Dy humanistë nga Malësia,Pero Kolçaj dhe Mark Gjolaj

0
833

Njëri nga Trieshi e tjetri nga Koja, gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë aty ku është nevoja
Gjekë Gjonaj
Bamirësia sot nevojitet më shumë se kurrë. Pse? Sepse jetojmë në kohën e tranzicionit, e cila për fat të keq ka zvetënuar, për të mos thënë ka zhdukur shumë vlera të shoqërisë tradicionale shqiptare, me të cilat kombi ynë ishte i njohur përtej kufijve gjatë gjithë historisë së tij të trishtë. Edhe pse në ditët e sotme , në pjesën më të madhe, mungojnë ndjenjat e dikurshme të mirësisë, solidaritetit, bujarisë, altruizmit, mëshirës , filantropisë e humanizmit , ka mjaft malësorë ( shqiptarë) në vendlindje dhe në mërgim të cilët promovojnë dashurinë ndaj njerëzimit. Në mesin e këtyre malësorëve ( shqiptarëve) që zemrën e kanë të madhe janë Mark Gjolaj, me origjinë nga Trieshi, i cili u lind dhe jeton në Tuz dhe Pjetër-Pero Kolçaj nga Koja, që jeton në lagjen Omerbozhaj, afër Tuzit. Të dy janë sipërmarrës, afaristë, të cilët që në fillimet e sukseseve të punës së tyre janë udhëhequr nga postullatet: “ bëje për tjetrin atë që do të doje të bënin të tjerët për ty”, “ sillu me tjetrin ashtu siç do të doje ti të silleshin me ty”, apo “duaje tjetrin si veten tënde”. Edhe njëri edhe tjetri janë të njohur në Malësi si njerëz humanitarë , që kanë dhënë ndihma në ditët më të vështira , kundrejt atyre që u ofruan gjithçka vetëm e vetëm që t’i shohin të lumtura e të buzëqeshura fytyrat e tyre. Ata nuk marrin, përkundrazi japin. Nuk flasin, përkundrazi bëjnë vepra të mira.
Pjetër – Pero Kolçaj është një biznesmen dhe humanist i njohur. Ai para më shumë se tri dekadash krijoi dhe drejtoi Kompaninë “ Ave Maria Kolçeviq”. Viteve të fundit hapi firmën e ndërtimit “ Koja – Company” dhe disa biznese tjera më të vogla. Jashtë punës së tij profesionale Kolçaj ka qenë gjithmonë pranë njerëzve në nevojë, bashkëvendësve të vet, për t’i ndihmuar ata në rast nevoje. Një pjesë të pasurisë së tij e ndau për t’ua dhuruar atyre njerëzve që kanë më së shumti nevojë. Ndihmoi dhjetëra familje kryesisht nga Malësia, fëmijë jetimë, të sëmurit me sëmundje të rënda dhe ata që jetojnë në kushte ekstreme të jetesës. Ndërtoi, riparoi dhe mobiloi disa shtëpi , madje dhuroi edhe dy banesa. Përveç këtyre ka kontribuar me të holla , material ndërtimor e fuqi punëtore falas në ndërtimin dhe meremetimin e rrugëve lokale , pastaj të objekteve fetare ( kisha, xhami dhe Funeralin “ Malësia”) .Kay kontribuar edhe në institucione shëndetësore në Tuz dhe Podgoricë, institucione arsimore në Malësi dhe në ngritjen e përmendoreve ( shtatoreve). Gjithashtu ka mbështetur financiarisht manifestime kulturore dhe sportive. Zemrën e tij fisnike e dëshmoi edhe gjatë mbylljes së plotë të qytetarëve të Malësisë brenda mureve të shtëpisë për tri javë për shkak të infektimit të 15 personave nga kjo trevë me virusin e panjohur më parë C0vid-19 . Kolçaj, përveçse ishte ditë dhe natë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës së Tuzit, në kohën e karantinës, dhuroi sasi të mëdha produktesh blegtorale organike nga ferma e tij.
Edhe Mark Gjolaj, pronar i firmës “ Art Ceramic” nuk po kursen asgjë, për të qenë pjesë aktive e bamirësisë, duke dëshmuar gjithnjë e kudo fisnikërinë, humanizmin dhe solidaritetin si stil jete dhe veprimi. Përveç si biznesmen i gjeneratës së re njihet si një njeri që ka mbështetur aktivitete të shumta humanitare në Malësi, në shumë sfera të jetës, në projekte të infrastrukturës në vendlindje, në objekte banimi dhe në aktivitete të shumta fetare, kulturore e arsimore. Ka ndihmuar familje të varfra, fëmijë jetimë e tjerë. Po ashtu u vu në aksion për t’i ndihmuar bashkëqytetarët e vet për çdo nevojë që kishin në ato ditë të vështira të karantinës. Të gjitha ndihmat i bën me vullnet sepse është i vetëdijshëm se të ndihmosh dikë është sevap, sidomos të varfrit dhe ato familje që kanë nevojë, e që për fat të keq në shoqërinë e sotme ka mjaft. Çdo herë reflekton bujari, besnikëri, përpikshmëri dhe përkushtim në veprim, duke qenë nxitës dhe motivues për gjeneratën e re. Marku është një shëmbëlltyrë e një brezi të ri të një malësori të denjë dhe fisnik që do të mbetet për shumë kohë frymëzues për brezat që do të vijnë.
Këta biznesmenë vullnetarë e bamirës, të lindur dhe të rritur në familje të ndershme fshatare , tradicionale shqiptare, po përpiqen të ndihmojnë të varfrit, duke i bërë thirrje bujarisë së qytetarëve për të dhënë një copë nga pasuria apo kursimet e veta. Ata po përpiqen të gjallërojnë traditat e hershme të shqiptarëve ( malësorëve) për fisnikëri dhe bamirësi për të ndihmuar sadopak familje në varfëri të skajshme ( ekstreme). Këto të dy figura publike vlerësohen në bazë të veprave e jo deklaratave dhe “ rrahjes së gjoksit dhe vetëlavdërimeve”. Ata kanë përzgjedhur për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri njerëzore.