110 – VJETORI I VRASJES SË PATËR ANDREA GJEKAJ

0
642

PATËR ANDREA GJEKAJ,  KLERIKU  TRIESHJAN QË  FLIJOI JETËN PËR KRISHTIN DUKE I NDIHMUAR POPULLIT

Gjekë Gjonaj

Shumë klerikë shqiptarë  të krishterë   e myslimanë  u persekutuan, u torturuan, u pushkatuan  e vdiqën , ndonëse të pafajshëm,   nëpër burgje në periudha të ndryshme historike. Ata nuk   e patën hirin e Zotit , që mbas kalvarit shumëvjeçar t’u shpëtojnë plumbave të pushtuesve të huaj dhe atyre të kuq gjatë regjimit komunist në Shqipëri,  të cilët dënuan meshtarë  me vdekje, duke menduar se bashkë me ta  do të çrrënjosin Ungjillin nga kultura  e një populli të tërë  dhe do të  dënojnë edhe Krijuesin, por siç pat thënë dom Simon Jubani ” Zoti nuk dënohet me vdekje”, “ Nji Zot i vetëm në botë, e ky Zot s’ka pasë fillim e as kurr s’ka për t’pasë mbarim”.

Këta kolos të kombit dhe krishterimit   nuk  arritën të gëzojnë lirinë  e fesë. T’i shohin kishat e çliruara.  Këta burra  të veshur me zhgunin e  meshtarit  ” rrnuen për me tregua”  se njëmend  gjaku i tyre, vuajtjet e fëmijëve të pafajshëm, lotët e nënave dhe sakrificat e etërve  tanë  nuk kanë shkuar kot, por janë pranuar nga Zoti si dhuntia më e bukur që populli shqiptar i ka bërë  ndonjëherë Krijuesit të gjithësisë.  Ky gjak, këto vuajtje, lot e sakrifica u bënë një gurthemel  për demokracinë e vërtetë që me kalimin e ditëve -siç thoshte dom Simoni- u shndërrua në demokraci.

Erdhi në këtë  jetë si  një dhuratë e  Hyjit Atë

Patër Lul Vuksani Gjurashaj  me emrin kishtar patër Andrea Gjekaj ,ishte bir  i familjes së mirënjohur  nga shtëpia e Mal Vuksanit  nga fshati Nimarash  në Triesh – Malësi e Madhe.  Për këtë  meshtar françeskan   nuk kemi dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se  erdhi në këtë jetë  si një dhuratë e Atit tonë qiellor  rreth viteve  1874,  nga babai Vuksan dhe  nëna Mirja, nga një familje   me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që në kohën e Perandorisë Osmane  kishte dëshmuar   përkatësinë e tyre   fetare dhe kombëtare, të cilët   ruajtën  brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.

Dëgjoi  thirrjen  e Zotit dhe u bë meshtar 

Atdhedashuria, edukimi i shëndosh familjar  (edhe me rruzare të përditshme në dorë)  madje  nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë  e nxitën  Lulin e ri  të dëgjonte zërin e Zotit , thirrjen e tij të meshtarisë,  për  t’u bërë meshtar.  Dhe kështu edhe ndodhi!  Qëndrimi i tij ishte tejet i guximshëm dhe mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç ishin edhe etërit tanë”.  Me sa dihet përfundoi shkollën e mesme  për meshtari në Zadër  të Kroacisë , që gjithnjë i kishte në kujtime të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirteni të çiltër. Në saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin  Filologjik dhe Teologjik në Romë – Itali   të cilin e përfundon me sukses,  në  vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë të njohur nga bota shqiptare.

Kthimi në vendlindje  gëzim për trieshjanët

Që ka qenë dhe mbetet atdhetar  e ka dëshmuar me kthimin e tij  në vendlindje  në fillim të shekullit XX-të,  edhe pse  në Itali kishte rast  për një jetë më të sigurt  dhe më të begatshme. Së paku  sa i përket anës tokësore, financiare dhe materiale.  Si meshtar i ri me përgatitje të lartë shkollore  dhe me kulturë të jashtëzakonshme evropiane  filloi  detyrën misionare të  përcjelljes së   fjalës së Zotit   tek besimtarët katolikë shqiptarë.  Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël kufitar  nën pushtetin malazez,  pranë kufirit të sotëm me shtetin amë – Shqipërinë,  ekonomikisht të varfër dhe  me arsimim të ulët  ishte në vetvete një gëzim i madh për të gjithë  popullatën vendore.  Sepse ishte  njeriu më i ditur që kishte  Trieshi  dhe njëri  ndër  njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia.  Prandaj   trieshjanët  kishin nevojë  për  këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e virtyteve të krishtera,  fesë,  shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së zellshme  gjatë ditës, ndërsa urata gjatë natës.

