Ambasadorë! Mjaft i bëtë “Marshallah” të keqes në Shqipëri

0
402

Marash Gilaj

Kur lexuam intervistën e fundit të ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, i cili flet për një fillim të bukur pas zgjedhjeve, në këtë Shtator, për bashkëpunim midis dy forcave kryesore politike, për integrimin apo reformat që, sipas tij, po ecin krejt mirë, ne që jetojmë këtu, na duket se flitet për suksese imagjinare. Realiteti duket i zymtë dhe pa shpresë ndryshimi. Periudha 8 vjeçare e kaluar me njëmijë probleme e skandale tregon të kundërtën e asaj që predendon Z. Soreca dhe ndonjë tjetër. Të njëjtën gjë mund të themi për këshilltarër e qeverisë si puna e Batonit e të tjerëve.

Në lidhje më këto, kam parasysh edhe reagimin e Z. Martin Henzë, këshilltar i CDU-së në Gjrmani, i cili e kritikon ambasadorin Soreca për ato që pohon në intervistën e tij. Midis të tjerave, ai i kujton këtij të fundit se ato që po thotë për reformat, integrimin dhe arritjet në përgjithësi janë qesharake, duke shprehur habi se si mund t’i quajë arritje apo suksese. Me ironi e pyet se ku i ka parë këto. Ku dhe kur kanë ndodhur?, do të shtoja unë.

Ju që monitoroni ecurinë e punëve të qeverisë, sidomos reformat, integrimin, korrupsionin, zgjedhjet, mungesën e sundimit të ligjit, drogërat, trafikimin e tyre, krimin e organizuar në përgjithësi, shpopullimin dhe varfërinë e popullit tonë, pse nuk u thoni qeveritarëve tonë se këto nuk ndodhin në vendet tona deri në këtë nivel dhe se kështu nuk ka përparim, reforma as integrim. Pse nuk ua bëni të qartë se me këto që ndodhin këtu, kemi vetëm kthim pas? Natyrshëm lind pyetja: “A lejohen këto në vendet tuaja?”Si do të vepronin qeveritë tuaja në kushte të tilla? Po populli si do të reagonte?

Kur ju u bëni “marshallah” punëve të këqija që ndodhin tek ne,  bëheni bashkëpunëtorë dhe paterica për të mbajtur në këmbë një regjim të dale boje e mode, i cili i ngjan më shumë diktaturës se sa demokracisë.

  1. Soreca na thotë se BE-ja i ka dhënë e do t’i japë Shqipërisë miliona euro për ta ndihmuar, por e di ky se ku shkojnë këto para? Si përdoren, e ku përfundojnë? Mjafton të shikoni tenderat për rrugët, ku një km rrugë asfaltohet me 4-5 fishin e normales, për kapelet e policisë me 10 fishin dhe do të nxirrni një farë konkluzioni. Për çfarë besimi flisni se medemek punët do tē shkojnë mbarë? Nuk i njihni ju këta? Aq më qesharake duket vlerësimi i këshilltarit Baton Haxhiu, kur bën bilancin dhe parashikon të ardhmen. Le të përmendim disa prej tyre. Flet për zgjedhje “të fituara”, edhe pse e quan “Vallëzimi i fundit i E. Ramës, për arritje në shumë fusha, se paska krijuar shtet modern, se tranzicioni mbyllet me mandatin e tretë dhe se do të mbahet mend si lideri që e realizoi këtë. Si cilësi dhe zotësi të tij na tregon se ai i ka tredhur socialistët dhe rilindasit, se është i pamëashirshëm, se armiqët e tij do të përpiqen t’i zbejnë “lavdinë e tij.” Na qënka edhe i lavdishëm qafiri!? Servilizëm e hipokrizi e pashoqe.

Por nuk mund të rrimë pa i kujtuar çdo ambasadori apo këshilltari se mjafton të analizojmë zgjedhjet e 25 Prillit 2021, për të parë sa të lira ishin, sa të ndershme dhe a nuk u përdor administrata në zgjedhje, paratë, patronazhistët, bllokimi i emigrantëve, bandat, legalizimet, shpërblimet për dëmet e termetit, punësimet shtesë, shantazhi e çdo gjē tjetër e jashtëligjshme. Tani “Dosja 184” përfshiu gjithë Shqipërinë, ndersa drejtësia e “reformuar” bën gjumin letargjik. Por, sipas atyre që i monitoruan, na doli se ato ishin zgjedhje të mirëorganizuara e të qeta, kur gjithçka ishte e paligjshme, edhe pse kryeqeveriu i përshëndeti patronazhistët, ato zgjedhje prodhuan një qeveri të paligjshme. Nuk duhet harruar se një palë zgjedhje para tyre ishin moniste, në vend që të shperndahej parlamenti dhe të shkonim në zgjedhje të reja. Çdo shtet normal, kështu do të kishte vepruar, duke filluar nga Kosova e të tjerë me radhë, por falë kundërshtisë së ambasadorëve, ishte më mirë të kishim zgjedhje si në diktaturë se sa zgjedhje të parakohëshme të pushtetit qëndror e pastaj atij lokal.

