Coca-Cola në Shqipërinë e vitit 1931! Dokumenti i rrallë: Kush ishte arbëreshi që përfaqësonte kompaninë më të madhe në botë

0
743

Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN

Coca-Cola është kompania më e madhe e pijeve joalkoolike në botë, e shtrirë në 200 vende dhe territore.

Prodhimi i saj filloi në një farmaci amerikane në vitin 1886, kur kimisti John Stith Pemberton krijoi një pije medicinale me një shije “speciale”- siç e përshkruanin shijuesit e saj të parë.

Ndër këta shijues, edhe politikani Asa Griggs Candler i cili i impresionuar, vendosi ta blejë recetën origjinale të Pemberton duke themeluar “Coca-Cola Company” në vitin 1892.

Në krye të sipërmarrjes së suksesshme, Candler ndërtoi Candler Building në Atlanta- asokohe më e larta ndërtesë në kryeqytetin e Georgia-s-; një ndërtesë në Kansas City, e cila u bë e njohur si Western Auto Building; Candler Building në New York City si edhe një në atë që tani njihet si Zona e Portit të Brendshëm të Baltimore, Maryland.

Në 1919-ën, The Coca-Cola Company nënshkroi marrëveshjen për hapjen e fabrikës së parë për mbushjen e Coca-Cola në Europë, duke e nisur në Francë për t’u ndjekur më pas nga fabrika në Belgjikë dhe në Itali.

Për të mbërritur në Shqipëri, u deshën së paku 7 dekada, e kjo edhe për shkak të zhvillimeve të forta e rrethanave politike në të cilën gjendej Shqipëria.

Por në fakt, Coca-Cola është më shqiptare nga ç’e mendonim!

Edhe pse në tregun shqiptar Coca-Cola erdhi në fund të viteve ’80 informalisht dhe zyrtarisht në fillimin e viteve ’90, gjurmët e kompanisë i gjejmë që në vitin 1931.

Në këtë dokument që publikohet për herë të parë, Coca-Cola autorizon si përfaqësues të sajin në Shqipëri një nga personalitetet më të njohura të historisë së Shqipërisë, arbereshin Terenc Toçi.Toçi ishte një jurist, botues, publicist, shkrimtar dhe nëpunës i shtetit shqiptar. Në vitin 1911 ai drejtoi lëvizjen për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, madje duke u shpallur edhe president.

Gjatë periudhës së Ahmet Zogut, ai ushtroi profesionin e juristit duke kontribuar në hartimin e legjislacionit të parë modern shqiptar dhe duke arritur edhe të bëhej ministër i Ekonomisë.

Në vitet ’20 dhe ’30 ai ishte personi përgjegjës për regjistrimin e markave dhe patentave të huaja në Shqipëri, në cilësinë e avokatit.

Në këtë kontekst, ai bëhet përfaqësuesi zyrtar i Coca Cola në Shqipëri, përmes një shkresë noteriale që mban firmën e zëvëndëspresidentit të kompanisë me bazë në Atlanta, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Pavarësisht prezencës juridike, nuk ka të dhëna që në këtë kohë në Shqipëri të jetë konsumuar pija, e famshme deri në ditët e sotme. Në atë kohë, në Shqipëri konsumoheshin pije joalkoolike që prodhoheshin në vend, por që ishin përfaqësi nga Gjermania.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Coca-Cola njohu zgjerim të ndjeshëm të mbarë botën me përfaqësitë e saj, me përjashtim të vendeve komuniste, përfshirë dhe Shqipërinë.

Duke qenë se Coca-Cola konsiderohej si simbol i kapitalizmit perëndimor, shumë vende komuniste duke mos i rezistuar pijes, tentuan të krijonin variantet e tyre të pijes së famshme.

Për herë të parë, pijet e Coca-Cola filluan të futeshin në Shqipëri në fundin e viteve ’80, kryesisht në formë ilegale. Janë jo të pakta rastet kur shishet e Coca-Cola silleshin nga marinarët apo punonjësit e tregtisë së jashtme për persona të veçantë apo për familjarët e tyre por nuk mund të thuhet se ka pasur një konsum në masë.

