varros  në varrezat  familjare me nderimet e duhura nga familja dhe  mbarë  banorët e Trieshit.

Ai  pas vetes la pas  bashkëshorten Luke Gjeken e lindur (Ivanaj ) dhe 3 fëmijë të vegjël, djalin Kolë  dhe dy vajzat Pashkën dhe Lenën.  Djali i tij Kola ishte 9-vjeç kur mbeti pa baba.   Ai bashkë me motrat   rritet jetimë pa njërin prindër në  kushte shumë të vështira ekonomike.  Martohet me  Drane Ujkaj, bijë e  dëshmorit  Gjel Çakut, nga Bëkajt e Trieshit  i cili   u vra nga turqit  në Përrua të Thatë në vitin 1911.  Ky çift bashkëshortor i ndershëm, i cili gëzoi autoritet  dhe respekt  në këtë krahinë,   kaluan një jetë të lumtur e në harmoni bashkë me  pesë fëmijë, tre djem ( Gergji, Marku dhe Gjoni)  dhe dy vajza ( Pashka e Lena) .   Lumturinë  ua  prishi , siç pohon nipi i tyre  në Amerikë, Nua Gjergji, pushkatimi i   vëllait të Dranes, Kolë Gjel Çakut nga UDB-a  e Jugosllavisë në vitin 1948.

Familja e Dedë Prëlë  Nikollaj   u shqua  për luftëtarë të pashoq, trima e atdhetarë të cilët para jetës së tyre kishin çlirimin e tokave shqiptare nga  pushtuesit e kohës,  lirinë e popullit të shtypur dhe Shqipërinë.

Këtë rrugë atdhetarie   po e ndjekin edhe  pasardhësit ( pinjollët) e  kësaj derë të njohur në Malësi , në Shtete të Bashkuara të Amerikës.  Anton Kolë Nikollaj, stërnipi  i Dedë Prëlit . Ai   edhe pse i lindur dhe i rritur në Detroit,  duke respektuar amanetin e të parëve  që gjithmonë ia kemi borxh t’i vijmë në ndihmë  vendit kur është në rrezik,  rreshtohet vullnetarisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës  në vitin 1999.  Jetën e tij ia kushtoi Kosovës.  E la Amerikën dhe me nder e krenari u bashkëngjitet  luftëtarëve trima  fitimtarë   të UÇK-së, respektivisht Batalonit “ Atlantiku”, të cilët në përballje me  forcat ushtarake të Sllobodan Millosheviqit  bënë sakrificën më sublime për çlirimin e Kosovës  dhe dhënien fund të gjenocidit të spastrimit  etnik në trojet shqiptare.  Anton Gjoni, para se të nisej për në Kosovë,  u kishte lënë  prindërve   një letër, në të cilën ndër të tjera thuhet: “ Të dashur prind. Unë sot po marr rrugën drejt maleve të Kosovës,  sepse vendi ka nevojë për luftëtarë.  Edhe  nëse nuk kthehem ma bëni hallall.  Dhe, nuk  dua të derdhni asnjë pikë  loti për mua. Sepse ju  ishit ata që më mësuat se për atdheun nuk kursehet as gjaku”. Ai për fat u kthye  shëndosh e mirë nga  fronti i parë i luftës , duke e lënë Kosovën e lirë. Ndërsa në  malin e Koshares   ka mbetur i shënuar  me shkronja ari emri i  këtij luftëtari të lirisë  bashkë me shumë bashkëluftëtarë  dhe bashkëluftëtare të tjerë trima e trimëresha , të cilët  i dolën  zot Kosovës  dhe i vendosën  themelet  e pavarësisë së saj.

Po ashtu duhet përmendur edhe një  figurë tjetër patriotike që e donte Shqipërinë   nga kjo familje, Hasan Nikën , për të cilin thuhet se  ka rënë dëshmor në luftë kundër pushtuesve sllavo-bullgarë  në Prilep të Maqedonisë së Veriut.

Emri dhe vepra e tyre i bëjnë  ata të pavdekshëm nëpër breza që  të kujtohen  vetëm për të mirë. Veprat e tyre heroike   forcojnë bindjen dhe mendimin filozofik se nuk ka gjë më  humane se të luftosh e të përpiqesh për lirinë e popullit dhe vendit tënd.  Këtë e vlerëson  mbarë bota  liridashëse dhe demokratike.