15 DHJETORI 1944 DITA E ÇLIRIMIT APO E RIPUSHTIMIT TË TUZIT…!

0
476

NGA NDUE BACAJ
Tuzi me rrethinat (troje të Malësisë Madhe të mbetura nën Malin e Zi, që nga kongresi i Berlinit 1878 dhe Konferenca e Londres 1913), me çfardo organizmi (komunë e varur nga Podgorica apo komunë me të drejta të plota si çdo komunë në Mal të Zi…), perkujton e feston 15 dhjetorin, si ditën e çlirimit nga nazifashistët. Kjo ditë perkujtimi e festimi i perket vitit 1944 , kur forcat gjermane në terheqje largohen nga Tuzi e troje të tjera për-rreth të Malësisë së Madhe. Per hirë të vertetës duhet të themi se këto troje të Malësisë e Shqiperisë Etnike, pas pushtimit fashist , dhe memorandumit të 12 majit 1941 të parisë së Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë Madhe, me dekretin e dates 7 gusht 1941 të Francesko Jakomonit, (mbëkëmbësit të mbretit të Italisë Fashiste në Shqipëri) , keto troje u ribashkuan me Malësinë e Shqiperinë, ku qendra e N/Prefekturës së Malësisë Madhe u transferua nga Kopliku në Tuz , ku edhe u vendos N/Prefekti, administrata perkatëse, dhe institucionet të tjera në sherbim të Trojeve të bashkuara me Shqipërinë nanë. Siç dihet bashkimi i ketyre trojeve me Shqiperinë , ndonse kishte edhe qellime propogandistike nga pushtuesi fashist , ai u bë realitet i prekshëm nga malësorët e ketyre trojeve etnike shqiptare të pervluem me u ribashkua me Shqipninë nanë. Një ribashkim i till solli jo pak gëzim ndër malësor , pasi kufiri i padrejtë me miratimin e Europës plakë, kishte ndarë vëllan prej vëllaut dhe votren prej votres. Këtë ribashkim të trojeve etnike shqiptare e urrenin hapur çetniket mbretëror të Jugosllavisë, të kapitulluar e dorzuar para pushtimit fashist, por e urrenin fshehtas edhe kumunistët e partizanët e tyre serbo-malazez e jugosllav. Këtë e tregojnë disa beteja luftarake, që u është dashur të zhvillojnë në mbrojtje të trojeve të tyre etnike malësorve shqiptar , kundër çetnikëve dhe partizanëve komunist malazez , që kerkonin tu prishnin “endërren” e ribashkimit që po jetonin me Shqipninë nanë, si dhe ti friksonin për të ardhmen. Betejat janë konkrete, me data, me emra luftëtaresh , por edhe të rënësh malësorë në luftë me çetniket mbretëror dhe partizanët komunist malazez-jugosllav, që per nga antishqiptarizmi nuk ndryshonin thuajse aspak. Komunistët jugosllav pasi krijuan bijen e tyre , Partinë Komuniste të Shqiperisë, per tu dukur si “bashkohorë” kishin hellur për konsum rrenën e madhe, se pas fitores mbi fashizmit , edhe shqiptarët e ketyre trojeve (Tuzit , Malësisë e më gjërë) , kanë të drejten e vetvendosjes per t’u bashkuar me Shqiperinë. Dhe këtë e deklaronin se ua garantojnë të drejtat e liritë njerzore të popujve dhe lufta antifashiste, luftë që sipas rrënës sllavo-komuniste i kishte vëllazëruar malazezët pushtues dhe malësorët e pushtuar… Pati mjaftë malësor e shqiptar që besuan këtë rrenë me bisht sllave, madje edhe luftuan e dhanë jetën së bashku me partizanët (komunist) malazez e jugosllav , kunder pushtuesve fashist italian e gjerman. Si për ironi të fatit me datën 15 dhjetor (1944) , (që perkujtohet e festohet si dita e çlirimit të Tuzit), kanë ra duke luftuar kundër ushtrisë gjermane pesë malësor (nga Hoti e Gruda), të cilët besonin në premtimet e komunistëve malazez-jugosllav-shqiptar, e si per inatë të historisë kjo betejë zhvillohet në Deçiqin e Flamurit Kombëtar të 6 prillit 1911… Edhe pas kësaj date bien duke luftuar (me18 dhjetor) kundër ushtrisë gjermane dy grudas e tjerë. Besimin në rrenën-premtim të komunisteve jugosllav e shqiptar e forcuan për ta besua , forcat partizane komuniste shqiptare që erdhen në ndihmë të atyre jugosllave, me në krye general Gjin Markun. Këto forca partizane në të vertet zhvilluan disa beteja kundër ushtrisë gjermane në terheqje , ku dhanë jetën edhe partizan shqiptar. Si simbol kujtese i