Gjithsesi, ato pak shishe që arrinin të futeshin në Shqipëri, pas konsumit, nuk hidheshin por përdoreshin edhe si pjesë e arredimit.

Rënia e regjimit komunist, solli edhe hapjen e Shqipërisë drejt vendeve të perëndimit. E në këtë kontekst, vendi importonte mallra të ndryshme konsumi, mes tyre, edhe Coca-Cola që nisi të konsumohej nga shqiptarët. Kjo e fundit vinte kryesisht nga Greqia.

Në fillimet e viteve ’90, kur vendi ndodhej në një situatë të trazuar politike e paqartësi ekonomike, familja Buzi e cila që prej viteve ’60 zotëronte një prej kompanive prodhuese të Coca-Cola në Itali, vendos të marrë përsipër misionin e investimit në një terren të panjohur, në atë që më parë kishte ngjallur kureshtje si një nga vendet më të izoluara në botë.

Cristina Buzi vjen në Shqipëri e pas negociatave të shumta me qeverinë shqiptare, finalizon atë që do të konsiderohet investimi i parë i huaj me emër global në Shqipëri. Autoritetet do ta emërtonin atë si “Dallëndyshja e Investimeve të Huaja”; një lajmëtare të mirë të pranverës së investimeve perëndimore në Shqipërinë post-komuniste.

“Coca-Cola i kërkoi ambalazhuesve italianë nëse ndonjëri prej tyre ishte i interesuar për t’u përballur me këtë këtë sfidë, me këtë start-up. Sepse ishte lindja e një kompanie të re, me një plan biznesi. Sepse duhej ndërtuar nga themeli si impianti i prodhimit, ashtu edhe e gjithë organizata. Ne menjëherë u vetëofruam dhe nisëm të punonim sëbashku me “Coca-Cola Company”. Nisëm të njihemi me vendin.

Mamaja ime, Cristina, u dashurua menjëherë. Brenda familjes sonë, ajo ishte personi që menjëherë u tregua e vendosur dhe e sigurtë dhe shihte këtë mundësi. Shihte Shqipërinë e sotme. Unë isha i vogël, diku te 19-20 vjeç e isha në fillimet e mia por arrija të shprehja ndjesitë e mia, mendimin tim.

U bë një takim e kur kishim rrugëtimin e qartë të investimit dhe kohët e realizmit të ‘start-up’, u ulëm në familje dhe vendosëm në fund dhe qartësisht ndezëm motorët e operacionit. E kështu nisëm të ndërtojmë fillimisht ‘joint-venture-n’ dhe më pas impiantin e kështu nisi më pas rrugëtimi duke i dhënë jetë shoqërisë.

I dhamë jetë aktivitetit në 1994. Ishte një garë e mirë…” shprehet Luca Busi, president i Coca-Cola Bottling Shqipëria.

Pas kryerjes së procedurave, fabrika u ndërtua në një kohë rekord, prej 83 ditësh në vitin 1994.

Ngritja e fabrikës së Coca-Cola në 1994-ën, ishte një prej investimeve të para të përmasave të mëdha dhe njëherësh, një manifestim i rëndësishëm i sistemit të hapur ekonomik në Shqipërinë e pas ’90-ës.

Atëherë u investuan 12 milionë dollarë, për ndërtimin e fabrikës dhe për makineritë e para për prodhimin, mbushjen dhe tregtimin e produkteve. Kompania e filloi aktivitetin me 20 punonjës.

“Vitet e vështira ishin ato të fillimit. Me të vërtetë , e vetmja që e shihte të ardhmen pozitivisht ishte Cristina. Ne shihnim realitetin e përditshëm dhe nuk kishte asnjë sinjal nga ana e tregut dhe të Shqipërisë për një ecuri pozitive.

