Rrogën ta di, tani qeveria do tregojë dashnoret…

0
437

Për cfarë e do atë kartë identiteti që e fut në portofolin e boshatisur? Po të dhënat e tjera, si numrin e telefonit, adresën e banimit, apo bindjen tënde politike? I dinë patronazhistët, ata me të cilët Rama u krenua aq shumë, ata skutha lagjeje që pasi merrnin pagën si Rilindas dërgonin të dhënat në zyrat e errëta të partisë, ku vetëm ligji i ndalonte që kundërshtarin politik ta shpallnin armik.

Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por nga zyrat e shtetit dalin të dhënat personale të 370 mijë individëve të punësuar në sektorin shtetëror dhe atë privat. Paga e gjithësecilit u afishua në një skandal të vërtetë që vetëm për qeverinë nuk përbën asnjë problem. Ka mbetur si batutë e vjetër që vetëm shqiptarët të pyesin: Sa e ke rrogën? Ndërsa përgjigjia ishte po aq bajate dhe një humor koti si: Rroga dhe dashnoret nuk tregohen…! Tani rroga bruto të ka dalë sheshit, nga institucionet qeveritare.

Po qarkullon frikshëm ajo listë me të dhënat për pagat, duke përshirë edhe numrin e ID-së apo vendin e punës. Forma nga ka firuar ende nuk dihet dhe as ka për tu zbuluar ndonjëherë për aq kohë sa SPAK-u me emër të madh e ka futur në bodrumin e institucionit dosjen skandaloze të patronazhistëve të Partisë Socialiste. Vetëm qeveria nuk shqetësohet. Skandali është i madh, por për Ramën skandalet edhe të përmasave të tilla janë adrenalinë dhe një lloj eksperimenti masiv social të cilën ai e ka nisur prej tetë vitesh.Sheshi Skënderbej është i mbushur plot me kurreshtarë që “mahniten” nga dritat e Lali Erit, por sheshi para kryeministrisë është bosh, e askush nuk ka ndërmend të protestojë për atë që quhet drejtëpërdrejtë shkeplje e rëndë e lirive dhe të drejtave të njeriut, që kanë të bëjnë me ruajtjen e të dhënave personale dhe të dhënave sensitive që prekin drejtëpërdrejtë edhe sigurinë e secilit.Fqinji të di pagën, ndoshta të majme që ke dhe mund të behesh preh e ndonjë grabitjeje, apo në rastin tjetër më të mirë të sheh përbuzshëm, duke llogaritur pagën e tij që mezi mban frymën dhe të atij “tjetrit” që brenda një muaji kapërcen në shifrat nga 10 milionë-deri në 300 milionë lekë në muaj.

Vetëm brenda një viti, kjo qeveria jonë fort e dashur shpenzon nga 70-80 milionë euro për sigurinë digjitale. Po sot vetëm për siguri nuk mund të flitet. Për aq kohë sa të dhënat e çdo shqiptari ishin në duart e spiunëve të Rilindjes me emrin patronazhistë, pritej që të dilnin edhe skandale të tjera të përmasave të frikshme. Tashmë nuk mbetet gjë tjetër përveçse gjurmët e gishtave që kemi lënë në ID-të dhe në qendrat e votimit të merren dhe hidhen në një skenë krimi. Po ashtu edhe të dhënat tona personale nga grupe kriminale, brenda apo jashtë vendit të përdoren në pastrimin e parave.

Adresën na e dinë, pagën na e dinë, qendrën e votimit na e dinë, numrin personal të kartës së identitetit na e dinë, numrin e telefonit gjithashtu, ka mbetur pa u afishuar vetëm se kush tradhton, me kë shkon dhe sa shkon. Edhe ato dihen, pasi një pjesë janë përdorur edhe nga patronazhistët, por nuk është çudi që po bëhet një “data baze” e veçantë ku pasi na treguan në publik pagën, qeveria të tregojë edhe dashnoret! Nga Boldnews.al