Një avion i droguar jep shpirt në Vermosh

0
1026

Marash Gilaj
Pak ditë më parë, në Vermosh ra dhe nuk u ngrit më një avion i vogël, i cili nuk dihet nga kishte ardhur dhe pse. Ai na la shëndenë, ndersa kryepolicit “iu fik kandili”. Siç kemi mësuar nga mediat dhe më pak nga policia, ekipazhi përbëhej nga dy persona të panjohur. Pastaj, në ndihmë erdhi edhe një i tretë që të merrte si hajdut dy të parët dhe materialet që kishin me vete, me anë të një fuoristrade të bardhë si bora. Avioni nuk ka asnjë shënjë identifikimi. Policia dhe shteti po bën shurdhin dhe qorrin. “Policia që duam” arrin të gjejnë avionin pa jetë, siç ka ndodhur edhe herë të tjera në Divjakë apo diku tjetër. Falë vigjilencës, përkushtimit dhe profesionalizmit të policisë, nuk dihet kush i priti në “Aeroportin e Vërmoshit” e ku përfunduan ata që ndodheshin në avion bashkë me pritësin. Heshtja dhe terri informativ vërteton edhe një herë bashkëpunimin e mafias me qeverinë. Për analogji e krahasim, një bari delesh, kur ujku i hyn në vath dhe i shqyen delet do të thoshte: “Nuk më erdhi keq që ujku më hëngri delet, por u indinjova, kur pashë se edhe qeni u bashkua me ujkun”. Shurdhëria e qeveriut nuk e pengon të vërtetën të duket qartë në dritën e diellit. Tendenca e organeve që e kanë për detyrë të ruajnë kufinjtë ajrorë, të ndjekin trafikantët e drogës, t’i kapin ata e t’i dënojnë, është tymnaja dhe gënjeshtra e ngritur në sistemin e punës së tyre. “Duke iu larguar gjithnë e më shumë së vërtetës, urrejnë ata që flasin për të”, pat thënë një herë George Orwell.
Në një situatë si kjo lindin shumë pyetje: Kush e kontrollon hapsirën ajrore të Shqipërisë? A mban kush përgjegjësi? Ministria e mbrojtjes me çfarë merret? Ky nuk ishte rasti i parë dhe pse ndodh gjithnjë kështu? Sa të mbrojtur jemi? Si ka mundësi që vetëm avionët e ngordhur i kapim, ndersa ata që mund të fluturojnë jo? Kjo është njësoj si të arrestosh të vdekurit. Po ata që largohen me fuoristradë pse nuk i kapim? A nuk ngjan kjo me fikjen e radarëve, kur gomonet trafikojnë drogë në Itali, Greqi etj? Mbeti enigmë, nëse avioni solli kokainë apo deshi të merrte hashash? Mbase desh t’i kryente të dyja, por fati nuk deshi. Sidoqoftë, Timonieri pa patentë është krenar që të huajtë na përmendin shpesh dhe na kanë vënë në “Listën e Zezë” për punët e fëlliqura që bëjmë, sidomos në trafikun e drogërave, pastrimin e parave e shumëçka. Kjo vërteton më së miri se droga mbillet e korret nga Vermoshi deri në Konispol dhe se paskan tepruar edhe ca thasë nga kanabisi elektoral. Tashmë, këto lloj krimesh dhe shumë të tjera nuk përbëjnë më lajm. Droga i hëngri kokën avionit dhe mbi trupin e tij, tani vajton qyqja.
Populli jeton i lumtur në mizerje e paligjshmëri. Oreksi i atyre që merren me drogërat dhe qeveritarëve që i mbështesin po gëlltit të ardhmen e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare.
Dhe del policia e na thotë se pasi ishte boshatisur avioni, ne nuk gjetëm asgjë brënda. A nuk është njësoj si të thuash se po mbylle sytë, nuk sheh fare. Këtë mund ta thotë vetëm një filozof i mbaruar, por kurrsesi një polic i çfarëdo kalibri. Prandaj, me të drejtë, na quajnë Narkoshtet. Ndaj kemi dy Shqipëri: një të ekranit ERTV dhe tjetra reale. Sepse i tillë është ambienti e mjedisi, si pushtet i gatuar me miell kanabisi. Një ngrehinë si kasolle pa çati, ku krimi është kthyer në model suksesi, sa nga dëshira aq edhe nga vesi.
Dhe ju vazhdoni të dremisni mbi avujt e hashashit si qeveri e droguar. Shkarkoni para dorëheqjes kryepolicin që zor se ia gjejmë modelin e tij ndonjëherë në ardhmen. Na shkriu gazit, kur tha se po dorëhiqej nga nevoja për t’u kujdesur për fëmijët, dhe se mezi priste të merrte një detyrë të re që t’i sherbente partisë ku të ketë nevojë, bash si në kohën e Enverit. Shkarkimet para dorëheqjeve dhe emrimet e ministrave në formë telebingoje, tashmë, janë risi në fshatin tonë “Potemkin”( një fshat në Rusi, i shkatërruar, por që. qeveria e quante sukses, falë manipulimit si formulë shkëlqimi dhe mirëqënie imagjinare). Kuptohej se Timonieri e kishte shkarkuar dhe e kishte porositur të jepte dorëheqje, që, medemek , të mos kuptohej ç’dreqin po ndodhte. Nga ana tjetër do të thoshte ca fjalë të bukura për të dhe kryepolici për kryeqeveriun. Dhe porosia e fundit vinte natyrshëm: “Mos e harro “Kodin e heshtjes”, që është edhe kodi i mafies njëkohësisht.
Sjellje prej matrapazi, i dështuar e i papenduar, adhurues kriminelësh, por edhe profan në politikë, në ekonomi e drejtësi.
Me arrogancë kaubojsësh, me megafonin e paturpësisë në dorë, si gangster politik e tepër toksik, përdhunues ligjesh, plot krenari e vanitet, vazhdon të qëndrojë në pushtet me vota të blera me kanabis zgjedhor si Bariu i kriminelëve. Ky është shteti i Maliqit ose me fjalë të tjera, vetë Kadi e vetë Myfti.
Kjo që ndodh çdo ditë, është humnera që ndan fjalët nga veprat. Për të na bindur, betohen në Kushtetutën që nuk e zbatojnë dhe te Presidenti që duan ta shkarkojnë, ndersa, në çdo zgjedhje blejnë varfërinë e popullit që ka mbetur pa emigruar.
Leonardo da Vinçi na mëson se: “Ai që nuk e ndëshkon të keqen, do që ajo të bëhet”. Dihet, gjithashtu se pushteti absolut e shtrëmbëron të vërtetën. Timonieri ndihet krenar në mandatin e tretë, por harron se vetëm duartrokitjet e maskarenjve merr si dhuratë.
I kapur si pijaneci pas shtyllës, nga dehja që sjellin“fitoret” , harron se, siç na mëson Presidenti i tretë I SHBA – së, Thomas Jefferson: “Në jetë ka edhe fitore të turpshme”. Dhe mos dëgjo servilizmin e Spiropalit, mos ia vër re, se vetëm mjekrra, nuk të bën Ismail Qemal as Skenderbé.

15 Tetor 2021