Ulqin/Krenar për arritjet e tyre

0
401

Gjekë Gjonaj
Shkolla Fillore “ Marko Nuculloviq “ në Shtoj- Ulqin krahas procesit mësimor, organizon edhe aktivitete të lira të ndërlidhura me plan-programet mësimore të cilat ngërthejnë në vete vlerat e njëmendta kulturore, artistike e sportive , që janë në funksion të zhvillimit të afiniteteve, krijimit të shkathtësive dhe shprehive të punës. Këto aktivitete , siç thotë drejtori i shkollës Dul Asllani, ndikojnë në zhvillimin e kreativitetit, nxisin motivimin dhe kërshërinë si dhe janë rekreative, inspiruese dhe ngazëlluese për nxënësit. Përmes organizimit të këtyre aktiviteteve të shumta jashtëmësimore dhe jashtëshkollore apo të lira nxënësit kanë mundësinë të fitojnë dije nga fusha të caktuara, të argëtohen dhe t’u shërbejnë edhe si përvojë e mirë në formimin e personalitetit të tyre. E gjithë kjo punë e mirë bëhet falë mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollës, të cilët me përkushtim i janë qasur misionit të tyre të shenjtë- mësimit dhe edukimit të nxënësve të tyre.
Mësimdhënësit dhe drejtuesit e Shkollë Fillore “ Marko Nuculloviq në Shtoj e kanë kuptuar rolin dhe rëndësinë e mësimit bashkëkohor, respektivisht mësimin e bazuar në konkurse e projekte i cili jo vetëm që shton një dozë me rëndësi për modelin e mësimit standard, por ai e ndërton mësimin brenda një konteksti relevant që nga fillimi, kështu që nxënësit janë të angazhuar natyrshëm. Ata i kanë përqafuar ndryshimet, po provojnë me sukses të hyjnë në botën e nxënësve të tyre dhe të dalin jashtë zonave veta të rehatisë, duke u treguar të gatshëm për të provuar gjëra të reja. Si rezultat i kësaj pune me përkushtim, vullnet e zell të madh, kjo shkollë, vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti shkollor, ka organizuar disa aktivitete të rëndësishme.

Aktiviteti më i rëndësishëm i shkollës gjatë këtij viti shkollor gjithsesi është pjesëmarrja e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë në Turneun Ndërkombëtar “ Matematika pa kufij”, i cili mbahet që nga viti 2013 dhe tubon nxënësit nga të gjitha pesë kontinentet, njofton drejtori i shkollës Dul Asllani. “Fjala është për njërën prej garave më të rëndësishme të kësaj fushë, të cilën e ka organizuar Ambasada e Bullgarisë në Mal të Zi. Në këtë garë morën pjesë 12 nxënës të kësaj shkollë, të cilët i kanë përgatitur mësimdhënësit, Marina Luliq dhe Zhive Matejin. Nga ky numër i nxënësve katër prej tyre, Lluka Popoviq, Mehmed Luceviq, Llana Zhivanoviq dhe Emil Muratoviq fituan medaljen e bronztë, ndërsa të tjerët u shpërblyen me certifikata,” thotë Asllani.
Nxënësit matematikën e përshkruajnë si një lëndë jo të pëlqyer. Mirëpo, mësuesit e mirë të matematikës dhe të tjerët në këtë shkollë imponuan dhe motivuan tek nxënësit e tyre aftësi dhe potencial që vet nxënësit nuk menduan se i kanë. Kjo tregon se pritjet e mëdha dhe mbështetja e fortë nga mësuesit janë vendimtare.

Sipas fjalëve të drejtorit Asllani me rastin e kremtimit të Ditëve të Gjuhëve Evropiane nxënësit e kësaj shkollë morën pjesë në Konkursin për dizajnimin e bluzave ( fanellave) që do të postohen në faqen elektronike të gjuhëve evropiane të Këshillit të Evropës. Në kuadër të shënimin të 13 nëntorit, ditëlindjes së poetit, mendimtarit dhe filozofit të madh malazez, Petar Petroviq Njegosh, mësimdhënësit Sabil Kurti dhe Spase Askrabiq- Duroviq mbajtën një ligjëratë kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare të Njegoshit. Nxënësit recituan pjesë të zgjedhura nga opusi letrar i Njegoshit dhe poezi të poetëve të tjerë kushtuar këtij poeti.
Nxënësit e kësaj çerdhe të diturisë do të marrin pjesë edhe në realizimin e projektit “ Çështja ime” – punëtori pedagogjike dhe teatrore për gjuhën e urrejtjes në media dhe barazinë gjinore dhe në Garat Ndërkombëtare në Matematikë “ Kengur pa kufij”. Garat Kengur pa kufij mbahen tash 30 vite në më shumë se 80 shtete , duke përfshirë të gjitha shtetet e rajonit. Rreth 6 milionë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme anembanë botës , në të njëjtën kohë mendojnë për të njëjtat probleme dhe i zgjedhin detyrat e njëjta. Përfundimisht këtë rast e kanë edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Mal të Zi, në mesin e të cilëve edhe ata të shkollës nëntëvjeçare të Shtojit.
Mësuesit e kësaj vatre arsimore rurale, e cila numëron 105 nxënës të shpërndarë në 14 paralele, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe malazeze, po zhvillojnë tek nxënësit aftësi për të punuar jo vetëm në mënyrë individuale, por edhe në ekip. Ky lloj mësimi u mundëson nxënësve të jenë të vetëdrejtuar, të pavarur dhe të punojnë në mënyrë të ndërvarur.
Me punën, aftësitë dhe idetë e tyre ata po mësojnë më mirë nxënësit dhe po u japin atyre aftësitë për të cilat ata kanë nevojë në shkollë dhe përtej klasës. Në edukimin dhe arsimimin cilësor të nxënësve të kësaj shkollë dhe në arritjen e rezultateve shumë të mira ka ndikuar edhe bashkëpunimi i mirë mes mësuesit dhe prindërve, respektivisht forcimi i partneritetit shkollë-familje. Të gjithë së bashku ndjehen krenar për arritjet e tyre.