Sepse kushtet e tregut shqiptar që sapo kishte dalë nga një periudhë e keqe e Enver Hoxhës e ishte qartësisht një vend në vështirësi të mëdha ku shqiptarët preferonin që t’a braktisnin vendin. Ishin kushte sigurisht të vështira. Ndaj vitet e para ishin përtej sfidës kurajoze për këtë investim të rëndësishëm që ishte edhe një sinjal në çdo rast për Shqipërinë.

Sepse ishte një brand ndërkombëtar si “Coca-Cola Company”, e mbi të gjitha, një familje sipërmarrësish italianë që vinin të investonin këtu. Ishte një kombinim magjik” shprehet më tej Luca Busi.

Pesha e Coca-Cola në ekonominë shqiptare

Me 342 të punësuar dhe një portofol markash ikonike: Coca-Cola, Fanta, Sprite dhe Schweppes, Coca- Cola në Shqipëri përfaqëson një fuqi të vërtetë ekonomike, duke gjeneruar 5,436 vende pune në ekonominë shqiptare përmes zinxhirit të saj të furnizimit.

Që nga mbushja e shishes së parë Coca-Cola në Shqipëri, kompania është zhvilluar shumë, duke zgjeruar jo vetëm markat dhe prodhimin, por edhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit.

Për të kuptuar më tepër në lidhje me prezencën e Coca-Cola në Shqipëri, ky kërkim i Universitetit të Menaxhimit – SDA Bocconi – Itali, përllogarit ndikimin e kompanisë në ekonominë e vendit duke u bazuar tek të dhënat zyrtare të kompanisë në lidhje me personelin dhe burimet financiare, dhe të dhënat zyrtare të INSTAT dhe institucioneve të tjera ekonomike për shifra të jashtme që nevojiten për krahasimin.“Qartësisht janë numra të jashtëzakonshëm, që të bëjnë përshtypje! Sepse kur gjeneron 0.19 përqind të PBB së një vendi, kjo të jep përgjegjësi të madhe. Kjo është diçka ekstremisht e rendësishme.

Janë numra që edhe ne përbrenda na kanë prekur. Por që i japin vlerë më së miri asaj që ne bëjmë bashkë në sipërmarrje çdo ditë. Pra, na jep përgjegjësi por edhe vlerëson punën tonë të përditshme” shprehet Luca Busi.

Sistemi i Coca-Cola në Shqipëri krijon punësim dhe mundësi për komunitetet lokale dhe prodhon burime të cilat shpërndahen mes tre faktorëve kryesorë të ekonomisë shqiptare:

Familjet (Përmes pagave dhe pagesave për nëpunësit), Sipërmarrjet furnitore (përmes investimeve të kryera në të mira materiale apo në blerje të mirash dhe shërbimesh) dhe shteti përmes taksave dhe kontributeve të paguara nga Coca-Cola Bottling.

2800 është numri total i punonjësve direkt dhe indirekt të Coca-Cola në Shqipëri. Por, nuk është thjesht çështje shifrash. Kushtet e punës dhe roli i Coca-Cola-s në shoqëri kanë tregues mjaft domethënës, si më poshtë:

Pagat e punonjësve të CCBS janë më të larta sesa paga mesatare e vendit: deri në 56% më të larta për punonjësit e administratës; 14% më të larta për specialistët dhe përfaqësuesit e shitjes dhe për menaxherët dhe ekzekutivët deri në 40% më të larta. Gjithashtu, CCBS zotëron një prej treguesve më të rëndësishëm të punësimit në kompanitë moderne, atë të fuqizimit të gruas: 80% e punonjësve në pozicionet drejtuese të Coca-Cola në Shqipëri janë gra.

“Kjo e dhënë është e rëndësishme sepse tregon që në “nivelet e larta”, në pozicionet drejtuese të kompanisë, 80 për qind janë gra. Ndaj, jemi të fortë në “kuotat rozë”, aty ku merren vendime të rëndësishme.

Dhe ndjehemi shumë të kënaqur me “kuotën rozë”. Duke parë të gjithë organizatën në terësi, patjetër që mund të përmirësojmë pasi jemi në kuotën 30 % dhe dëshira jonë është që të arrijmë në 50% me 50%” shprehet Luca Busi.

