Gjekë Gjonaj
Tashmë kur masat kundër Covid-19, kanë vështirësuar mbajtjen e ngjarjeve kulturore në salla të koncerteve, Ansambli Artistik “ Hazis Ndreu”, nga Dibra gjeti mënyrën për të qenë afër publikut ulqinakë dhe adhuruesve të këngëve dhe valleve të mirëfillta dibrane. Ky grupim artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë shtetit amë erdhi kësaj herë në Ulqin në organizim të Qendrës Kulturore të Ulqinit dhe Organizatës lokale turistike të këtij qyteti. Koncerti në kohëzgjatje prej një orë e gjysmë filloi në një atmosferë gazmore dhe u ndoq me shumë vëmendje e emocione mbresëlënëse deri në përfundimin e tij të suksesshëm.
Ky ansambël kulturor dibranë shpalosi nga repertori i tij i pasur vlera artistike dhe traditën folklorike të kësaj trevë të shquar atdhetare. Valltarët dhe valltaret e reja të këtij ansambli, të cilat artin e kanë pasion e mision, shkëlqyen në skenë. Ato ne shumë përkushtim, profesionalizëm e atdhedashuri transmetuan tek publiku vlera dhe tradita kulturore e kombëtare. Me performancën e tyre të shkëlqyer ngritën peshë zemrat e artdashësve që ndoqën këtë koncert i cili lartësoi folklorin, etnografinë, vallet dhe kulturën dibrane.
Po me aq mjeshtri artistike, pasion dhe përkushtim këngëtarja, Lirie Rasha, mjeshtre e madhe, për të cilën thuhet se dikur në kohën e komunizmit në Shqipëri e dëgjonin “ tinza” se mund të përfundonin në bisedë informative dhe këngëtari emblematik i Lurës, Dibrës dhe krejt trojeve tona etnike, Arif Vladi, i cili u dhuroi artdashësve magjinë e zërit të tij të fortë, gjëmimtar dhe krejt të veçantë të mbushur me shumë ngjyrime jetësore e kombëtare.
Ky koncert me këngë e valle dibrane, përveç anës artistike, ka vlerën edhe për faktin se forcon urat e bashkëpunimit kulturor midis Ulqinit dhe Dibrës.