Ndonëse Edi Rama zotohet publikisht se Shqipëria nuk do ta paguajë gjobën 110 milionë euro për Becchetin, pagesa e saj tashmë ka nisur.
MCN zbulon ekskluzivisht se biznesmeni Italian ka bllokuar llogaritë e Shqipërisë në Eurocontrol duke konfiskuar miliona euro të ardhura që duhet të vinin në Albcontrol
Megjithëse lajmi në Tiranë mbahet sekret shtetëror nga qeveria, MCN arriti ta konfirmojë atë nga tre burime të pavarura në nivelet më të larta, njëri prej të cilëve pjesë e Eurocontrol
Por si po merren paratë?
Çdo vend që bën pjesë në hapësirën e përbashkët ajrore europiane, pra që është pjesë e Eurocontrol, fiton të ardhura nga përdorimi i hapësirës së tij ajrore. E thënë me qarta, çdo avion që kalon në hapësirën ajrore të Shqipërisë, paguan një tarifë të caktuar, e cila në termin teknik njihet si en-route charge.
Këto tarifa, shoqëritë e fluturimit ja paguajnë Eurocontrolit në Bruksel. Më pas Eurocontrol i shpërndan ato tek vendet përkatëse në mënyrë periodike. Në rastin e Shqipërisë, Eurocontrol i derdh paratë në arkën e Albcontrol, shoqërisë shqiptare të shërbimeve të navigimit ajror.
Në vitin 2019, Shqipëria fitoi 25.3 milionë euro nga tarifa e përdorimit të hapësirës ajrore. Në vitin 2020, kur trafiku ajror u reduktua ndjeshëm për shkak të pandemisë shumë ra në 11 milionë euro. Por këtë vit, me rimëkëmbjen e industrisë ajrore, fluturimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe të ardhurat po ashtu duhet të rriteshin. Megjithatë në arkat e Albcontrol nuk po hyn më asnjë e ardhur nga tarifa e përdorimit të hapësirës ajrore.
Llogaria e Albcontrol në Eurocontrol është e bllokuar dhe prej muajsh të ardhurat që duhet ti derdheshin Shqipërisë kalojnë direkt në llogarinë e biznesmenit italian.
MCN ka mësuar se deri më tani, Becchetti ka konfiskuar minimalisht 3 deri në 4 milionë euro.
Llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol do të vazhdojë të qëndrojë e bllokuar derisa biznesmeni Italian të konfiskojë të gjithë shumën e gjobës 110 milionë euro, e cila bashkë me interesat tashmë ka arritur në 120 milionë euro.
Pra Shqipëria ka nisur tashmë të paguajë haraçin e rëndë të gjyqit me Becchetin, ndërkohë që qeveria në Tiranë zotohet se Beccheti nuk do të marrë asnjë lekë.