“Kultura” e mosmirënjohjes në Tiranë

0
415

Nga Nikoll Lesi

Shkoi në parlament, pas 4 muajve mungesë prej “Foltores”, ish-kryeministri Berisha.

Foli, trazoi, turbulloi qetësinë e parlamentit dhe iku. Por ajo që ra në sy ishte se vetëm një deputet i PD-së, Tomorr Alizoti, i dha dorën Berishës. Të tjerët deputetë nga radhët demokrate as nuk ngritën kokën për ta parë në sy kur ai doli e foli në podiumin e Kuvendit.

Bënin sikur nuk e shikonin!

Dakort se Basha ka shkuar deri në armiqësi me të, por të tjerët deputetë që para 9 shtatorit 2021 ngriheshin në këmbë apo turreshin me vrap ti jepnin dorën?! Natyrisht që sejcili ka bindjen vetjake apo interesin e momentit, por së paku mirënjohja dhe respekti duhet të mbizotërojë te njeriu, aq me tepër kur flitet për “baballarët e kombit”. Kamera e TV kapi deputetët e PD-së të cilët kanë kaluar në anën e Bashës, që kur kaloi Berisha afër tyre në sallën e Kuvendit, bënin sikur nuk e kishin mendjen nga ish-lideri i tyre dhe shtrydheshin sikur po flisnin kokë me kokë!

Edhe njëherë më duhet të sqarojë se nuk flitet se një dhënie dore apo përshendetje të bën të ndryshosh kauzën apo qëndrimin tënd në këtë duel Basha-Berisha.

Kjo lidhet me kulturën e munguar shqiptare, sidomos në politikë, që MOSMIRËNJOHJEN e ka si udhë për të bërë karrierë apo për të rrujt ndojë tendër ngqa buxheti i shtetit.

Po kështu ka ndodhur me ish-kryeministrin Fatos Nano, kur ra nga pushteti në shtator 2005, kur humbi edhe PS-në. Jam dëshmitar se si në hotel Rogner, asokohe, Nano rrinte vetëm me Bashkim Finon dhe kur kalonin deputetë apo ish-ministra të kohës së tij bënin sikur nuk e shikonin. Ose kur përballeshin, ndërronin udhë!

“Kultura” e mosmirënjohjes është e përhapur në Shqipëri, por sidomos në Tiranë te pjesa e politikës, por jo vetëm.

Kështu do t’i ndodhë me vonë edhe Edi Ramës, sapo të ikë nga pushteti. As Elisa Spiropali nuk do ta respektojë!

Le pastaj kryebashkiakët që do të jenë të parët që do të flasin për bëmat e Edi Ramës, si dikur Beria për Stalinin!

E kjo vjen se dhe vetë këta liderë apo ish-lider kanë zgjedhur jo meritokracinë në drejtim por servilët, shërbetorët,etj.

Dhe natyrisht kjo kategori, pa dinjitet, kështu vepron kur bien nga kali ata që i kanë emëruar pa meritë.KOHA JONE