Historia e dhimbshme e pushkatimit të Nikollë Gjolajt në lulen e rinisë

Muzheçk

0
1051

Gjekë Gjonaj
Partia Komuniste e Jugosllavisë i solli shumë vrasje, krime e tortura edhe malit të Trieshit, sikur të gjitha trevave të tjera shqiptare. Kjo forcë ushtarake , e cila në emër të luftës për çlirim, shtriu rrënjët e saja ideologjike staliniste dhe ushtroi dhunë e barbarizma ndaj popullsisë vendase, ndaj nacionalistëve e antikomunistëve trieshjanë ( shqiptarë), të cilët nuk pranuan diktatin e urdhëruar nga emisarët sllavë ( serbo-malazez). Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve u vranë dhjetëra trieshjanë. Për këta trima të kësaj krahine atdhetare, viktima të komunizmit, të cilët nuk u pajtuan dhe kundërshtuan planet djallëzore antikombëtare të komunistëve sllavë, është shkruar shumë pak. Angazhimi dhe veprimtaria e tyre në mbrojtje të tokave të tyre arbërore ka mbetur histori e pashkruar deri në ditët e sotme, edhe nga historianët shqiptar, jo vetëm në Mal të Zi, por për fat të keq edhe në Shqipëri. Deri para pak dekadash familjet e këtyre viktimave kryesisht kanë heshtur. Jo për arsye se nuk dëshironin të ndriçohet e vërteta e tyre. Por, kishin frikë nga pasojat e regjimit të egër komunist dhe shërbëtorët e tyre të verbër. Kjo ishte arsyeja kryesore pse familjarët e viktimave të komunizmit në Triesh, dhe jo vetëm nuk guxonin as të flisnin për ta, sepse e kishin trashëguar nga baballarët e tyre shprehjen rrëqethëse shekullore të shqiptarëve “ Hesht , mos fol , edhe muri ka vesh ! ”
Familja Gjolaj , nga fshati Muzheçk i Trieshit për herë të parë theu heshtjen 76-vjeçare të pushkatimit të birit të saj, Nikollë Gjon Curit , në moshën 24 vjeçare. Gjon Dodë Gjolaj, i cili jeton në Tuz, duke iu referuar dëshmive gojore të gjyshit, Prekë Ucit dhe gjyshes, Mri Baces tregon për jetën, veprimtarinë dhe historinë e dhimbshme të vrasjes së kushëririt, Nikollë Gjonit, nga regjimi komunist.
Nikollë Gjolaj u lind në vitin 1921 në fshatin Muzheçk, në një familje të ndershme atdhetare. Prindërit e tij Gjon Cura Deda dhe Katrinë Lushkja Dushaj nga Traboini i Hotit kishin edhe një djalë , Antonin. Nikolla ishte djali i dytë i tyre. Ai erdhi në jetë tri vjet pas vëllait të madh. Të dy vëllezërit, njëri në moshën 4 vjeçare, kurse tjetri në moshën 1 vjeçare mbetën jetimë, pa baba, i cili humbi jetën tragjikisht në detin Adriatik, në afërsi të Ulqinit. Katër vite më vonë u vdiq tragjikisht edhe nëna, derisa ruante bagëtinë ( gjanë e gjallë). Për fatin e tyre të hidhur Antoni dhe Nikolla në moshën e fëmijërisë humbën më të dashurit, nënën dhe babanë. Këta të dy jetimë i mori në përkujdesje dhe i rriti kushëriri, Prëk Ucë Deda me bashkëshorten, Mari Bacen. Nikolla në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare shkoi në Shkodër, ku qëndroi rreth një viti te vëllai i Prëkës, Marash Uci. Pastaj shkoi në Velipojë, ku qendroi rreth tri vitesh. Ai në vitin 1942, i bashkangjitet Ballit Kombëtar, duke luftuar kundër forcave partizane komuniste. Falë trimërisë dhe aftësisë ushtarake, rrëfejnë familjarët, Nikolla u emërua zëvendëskomandant i Ballit Kombëtar për Shqipërinë e Veriut. Ai i qëndroi besnik kësaj ideje, megjithëse lufta zhvillohej në favor të regjimit komunist.