Ardhja e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese të Malësisë së Madhe,    tingëlloi fort edhe  për të zgjuar zemrat dhe mendjet e popullatës vendore  nëpërmjet predikimeve fetare, për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës, kulturës dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë emërtim.  Kështu  frati   i ri u bë i dashur  dhe njeri i çmuar dhe i nderuar  në Triesh  dhe në rrethinë aq sa zëri i  mirë i trieshjanëve  dhe fama  përhapej dhe rritej  dita-ditës. Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.

Popullata vendore, me vëmendje dhe interesim të madh,  ndiqnin   meshat e tij dhe e admironin  fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha kulturore e shpirtërore Patër Andrea  për të përçuar dhe  rritur atdhedashurinë  tek trieshjanët  në fillimet e shekullit  njëzet në Triesh  themelon  Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës  u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot bashkë me  trieshjanët e tjerë atdhetarë   ngriti flamurin shqiptar në fshatin  Nikmarash, në vitin 1906 , duke i paraprirë  kështu  ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.

Shërbimi fetar në Ljare të Krajës dhe Salç të Ulqinit

Dokumentet kishtare  të  Kishës së Ljares të cilat i zbuloi   patër  Mirash Marinaj, famullitar i  famullisë së sotme të  Tuzit,   tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea  ka shërbyer  një kohë të gjatë, prej tetë  vitesh ( (1904-1912)   në famullinë e Ljares në Krajë  dhe  famulli të tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit.  Në këto dokumente 115 – vjeçare të shkruara nga   vetë Patër Andrea,    u zbardhën fakte  të reja interesante nga jeta e tij, madje  zbulohen edhe katër muajt e  fundit të jetës së tij  në Kishën e  Shën Pjetrit ( e ndërtuar në vitin  1865) në fshatin   Salç  të Ulqinit.

Me interes të veçantë  është një letër  e cila zbardh shumë ngjarje dhe të dhëna të tjera ende  të panjohura për arsyet e  largimit të tij nga  kjo famulli dhe  shkuarja e tij  si meshtar në Shkodër.   Në këto regjistra   figuron se  meshën e fundit të jetës së tij   e kishte thënë në Ljare. Në  regjistrin e Patër Andreut  ,  ndër të tjera,  shihet  se  në vitin 1910 pagëzoi  At Zef -Leonard Tagaj, fratin e Traboinit  të Hotit, i cili u  vra barbarisht  nga ushtarët serbo-malazez  më 19 shkurt 1945,  në  Lugje të Thella , në kufi të Hotit e Grudës.

Vrasja në Shkodër,  humbje e madhe për Kishën Katolike  dhe kombin shqiptar

Bazuar në  dokumentacionin që  disponuam dhe në kronikat e kohës Patër Andrenë  e  vranë të pafajshëm ushtarët turq,  në Shkodër  në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38 vjeçar.  Arma e vetme që kishte në dorë ishte Kryqi   me të cilin   qëndroi me vullnetin e tij të palëkundur  dhe vendimin e tij të guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e betejës për të çliruar  Shkodrën  nga  turqit.   Nuk kishte për qëllim të luftonte me armë, por në rast vdekje t’u jepte    besimtarëve sakramendet. Sipas  Nekrologut të Provincës Françeskane Shqiptare, u vra më 8 tetor 1912, kurse sipas  Patër Donat Kurtit dhe Patër  Marjan Prelaj vdiq më  22 nëntor 1912. U vra diku në Mal të Kolajve ose në Kukël.

Vrasja e Patër Andreut   si kapelan , udhëheqës shpirtëror i besimtarëve të tij  që kishin dëshirë  të jenë  afër Zotit deri në frymën e tyre të fundit, ishte një humbje e madhe për Kishën Katolike, por edhe për trevat shqiptare , edhe për arsye të moshës së tij . Ishte në moshën e pjekurisë , kur njeriu jep nga vetja.

Rënia tragjike e këtij françeskani të vërtetë dhe të devotshëm  ishte vërtetë një pikëllim dhe dhimbje e thellë , por  kjo është jeta dhe duhet pranojmë secili nga ne.  Lajmin e vrasjes së meshtarit të tyre besimtarët e Trieshit, Ljares dhe  Salçit, me të cilin ishin të lidhur shpirtërisht, e pranuan me lot në sy e dhembje në zemër.   I paharrueshëm  do të mbetet kujtimi i tyre për meshtarin e nderuar Patër Andrenë.

