Takimi Albin kurti dhe Aleksander Vuçiq.Për çka flasin librat që Kurti deshi t’i jap Vuçiqit?
Amire Qamili
Në takimin e djeshëm të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbajtur në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministri kosovar kishte marrë me vetë edhe dy libra dhe lisën me emrat e 1,133 fëmijëve të vrarë në luftën e Kososvës, për t’i dhuruar presidentit të shtetit fqinj verior. Por, këto materiale, Vuçiq refuzoi t’i merrte, ndërsa të njëjten dhuratë, Kurti i dha mikpritësit, shefit për Plotikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Librin “Unë dua të dëgjohem”, që shpërfaqë rrëfimet rrëqethëse të grave të dhunuara seksualisht në Kosovë gjatë luftës së fundit, listën me emrat e 1,133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” që flet për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, nuk bëri ballë që t’i marrë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Kurti e Vuçiq, dje më 19 korrik u takuan për herë të dytë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij takimi Kurti pos ketyre materialeve faktografike, kishte propozuar të nënshkruanin edhe një Deklaratë të Paqes, duke i ofruar edhe dëshmitë e 11 shkeljeve që i bënë Serbia ndaj Kosovës, përmes barrierave të tregtisë së lirë. Që të gjitha këto, sipas Kurtit, janë refuzuar nga Vuçiq. Deklarata nuk u nënshkrua, e Vuçiq nuk pranoi që Serbia po bënë ndonjë shkelje.
“Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto. Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1,133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Kurti ishte shprehur se është për të ardhur keq që nuk arritën të dalin së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim.
“Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit ‘ballafaqimi me të kaluarën’”, tha Kurti.
Sipas Kurtit Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid.
“Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht. Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, ishte shprehur Kurti.
Por, çka përmbajnë këto libra?
Libri “Muhaxhirët, Dosja Britanike”, me autor Bejtullah Destani flet për spastrimin etnik të Toplicës, Nishit, Prokuplës, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës gjatë viteve 1878 – 1884, vende këto që në atë periudhë dominoheshin nga popullësia shqiptare.
Në këtë libër trajtohet eksodi i parë i shqiptarëve prej forcave serbe dhe një prej masakrave më të mëdha e të tmerrshme që Serbia ka bërë mbi popullësinë shqiptare.
“Trajtohet eksodi i parë i shqiptarëve që ka ndodh prej forcave dhe ushtrisë serbe në vitin 1878-79 e më tej. Me vendimin e kongresit të Berlinit një pjesë e madhe e territoreve shqiptare iu lanë Serbisë e cila i shpërnguli me dhunë shqiptarët afër 157 mijë veta”, kishte thënë Destani, pas botimit të librit të tij.
Sipas Destanit këto janë materiale të panjohura, pasi asnjëra nuk është botuar as nuk i ka përmend dhe për herë të parë botohen në librin e tij.
“Janë afër 988 fshatra prej Kurshumlisë, Nishit, Prokupljes, Vranjes dhe Toplicës. Shumë prona të tyre janë shkatërror. Leskovci, Vranja, Prokuple, Kurshumlia kanë qenë me xhamia dhe i kanë shkatërruar gjitha”, kishte thënë Destani.
Ai ka treguar se i janë dashur disa vite deri sa të gjej materiale që kanë të bëjnë me Muhaxhirët.
Sipas tij në vitet e 90-ta ka gjetur materialet që ishin dosje të pa hapura dhe nuk i kishte përdor askush.
“Dosja e Muhaxhirëve është përgatitur nga Ministria e Jashtme Britanike dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Turqisë. Për çudi këto lloj dokumente nuk i gjen as në Berlin as në Vjenë”, kishte thënë ai.