Në dimër të vitit 1944, pasi Balli Kombëtar pësoi disfatë, Nikolla u kthye në vendlindje, në Muzheçk. Në vjeshtën e vitit 1945 Nikollën e ftojnë në Zyrën e Vendit të Trieshit në fshatin Stjepoh. Atje i japin një letër në zarfë të mbyllur me dyllë të kuqe, për ta dërguar pa e hapur në Kazermën Ushtarake në Tuz. Nikolla e merr letrën. Kthehet në shtëpi, në Muzheçk. I tregon Mri Baces për detyrën që i kishin dhënë komunistët trieshjanë. Mria kishte një parandjenjë se kjo letër mund të paraqiste rrezik për Nikollën e ri. Ajo, duke dyshuar në pabesinë e komunistëve, edhe përkundër deklarimeve të tyre se kjo letër nuk paraqet kurrfarë rreziku për Nikollën, e këshillon atë që mos të shkojë në Tuz, por më parë të shkojë në Cem të Trieshit tek Prekë Uci, të hapë letrën dhe pastaj të vendosin së bashku se si të veprojë. Nikolla e kundërshton atë, duke i thënë që mos të merakoset se nuk do ta tradhëtojnë shokët e ti, vëllezërit trieshjanë, me të cilët shoqërohej dhe rrinin bashkë çdo ditë. I bindur se nuk do t’i ndodhi asgjë e keqe ai niset për në Tuz. Mri Bacja, e shqetësuar për fatin e Nikollës , shkon tek kushëriri i burrit, Pjetër Gjoka. E njofton me situatën e Nikollës dhe kërkon nga ai që ta ndalojë atë të mos shkojë në Tuz, por të shkojë në Cem të Trieshit te Prekë Uci. Pjetër Gjoka menjëherë i vihet mbrapa dhe e nxënë Nikollën në vendin e quajtur Qafë të Nagrivës. U mundua t’ia mbushë mendjen dhe ta bind atë që të heq ë dorë nga shkuarja në Tuz, por pa sukses. Nikolla vazhdoi rrugëtimin e tij të vdekjes në Tuz, prej nga pas dy ditësh në gjithë Malësi u hap lajmi i hidhur për pushkatimin e tij në oborrin e Kazermës Ushtarake të Tuzit, në ish-objektin e Repartit të Fabirkës së Tekstilit “ Titeks” . Thuhet se atë ditë Nikolla, në lulen e rinisë , u pushkatua me dy malësorë të tjerë nga plumbat vrastarë të komunistëve dhe se trupat e tyre të pajetë i hodhën diku në afërsi të Liqenit të Shkodrës, buzë fshatit Nënhelm. Familja Gjolaj e di se kush ishte njeriu që dyshohet se e spiunoi Nikollën, 76 vjet më parë. Por, ajo, sot e kësaj dite nuk di asgjë më shumë për vrasjen e djalit të tyre , madje as vendin ku i kanë mbetur atij eshtrat. Për të qenë edhe më keq familja Gjolaj nuk ka guxuar të bëjë asnjë kërkesë zyrtare për gjetjen e eshtrave të djalit të tyre gjatë kohëzgjatjes së sistemit komunist.
Pjesëtarët e kësaj familjeje gjithnjë kanë qenë të vëzhguar nga pushteti i kohës. Administrata e Sigurimit Shtetëror ( UDBA) nuk e ka lënë të qetë as kushëririn e Nikollës, Dodë Prekën, në Gjermani , i cili për tri vite nuk ka guxuar të vizitojë familjen e tij në Triesh.
Kjo është dëshmia ekskluzive e familjes Gjolaj për historinë e panjohur të vrasjes së djalit të tyre nga komunistët, i cili luftoi bashkë me luftëtarë të tjerë nacionalistë shqiptarë për lirinë e shqiptarëve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar, kundër regjimeve komunist diktatoriale në Shqipëri dhe në Mal të Zi.