Sa për reformën në drejtësi, mund të thuhet me plot gojën se ajo lindi e vdekur, s’është e pavarur, por e kapur, nuk funksionon, i ngjan asaj të kohës hoxhiste dhe është më e vjetër se e vjetra.

Po me integrimin çfarë po ndodh? E dinë ambasadorët pse nuk integohemi? I dinë ata kushtet? Sa janë? Pse na lavdërojnë? Gjoja paskemi bërë përparime, por ato nuk duken. Ju merrni rrogat dhe nganjëhë dekoratat, kur nuk hapen negociatat. Kjo sjellje juaja na ndihmon apo na dëmton? I pari i katundit nuk e do Integrimin sepse livadhis më lirshëm. Pastaj konsultohet me Erdoganin dhe Vuçiçin, që të ketë sukses në këtë drejtim. Miqësia e tij me këta të dy ngjan me miqësinë që kishte dikur Enveri me Mugoshën e Popoviçin. Ky arrin deri atje sa ju jep këshilla BE-së, Kosovës, Bullgarisë apo NATO-s e kujtdo tjetër, edhe pse punët e veta i ka mysibet. Mbetet që Evropa të arrijë nivelin tonë dhe të shohim, nëse do ta pranojmë në gjirin tonë ose jo. Në këto kushte, na doli në dritë Minishengeni, pastaj Open Balkan, se ky emri dytë tingëllon më bukur, duke harruar të parin. Edhe emrin e partisë e kanë ndërruar herëpashere, por mbeti ajo që ishte. Nuk e di përse i këshillojnë qeveritarët tanë dhe nëse këta nuk i dëgjojnë cili duhet të ishte qëndrimi i ambasadorëve? Po Z. Blair për çfarë mund ta ketë këshilluar vallë z. Rama? Ndoshta e vetmja këshillë që vlen, por nuk duket se do të rregullohet ishte ajo që tha Batoni: “Rama duhet të rregullojë raportet me Kosovën.” Po diçka tjetër? Sepse ka shumë për ta këshilluar, për ta korrigjuar. I duhet thënë ndal se e djallose fare! E dinë ambasadorët se Shqipëria është” lavatriçe” e pastrimit të parave të pista?

Gjatë 8 viteve në pushtet të PS-së apo Rilindjes, siç ka merak ta quaj I gjati, ky ka ushtruar pushtetin e tij personal, duke e treguar veten më të fortë se shteti, se demokracia, se ligjet dhe Kushtetuta, ndersa ju e lavdëroni dhe e mbështesni në çdo skandal si: zgjedhjet katastrofë e moniste, për drogën, shembjen vandale të teatrit, korrupsionin kapilar, duke e lejuar e miratuar kur flet për suksese imagjinare. Pse e lejoni të tregojë të njëjtat përralla dimrore, në çdo stinë të vitit?

A s’ju duket qesharake, kur tha se kishte caktuar 4 ministre shteti , edhe pse shteti mungon çdo ditë. Dikush pyeti me ironi:” Mirë se ministëre shteti paskemi boll, por shteti ku është?” Deri në këtë derexhe kemi arritur. E dini ju se qeveritarët u janë turrur pasurive kombëtare si çakenj a ujqër të uritur. Ata bëjnë pazare e allishverishe me pasuritë e vendit. Pse drejtësia “e reformuar “nuk ndjek paranë si e vetmja rrugë për të vënë para përgjegjësisë grabitqarët, hajdutët apo “peshqit e mëdhenj”?

Ju ka shkuar mendja ndonjëherë si arritën këta qeveritarë të kenë apartamente, vila luksoze,para me thasë, lagje të veçanta, që populli i quan me respekt “Lagjet e hajdutëve.”

Besoj se edhe ju e dini, tashmë, se natyra është treguar bujare me vendin tonë duke na dhënë klimë të butë, det, lumenj, bjeshkë, vende, ku mund të lulëzojë turizmi. plazhi, të rriten bimë e fruta gjithfarësh, me tokë e nëntokë shumë të pasur. Megjithatë jemi shumë të varfër. Kjo ndodh për faj të atyre që bëjnë rolin e udhëhumburit dhe jo të udhëheqësit.

Ka 8 vjet që dëgjojmë vetëm gënjeshtra, por ato, siç thotë Volteri, të mbajnë gjithnjë nën zgjedhë. Dhe pastaj, gënjeshtrat mbrohen vetëm me gënjeshtra. Mashtrimi na qënka një çmenduri e bukur.

Për ta pastruar këtë klasë politike duhet vetingu në politikë dhe testi i drogës që të zbulohet se kush ka bërë burg jashtë vendit, pse e ka ndërruar emrin etj. Ende nuk i njohët këta Judë të vendit të vet?

Nuk ju vjen keq që Shqipëria ecën së prapthi? Pse flisni me gjuhën e Ramës për suksese imagjinare?  Dështimet nuk janë suksese as përparime. Deklarimet tuaja vetëm po na përçajnë.

Mbase, vetëm piktorit i lejohet ta bëjë të zezën të bardhë. Po ne të tjerëve a na lejohet ky qëndrim, ky nënshtrim?

Udhëhumburit i jepni statusin e “Shejtanit politik”, se e meriton.