Nëse flasim për të punësuar, pra punonjësit direkt të CCBS, punonjësit e pavarur, punonjësit e jashtëm dhe të përkohshëm, në 2019-ën, Coca-Cola Bottling Shqipëria ka patur në vend një impakt total të barabartë me 5,436 punonjës, që përkon me 0.5% të totalit të të punësuarve në Shqipëri. Sa i takon vartësve, CCBS ka patur një impakt kompleksiv prej 2,800 punonjësish, nga të cilët vartës direktë janë 342 ndërsa indirekt janë 2,458.

Pra, për çdo vartës direkt të CCBS, korrespondojnë rreth 16 vende pune në ekonominë shqiptare.

Ndërsa, nëse ndalemi tek struktura e familjeve shqiptare, njerëzit që varen – pjesërisht ose plotësisht – nga të ardhurat e krijuara (direkt dhe indirekt) nga CCBS, janë të barabartë me rreth 21,313 njerëz.

“Është impresionuese sepse ne gjenerojmë 2.800 vende pune (direkte e indirekte). 340 janë direkt dhe të tjera indirekt dhe në çdo rast shpërndajmë të ardhura thuajse 27 milionë euro në territor dhe prekim portofolin e 21 mijë personave.

Pra, 21 mijë persona! Një impakt prej super kompanie! Ndaj jemi shumë krenarë për të parë këto numra kaq të rëndësishëm. Prekim 420 furnitorë lokalë dhe ekonominë qarkulluese. Kështu që jemi shumë krenarë për këto numra dhe impaktin tonë” shprehet më tej zoti Busi.

Nisma ndërkombëtare “World Without Waste”- Një Botë Pa Mbetje- eprezantuar nga The Coca-Cola Company në 2018-ën ka objektivin që të mbledhë dhe të riciklojë një shishe ose një kanaçe për çdo një të shitur, duke parashikuar kështu reduktimin e impaktit në ambient që nga procesi i prodhimit tek proceset pas konsumit të produktit.

Kjo do të thotë të përdoren sa më tepër të jetë e mundur materiale të ricikluara për formatet e riciklueshme të pijeve, si edhe të inkurajohet konsumatori që ta hedhë paketimin në vendin e duhur pas konsumimit të produktit.

Promovimi i një modeli biznesi të angazhuar për përmirësimin e problematikave sociale dhe mjedisore, është ajo çfarë e kthen një sipërmarrje në një vlerë të përbashkët. Për këtë, Coca-Cola në Shqipëri ka dalë jashtë kufijve të ndërmarrjes prodhuese, duke u përfshirë dhe duke udhëhequr angazhimin në të mirën e përbashkët në nivel kombëtar.

Në 2010-ën, Coca-Cola solli në Shqipëri sistemin e parë dhe më të madh të pastrimit të ujit të shkarkuar dhe përdorimin e tij në natyrë për ujitje të pemëve, një investim prej 1 milion Euro. Ajo ka kontribuar në mbjelljen e mbi 1,000 pemëve në mjediset e CCBS dhe të tjera në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Vitin e kaluar, Coca-Cola në Shqipëri udhëhoqi lëvizshmërinë e gjelbër, duke e këmbyer flotën komerciale në Tiranë me makina 100% elektrike dhe duke vijuar në 2021-shin me zgjerimin e këtij projekti në Durrës e Kavajë, me rezultat 242 tonë më pak CO 2 të emetuar, e barazvlefshme me kontributin që ofrojnë mbi 18,000 pemë çdo vit. Coca-Cola ka organizuar pastrimin e brigjeve nga mbetjet, duke hequr 21 tonë mbetje brenda një viti përmes nismave si “Save The Coast”, si edhe ka gjelbëruar hapësira të rëndësishme si Parku i Liqenit të Tiranës, ku ka kontribuar duke mbjellë 60 pemë.