kësaj ndihme të ushtrisë partizane shqiptare ndaj “vëllezërve” jugosllav, do të qendronin deri në vitin 1991 dy pllaka në Hot (në anën e shtetit shqiptar), njëra pllakë kishte shkrimin: këtu me 28 nëntor 1944 kaloi brigada e VI-të sulmuese e ushtrisë nac-çl të Shqipërisë per të ndihmuar çlirimin e popujve të Jugosllavisë , ndersa në pllaken tjetër shkruhej : në fillim të dhjetorit 1944 këtej kaluan forcat e brigades VII-të sulmuese të ushtrisë nacional-çlirimtare të Shqiperisë , të cilat luftuan dhëmb për dhëmb me armikun deri në Vishegrad… Si çdo rrenë që thotë populli i ka këmbët e shkurtëra edhe kjo i pati të tilla…
Me daten 07 shkurt 1945 , në fushë të Tuzit do të detyronin të mblidhen të gjithë burrat e aftë për armë të Tuzit e Malësisë. Në tribunë do të zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Takimin e hapi Shefqet Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, dhe i porositi për qetësi duke i ftuar të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, ndersa i porositi ata burra shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye Shefqet Peçi nga gjeneral Gjoku Mirasheviç me shokë e u tha: “Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun që t’i vrisni në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Ky tubim do të pasohej nga një tjetër ku vet Mehmet Shehu në Tuz do tu komunikonte Malësorve shkuarjen e kufirit në Han të Hotit e ribashkimin me Malin e Zi… E pas këtyre takimeve ku komunistët shqiptar i bënë “lanet” malësorët , ustadharet malazez me në krye Bajo Stankoviçin, Aleksandër Rankoviçin “viça e viqa” të tjerë do të pushkatonin e masakronin dhjetra nacionalista malësorë , me të vetmin “faj” se i donin trojet e tyre me nanën Shqiperi e jo me Jugosllavinë e Malin e Zi. Ndersa shqiptarët e Kosovës do ti “gostisnin” me masakren e Tivarit , ku rreth 5000 shqiptar do ti bënin “kurban” të dashurisë Tito-Enver… Enveri si shperblim do të dekoronte ata malazez, serb e jugosllav që kryen masakrat mbi shqiptaret nën Malin e Zi , nën Serbi dhe në Kosovë… Pas ketij akti malësorët e Tuzit , Grudës , Trieshit , Kojes , Traboinit e tjerë u lanë në doren e atyre me të cilët i ndanin lumej gjaku e dete mjerimesh . Se si u katandisen këto troje per 45 vite nën hyqametin e komunzmit jugosllav , këtë e tregojnë banoreët që u detyruan të lënë të shkreta shtepi , kulla e troje per të cilat kishin luftuar e qëndruar mote e shekuj. Këtë e tregon edhe sot gjendja ekonomike e sociale, dhe standarti i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta etnike, që zbatohet edhe sot në Mal të Zi. E tregoi edhe fitorja e veshtirë (e 2019-tës) , që u arrit pas disa viteve në zgjedhjet lokale për komunën e Tuzit, me rezultatin 50% , kur banorët shqiptar në ketë komunë janë realisht mbi 80% .
Për këto të “mira me thes” që u solli data 15 dhjetor 1944, Tuzit e trojeve të tjera nën Malin e Zi , duke i çliruar nga pushtuesi gjerman (që po ikte) , por njëkohësisht edhe duke i çliruar nga bashkimi me Shqiperinë nanë, per ti ribashkuar (perdhunshëm) me Malin e Zi dhe ish Jugosllavinë , mua më shkon mendja “për dreq” që këtë “çlirim” ta quaj ripushtim të Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë nga Mali i Zi (e ish Jugosllavia)… Me gjithë këtë vështrim ndryshe për datën 15 dhjetor, nuk kam qellim t’ju prish sado pak “festen” e “çlirimit” të Tuzit , atyre që e kujtojnë e festojnë ditën për diell , por as atyre që diten per diell hiqen si atdhetarë shqiptar… , ndersa naten hiqen para malazezëve zvarrë… Qofshin këta me banim në Tuz, në troje të tjera apo në dhenat e botës…
Voo: Të gjitha ato që cilësova “kalimthi” në këtë veshtrim per 15 dhjetorin (si diten e “çlirimit” të Tuzit…), më hollesisht, me data , emra e mbiemra, me referenca dhe dokumente janë të shënuara në librin tim me titull: Malësia e Madhe Kundër…, botuar në vitin 2018.