 

110 – VJETORI I VRASJES SË PATËR ANDREA GJEKAJ

GJAKU I PATËR ANDREA GJEKAJ RIPËRTËRIU FAMULLINË FRANÇESKANE  DHE SHQIPTARE

Gjekë Gjonaj

 

Dashuria ndaj Zotit dhe ndaj popullit

Ky martir i kishës dhe i kombit  kontribuoi  me frymëzim, përkushtim, bindje dhe liri, mbi të gjitha  me fe dhe me dashuri. Me jetën dhe veprën e tij dëshmoi  dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj popullit. Tregoi vetëdijen e lartë   fetare e kombëtare, duke u ballafaquar me rrethana shumë të rrezikshme dhe të ndërlikuara. I tillë ishte dhe mbeti  në jetë dhe në martirizim.

I frymëzuar nga feja dhe atdhedashuria përballoi vdekjen dhe me gjakun e tij vulosi përcaktimin e tij e lartë dhe të guximshëm: Të vdesim po,  të tradhtojmë jo! Nuk arriti në martirizim rastësisht. Mundimet e Krishtit ishin ngulitur në mendjen dhe zemrën e tij.

Për Patër Andrenë kronikat e kohës thonë se  kishte një karakter të përvuajtur.  Ishte  i thjeshtë, komunikues, shumë i zellshëm, korrekt, zemërgjerë dhe guximtar, punëtor i palodhur. I dashur me prej besimtarëve. Një frat që  kishte vullnet të mirë dhe bënte  gjithçka  mundte për të mirën e popullit dhe të Kishës Katolike Ai ishte i prirë  drejt rrugës së shenjtërisë. E në fakt qe një njeri i përshpirtshëm.

 Varrosja në Kukël  dhe rivarrosja në Velipojë

Nga të dhënat e  hulumtuara deri më tani  rezulton se  Patër Andrea  u varros në Kukël, fshat i  vogël në afërsi të  Bushatit, jo larg Lezhës, ku shërbesat i mbajti  famullitari dhe poeti i madh i letrave shqipe  Ndre Mjeda, me të cilin ai bashkëpunoi, sikurse  edhe me  Atë Gjergj Fishtën dhe me  Patër Anton Harapin.   Më vonë, siç thonë, disa  të afërm  të tij  e rivarrosin  në mënyrë të denjë në oborrin e  Kishës së   Pulave në Velipojë, në afërsi të Shkodrës, duke besuar e shpresuar se  pikërisht atje   pushojnë  eshtrat e tij.

Regjimi i egër komunist në Shqipëri zhduki çdo gjurmë të tij, sikur të gjithë klerikëve të tjerë të krishterë e myslimanë të cilët i torturoi dhe i pushkatoi pa gjyq e pa  faj. Për këtë arsye  ende nuk u gjetën eshtrat e tij,  si shumë figurave  tjera fetare  e kombëtare.  Megjithatë trupi i tij ende jeton në zemrën, mendjen dhe kujtesën historike   të  besimtarëve dhe të pasardhësve të  tij.

Përjetësimi  në vargje 

Vdekja tragjike e  Atë Andresë   e  frymëzoi pasardhësin e tij, famullitarin e Trieshit , Patër Zefin Jankaj që të shkruaj një poezi , të  botuar   në revistën “Drita” të Kosovës.   Me këto vargje  Patër Zefi   e përjetësoi  jetën dhe veprimtarinë e meshtarisë   dhe atë kombëtare të Atë Andrea Gjekaj:

Tjetri kje Andrea

Vllau i azganit

I mal Vuksanit.

Pater Andrea kje frat

Mësa të pagëzimit

Lul emnin e pat.

………………………….

Si famullitar

N’t’Ljares famulli

Për fe kje zelltar

Mbas të vetash mundësi.

Mandej me t’dymbdhetën

Ia kushtoi jetën

Të madhes dashuni

E-pa e mbush vjetën

Të gjashtën mbi tridhetën-

E bani ai fli.

………………………………………

 

Si kanë thanë motit

“Krishti i Biri i Zotit

Dashninë ma e madhe

Tjetër s’egziston

Se ajo qe për mik jetën flijon.

……………………………………………

Porsi vullnetar

Tu’ kënë guximtar

I shtymë nga trimnija

Qe ia hjekë shpija.

……………………………

Zelli i madh i tij

E çoi me ushtri

Qe me turk luftoi

Më ndihmë me u gjetë

Atyne që në luftë

T’ketë fatin me mbetë.

……………………………………

Të gjithëve me u dhanë

Ngushllimin e fesë

Bestarëve tue dekë

Ne hovin e betesë.

N’këtë detyrë humane

Edhe kristiane

Porsi françeskan

Dhe at e qelloi

Plumbi otoman.

……………………………..

