FESTA E GESHTENJËS NË SHLLAK (Foto…)

0
689

Për të dytin vit rradhazi njësia administrative e Shllakut feston Ditën e Gështenjës. Lindja e kësaj feste, e cila festohet edhe në Rec të Malësisë së Madhe apo dhe në Krajë të Malit të Zi, u inicua nga Mark Gjeka,, i cili është shumë i lidhur me vendin e të parëve të tij dhe ka mbi nje vit që po e promovon këtë zonë në rrjetet sociale. Kjo festë merr nje vlerë tepër të vecantë këtë vit, pasi organizimi i saj është bërë nga vetë banorët, të cilët kane kontribuar sipas mundësive të tyre me bazë materiale, kryesisht produkte ushqimore, por edhe gjithë pajisjeve të tjera të nevojshme për t’iu krijuar pjesëmarrësve kushte të nevojshme për mbarevatjen e kësaj feste. Një kontribut të vyer individual dhanë z. Mark Babani, z. Nikolin Dedvukaj me ujin Alpin si dhe Nikolin Martin Shqau me stafin e bar- restorant “San Francisco”. Edhe pse festa ende nuk ka hyrë ne projektet e Bashkisë së Vau Dejës, pjesë e së cilës është dhe Shllaku, ajo ka rritur autoritetin e saj edhe pse eshte ende ne hapat e parë. Shllaku e meriton një festë te tillë pasi në territorin e tij numërohen rreth 333 ha me gështenja të shtrira në një siperfaqe prej 129.32 km katror në gjithë njesinë. Gështenja që gjendet në Shllak është shekullore, e mbirë në gjendje natyrale. Vetëm 10 ha janë të mbjellura nga dora e njeriut, gjatë kohës së ishndërmarrjes pyjore Shkodër në monizëm, e cila gjendej në fshatin Kron i Madh e Vukjakaj Gegaj. Gështenja ka nje dru shumë të fortë për ndërtim, i cili përballon temperaturat e ulta dhe lagështirën. Mes viteve 1990-1995 ka pasur dëmtime të konsiderueshme, prerje pa kriter.
Shllaku, pa përmendur pjesën e Mazrekut, ka plantacione natyrore të përqëndruara kryesisht në : Barcollë, Vasiaj, Vilëz, Vukaj, Kroni i Madh e Vukjakaj. Gështenja prej shekuj është e ndarë në koshnjete, ku secila familje ka koshnjetin e saj. Me ndarjen e familjeve është ndarë edhe pjesa e hisës si kunorë. Asnjë familje pa leje nuk hyn në pjesën e tjetrit. Ky rregull ka qenë i sanksionuar në të drejtën kanunore.
Gështenja është qajtur frut i Perëmdise, ose pema e bekuar. Fruti përdoret jo vetëm për pjekje apo zierje, por edhe për industrinë ushqimore. Ajo shtohet me kokërr dhe fidanë dhe shquhet per dobitë në shëndet si: ul kolisterolin, ndihmon në mirëfunksionimin e zorrëve, forcon kockat dhe dhëmbët, është antidepresive, forcon flokët, qetëson sistemin nervor, ndihmon në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, ndikon ne rritjen fizike të fëmijëve, jane shumë të mira për atletët, etj.
Festa e Geshtenjës ne Shllak pervec gatimeve me produktet bio të zonës, kishte edhe programin artistik, te cilit i paraprinë fjalët e rastit. I pari që bëri dhe hapjen zyrtare ishte z.Miran Pali, banor i zones, njeherësh edhe njëri nga organizatorët. Ai vuri theksin tek dëshira dhe vullneti i banorëve për të kontribuar dhe mbështetur festën. Përgjegjësi i Njësisë Administrative Shllak Kristjan Ndoja evidentoi faktin se vendi nuk është braktisur dhe cdo kullë qëndron e hapur, prandaj kjo ndikoi edhe në dhënien jetë të kësaj feste. Z. Rexhep Kapsi, kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë mes të tjerave shtroi rëndesinë e vlerës së festave të tilla, të cilat tërheqin vëmendjen e vizitorëve, por që do ishte mirë te kishte ndikim edhe tek shteti shqiptar në investimin për asfaltimin e rrugës. Kryetari i Shoqatës Atdhetare Dukagjini, vlerësoi këtë traditë të re, e cila shoqërohet edhe me traditat dhe mikpritjen e zonës, duke vendosur lidhjet mes së kalurës dhe së tashmes.
Më tej festa vijoi me nje program artistik, ku interpretuan mjaft mirë kengëtarët nga Shllaku: Mark Vata, Viola Shqau, Agustin Pllumaj, Niko Mhilli, shoqëruar nga instrumentistët Sokol Gjeka, Lazer Tavosja, Kole Leka, etj. Programi u moderua nga gazetarja Kozeta Bruci, e cila rikthehej në këtë zonë pas 16 vitesh nga realizimi i reportazhit te parë. Gjithashtu, për realizimin e një emisioni dedikuar Festës së Gështenjës ishte edhe gazetarja e mirënjohur Alma Cupi e Tv Klan. Nuk mungoi as pjesëmarrja e operatoreve turistike, kompanive te sigurimit, bizneseve në Shkodër, shoqatave të ndryshme, etj. Ra ne sy arrdhja në festë e një grupi te rinjsh me bicikleta, të cilët tashme janë profesionistë të udhetimeve me një mjet te tillë ne terrene malore.
Festa e Shllakut pritet të kthehet në një traditë. Fakti që nga 170 pjesëmarrës që kishte vitin e kalur, dhe 300 këtë vit, tregon se ajo po merr jehonë dhe pritet që me mbështetjen akoma më të madhe edhe nga strukturat vendore, të rrisë zhvillimin e turizmit në zonë, e më kryesorja te tërheqë vemendjen ndaj gështenjave, një pjesë e të cilave janë lënë në mëshirë të fatit. Rritja e prodhimit, ndalja e sëmundjeve infektive, krijimi i një industrie për përpunimin e tyre, do shtonte interesin e banorëve që të mos e braktisin zonën, por ta sigurojnë jetesën e tyre pikërisht në vendlindje.

Përgatiti:
Kozeta Bruci
Gazetare
Shkodër, më 25.10.21