Të dhënat tregojnë se pos dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta në rretinat që permenden edhe në këtë libër, shkatërrimit e plaçkitjës së pronave të tyre, gjatë viteve të kësaj masakre, janë vrarë në format më barbare, duke u therur me thika, ngulur në hunj, djegur në zjarrë, shpuar me terfurk e prerë me sëpatë, mbi 35 mijë shqiptarë. Ata që u shpërngulën, gjëtën strehë në shumë vende tjera, pjesa më e madhe e tyre në Kosovë, por edhe në Turqi, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë e vende tjera.
Lista e 1,133 fëmijëve të vrarë e të zhdukur në Kosovë gjatë luftës
“Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, është ekspozita që ishte hapur për nderë të kujtimit të 1,133 fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. Nga kjo ekspzitë, në të cilën u shfaqen shenjat, rrobet e fotografitë e fëmijët e vrarë gjatë luftës, u bë edhe kjo listë, të cilën Kurti deshi t’ia jap Vuçiqit, por ai nuk e pranoi.
Ekspozita ishte realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, me kuratore Blerta Hoçian dhe solli rrëfimet për fëmijët e vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë. Qysh në hyrje janë emrat e secilit prej 1,024 të vrarëve e 109 fëmijëve të zhdukur gjatë viteve 1999 dhe 2000. Në murin e ekspozitës, përmblidheshin të dhënat e datave të lindjes e të vdekjes a zhdukjes për gjithsej 1,133 fëmijëve.
Drejtor ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë Bekim Blakaj, kishte thënë se ka vite që mendojnë që të memorializojnë një pjesë të asaj çka kanë dokumentuar për krimet e luftës.
“Kemi vendosur që të bëjmë diçka që t’i mbajmë mend fëmijët me emra e mbiemra dhe fëmijërinë e tyre të ndërprerë për shkak të luftës”, kishte thënë Balaj.
Emrat e disa fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë
Libri “Unë dua të dëgjohem”
Libri “Unë dua të dëgjohem”, është libër me kujtimet e rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë libër, që është projekt i implementuar nga Integra dhe forum ZDF, programi në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës dhe me mbështetje të donatorëve ndërkombëtar, janë publikuar rrëfimët e grave të dhunuara e të tortuara llahtarëshm nga forcat serbe.
“I kishin pasë krejt aletet e masakrës. Na e kanë marrë nji djalë dy vjeç edhe e rroki me thikë njani prej tyne. E kam dorën e lehtë, e kom dorën e lehtë, mos u tutni, bërtitke. Fëmija kajshin e britshin”, citohet të ketë thënë ndër të tjera në librin e kujtimeve të rrëfimit të grave të mbijetuara të torturës, në rrëfimin e saj rrëqethës Teuta, njëra nga të dhunuarat dhe e mbijetuar e torturës së shfrenuar të policisë, ushtrisë e njësiteve paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.
Libri 130 faqës, i botuar më 2017, ka shumë rrefime të tilla e të rënda.
Në mesin e tyre është edhe rrëfimi i gruas së prezantuar me inicialet H.A.
“… na kanë qua ty, unë jom kanë pa vetëdije. Na kanë marrë, na kanë majtë ka dy ka tre, kanë bo çka kanë dashtë me neve… Kur m’ka ardhë vetëdija, kur kom kqyrë, pesë ishin kanë”, rrëfen e dhunuara në grup nga shumë polic, ushtarë e paramilitarë, gruaja që në këtë libër prezantohet me inicialet H.A.
“I kanë zgjedhë krejt gratë e mira, krejt çikat e reja edhe i kanë qu me ni fshat tjetër. I kanë marrë edhe sot e kësaj dite nuk dihen disa ku janë. Disa kanë ikë, disa janë mytë, disa janë hupë”, vijon rrëfimi i një gruaje tjetër të dhunuar me inicialet H.H. po në këtë në këtë libër.
Libri, ka edhe shumë rrëfime tjera të llahtarshme, të rënda e të trishtueshme skajshmërisht. Ai është i botuar edhe në gjuhën angleze e serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pranoi ta merrte këtë libër nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në takimin që kishin me 19 korrik në Bruksel.