E shpirtin ia çoi

Në t’Zotit lumni

Ndërsa trupin e ti

N’Kolaj e kanë çue

Ku përpara lterit

Në kishë e kanë vorrue.

Edhe britmëtarët  (vajtorët)  më të njohur në Malësi  dhe rapsodët popullorë  i kanë kushtuar vargje  Patër Andresë ,  duke vënë në dukje  se   ka rënë dëshmorë në luftë me Kryq në dorë në vijën e luftës kundër  pushtuesve shekullorë, ku kishte shkuar në përkrahje të  besimtarëve të famullisë së vet dhe për të kryer ritet fetare  për dëshmorët e rënë.

Jeta e tij shembullore dhe transmetimi i fesë në fjalë e vepra  solli   edhe ripërtëritjen e famullisë françeskane  dhe shqiptare. Gjaku i tij  u kthye në një mision  të vërtetë në Malësi, duke i paraprirë një plejade të meshtarëve françeskanë nga Kraja që shërbyen në  famullitë e saj , si:   Patër Gjergj Marstepaj, famullitar i Tuzit (1960-1991),  Patër Dedë Markolaj, famullitar i Grudës ( 1924- 2011) , Patër Zef Jankaj, famullitar i Trieshit  ( 1927-1999) , Patër Vinçenc Malaj, famullitar i Tuzit ( 1928-2000), dhe Patër  Leonard Tagaj, famullitar i Hotit  i cili,  siç theksuam më lartë, është pushkatuar nga partizanët  në vitin 1945.

Vendosja e përmendores dhe shënimi i 105- vjetorit të  vrasjes

Më 11  gusht  2013 vendoset  përmendorja e  Patër  Andreut në oborrin e Kishës   “ Zoja Rruxare” në Triesh, ku i mori mësimet e para  dhe u kthye  për të dhënë kontributin e vet.

Në vitin 2017 në Tuz dhe në Triesh , në një aktivitet madhështor përkujtimor,  u shënua 105-vjetori i vdekjes së tij.  Kjo ceremoni u organizua nga pjesëtari  i kësaj vëllazërie,  meshtari i mirënjohur françeskan shqiptar, Patër Prelë  Gjurashaj.

Ekranizimi i jetës dhe veprës së tij  

Në muajin korrik 2021  Misioni Françeskan  në Malësi dhe  Nikollë Deda Gjurashaj me familje, pasardhës i Patër Lulit,  realizuan  me sukses  filmin dokumentar “ Martir i Kishës dhe i Kombit -Patër  Andrea Gjekaj, ( Lul Vuksani Gjurashaj)”. Ky ekranizim i jetës dhe veprës  së  tij , nga Televizioni “ Boin”  u realizua   me rastin e  1o9-vjetorit  të martirizimit të tij.Për  76  minuta  të këtij filmi dokumentar kuptojmë  më mirë  se kush  ishte kleriku dhe atdhetari Patër Andrea. Përmbajtja e  filmit ofron të dhëna, deri më tani të panjohura për jetën dhe veprën e këtij meshtari të përkushtuar ruajtjes së vlerave fetare dhe kombëtare. Xhirimet e filmit janë zhvilluar në vendlindjen e  meshtarit- në Triesh ( Komuna e Tuzit),  në Ljare – Krajë  (  Komuna e Tivarit)  në  Laç (Komuna e Ulqinit), ku ka kryer shërbesat fetare, në Kukël e Velipojë ( Shqipëri) , ku është varrosur  dhe rivarrosur etj.

Ky film dokumentar shërben më së miri për transmetimin e ideve dhe vlerave  fetare, kulturore dhe atdhetare  tek brezat e rinj. Realizimi i këtij dokumentari është një fillim i mbarë  drejt një mundimi, rrugëtimi e  shtegtimi të gjatë në përpjekje të  gjurmimeve dhe hulumtimeve të reja që do të hedhin dritë  dhe do të zbardhin fakte të reja historike për këtë figurë  të madhe fetare dhe kombëtare, e cila meriton  vëmendjen e duhur të  Kishës Katolike, të studiuesve dhe  historianëve  shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq. Por,  edhe shteti shqiptar  do të duhej t’i japë   Patër Andresë  vendin e duhur, sepse bashkë me popullin e vet dha jetën në luftën e Shkodrës në misionin e shenjt.  Me këtë ai dëshmoi se nuk  deshi t’i nënshtrohet regjimit, por Krishtit, nuk deshi të njohë  pushtues  as pushtetarë tokësorë përveç Zotit në qiell dhe mbretërinë e  tij qiellore. Flijoi jetën për Krishtin, duke i shërbyer popullit. Si shumë  klerikë ( fretër)  të tjerë shqiptarë para dhe pas tij. (Fund)