“Në vitin 2010 kemi bërë një investim të madh për të menaxhuar ujërat dalëse në mënyrë që të dalin të pastra; një depurator të madh uji për të nisur rrugëtimin tonë në mbrojtje të mjedisit. Kështu pra, ujërat në dalje janë të pastra. Madje, ne i përdorim ato për të ujitur këtë pyllin e ullinjve që kemi mbjellë në terrenin tonë dhe ndaj, themi se kemi vënë tullën e parë në rrugëtimin tonë në mbrojtje të mjedisit. E nga aty, kemi nisur një seri projektesh në mbështetje të mjedisit.

Kemi dashur të jemi të parët që përdorim në Tiranë, Durrës dhe Kavajë, makina elektrike. Kështu që kemi instaluar pika karikimi. Për këtë na kanë ndihmuar bashkitë; për të arritur për të pasur të mundshme pika karikimi për të mos mbetur në këmbë me makinat elektrike.

Dhe kjo na gjeneron në territor një reduktim të dioksidit të karbonit me 240 ton. Pra 240 ton dioksid karboni më pak çdo vit. Kështu që, kemi dashur, njësoj si në 1994, të japim një sinjal për rrugëtimin ‘green’, për qendrueshmërinë mjedisore, me makinat tona elektrike.

Është e qartë se ne do të donim që arrinim të kishim vetëm makina elektrike dhe kemi një numër të mjaftueshëm makinash që punojnë me lëndë djegëse që duam t’i bëjmë elektrike e do donim që të arrinim që të gjitha makinat tona( 196 automjetet e kompanisë) të jenë elektrike, në një kohë sa më të shkurtër.

Kjo varet nga kapacitet e bashkive për të instaluar pikat e karikimit. Ne jemi gati që nesër, por do donim që të kishim në territor disponueshmërinë e karikimit “ vijon më tej Luca Busi.

Këtë vit, Coca-Cola bëri edhe një tjetër investim gjigand në Shqipëri në të mirën e mjedisit, duke realizuar me sukses investimin në impiantin fotovoltaik me sipërfaqe 10,680 m 2 të instaluar ne taracën e stabilimentit, investim ky në vlerën 1,260,000 Euro.

“Këtë vit kemi bërë një investim të madh në impiantin fotovoltaik. Ndaj dhe aty janë investuar 1.2-1.3 milionë euro në 2 megavat panele fotovoltaike, me një sipërmarrje dhe kjo na lejon që të vetëprodhojmë 72 % të energjisë që na duhet për nevojat tona.

Kështu që jemi të vetëmjaftueshëm në 72 %. Këto investime janë rrugëtimi i duhur që po bëjmë për të arritur në kohë të shkurtër në zero emetime; për të arritur për të qenë kompania e parë në Shqipëri me zero emetime, ‘carbon neutral”, duke pasur një përgjegjësi të plotë për territorin, e sesi lëvizim përbrenda kësaj toke të mrekullueshme që është Shqipëria” tregon më tej Luca.

3 dekada më parë, Coca-Cola ishte për shqiptarët simboli i një bote të largët, joshëse por të ndaluar. Prandaj, hapja e Coca-Cola Bottling Shqipëria në vitin 1994 shenjoi si asnjë investim tjetër fillimin e një Shqipërie të re, ku ekonomia ishte e hapur dhe ku Coca-Cola, pija më ikonike në botë, si në të gjithë botën do të ishte lehtësisht e aksesueshme nga çdo shqiptar.

Falë CCBS, Coca- Cola filloi të fabrikohej në vendin tonë, duke u kthyer në një kontribues të rëndësishëm të rritjes së vendit dhe duke u bërë gjithashtu çdo ditë, më shqiptare nga ç’mendoni.

Por, CCBS nuk është vetëm kompania që solli pijen Coca-Cola në Shqipëri.

Është kompania e cila solli, bashkë me pijen Coca-Cola, edhe një model sipërmarrjeje tejet të vetëdijshme për ndikimin që ka në vendin ku operon: një sipërmarrje shumë më shqiptare nga ç’mund të mendoni.
BURIMI www.scan-tv.com