Reagim i Shkelzen Berishes mbas vendimit të gjykates amerikane

Vendimi i gjykatës në SHBA, reagon Shkëlzen Berisha: U vërtetua se autori i librit shpifi, s’kam asnjë lidhje me çështjen në fjalë hashtag.al

0
313

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në SHBA për të mos shqyrtuar padinë e Shkëlzen Berishës ndaj autorit të librit “Arms and the Dudes: How Three Stoners From Miami Beach Became the Most Unlikely Gunrunners in History”, Guy Lawson, ka ardhur reagimi i djalit të ish-kryeministrit.

Ai shkruan në Facebook se në vitin 2017, ai ka paditur në SHBA, Efraim Diverolin dhe dy punonjës të tjerë të AEY, Alexandër Podrizki dhe David Packouz si dhe shkrimtarin e librit, Lawson.

Sipas Berishës, autori i librit nuk ka arritur në veprën e tij të përmbushë as standardet minimale të gazetarisë duke shmangur qëllimisht intervistat me të dhe persona të tjerë që kundërshtonin gënjeshtrat e Diverolit.

Po kështu ai shton se Lawson ka përdorur si burime persona të pabesueshëm të cilët nuk kanë pranuar të dëshmojnë gjatë gjyqit ose kanë deklaruar nën betim se nuk kanë pasur dijeni për përfshirjen e tij në çështjen në fjalë

“Të dashur miq, në vitin 2017 unë ngrita një padi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Efraim Diverolit dhe dy punonjësve të tjerë të AEY, Alexandër Podrizki dhe David Packouz, për deklaratat e tyre të gënjeshtërta në lidhje me mua, të cilat kishin qellim të mbështetnin skemën e tyre kriminale për të mashtruar qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si pjese e kësaj çështje gjyqësore, une gjithashtu padita Guy Laëson dhe botuesit e librit të Laëson ‘Qentë e Luftës’ (apo ‘Armët dhe Çunat’) për publikimin e papërgjegjshëm të gënjeshtrave të z. Diveroli dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në këtë libër z. Laëson nuk arriti të përmbushë as standardet me minimale të gazetarisë. Ai qëllimisht shmangu intervista me mua dhe njerëz të tjerë që kundërshtonin gënjeshtrat e Diverolit.  Ai vendosi të bazohej në deklaratat e pabazuara të një grupi mashtruesish kronikë dhe kriminelëve të denuar, të cilët Laëson i pagoi për variantet e tyre të ngjarjes. Po ashtu për të formësuar shpifjet e tij z. Laëson përdori si burime te ‘besueshme’ Erion Veliaj, Andi Belliu dhe Gary Kokalarin (të cilin vetë Laëson e konsideronte të pabesueshëm pasi e shihte si ‘maniak të tërbuar me axhendë private’) të cilet ose nuk pranuan të dëshmojnë gjatë gjyqit ose deklaruan nën betim se nuk kishin asnjë dijeni për ndonjë përfshirje timen në këtë histori.” – shkruan Berisha.

Berisha shton më tej në reagim se e nisi gjyqin për të zbardhur të vërtetën e për të çuar para ligjit persona që kanë përfituar miliona dollarë bazuar në shpifjet ndaj tij.

Sipas tij, gjatë procesit ligjor kanë dalë dokumente që kanë vërtetuar katërcipërisht se pretendimet e autorit të librit, Lawson kanë qenë shpifje.

“Vendosa të ngre këtë padi për ti shkuar të vërtetës deri në fund dhe gjithashtu për të bërë përgjegjes para ligjit, persona dhe entitete që kishin përfituar miliona dollarë mbi shpifjet e ngritura ndaj meje. Përgjatë gjithë kësaj sage ligjore dolën dokumente që vërtetuan katërcipërisht se të gjitha pretendimet e shkruara nga z.Laëson për gjoja përfshirjen time në trafikun e armëve ishin shpifje. Para gjykatave amerikane, duke dëshmuar nën betim, z.Diveroli deklaroi jo vetëm se kishte trilluar për përfshirjen time, por sqaroi dhe arsyet e këtij mashtrimi.  Ato u provuan si shpifje edhe nga raporti i hetuesve të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, të cilët gjetën se Podrizki që pretendonte se kishte qenë në një takim me mua, nuk e njohu Shkelzën Berishën kur hetuesit i treguan foton e tij. Më tej akoma kur z.Belliu deklaroi nën betim për gjykaten se ai nuk më njihte fare dhe nuk kishte asnjë dijeni për përfshirjen time ose jo në historinë e Gërdecit apo AEY. Apo dhe me keq kur ‘burim i besueshëm’ Erion Veliaj refuzoi të vinte për të dëshmuar para gjykatës shpifjet e përcjella per z.Laëson.” – shton Berisha.

Djali i ish-kryeministrit vijon duke shkruar se autori i librit nuk ka pranuar të bisedojë asnjëherë edhe pse është kontaktuar disa herë për të dëgjuar të vërtetën duke u shmangur.

“Ndonëse i kontaktuar nga unë si dhe me akses te plote në dhjetëra deklarata publike të miat dhe shumë të tjerëve që hidhnin poshtë gënjeshtrat e tij, z.Laëson nuk më kontaktoi kurrë për të dëgjuar të vërtetën që mund t’i prishte xhepit të tij fitimet e siguruara, përmes shpifjeve ndaj meje, nga kontrata me shtëpinë botuese. Në pamundësi për të mbështetur me fakte dhe argumente shpifjet e publikuara dhe për t’i bërë bisht një përballje para jurisë, z.Laëson vendosi të ‘fshihet’ pas përcaktimit tim si person publik duke zhvendosur debatin ligjor nga vërtetësia e pretendimeve, tek mungesa e keqdashjes në publikimin e shpifjeve në fjalë. Thënë shkurt ju përvodh thelbit të çështjes duke deklaruar se ai thjesht kishte besuar listën e shpifësve që në momentin e ballafaqimit ose nuk u paraqitën në gjyq ose pranuan nën betim se kishin mashtruar.” – thekson djali i ish-kryeministrit Berisha.

Në fund të reagimit, Shkëlzen Berisha thekson se vendimi i gjykatësve në SHBA ka qenë jo i zakontë duke qenë se e kanë shkëputur çështjen nga një tjetër e ngjashme e vitit 1964 që ka shërbyer si precedent.

Ai shkruan se dëshmitë e dala në proves kanë provuar publikisht se të gjitha pretendimet për përfshirjen e tij në këtë proces kanë qenë shpifje e kanë provuar përtej çdo dyshimi se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë.

“Pra në asnjë nga tre shkallet e sistemit gjykatësit nuk vlerësuan vërtetësinë e shpifjeve të z.Laëson, por nëse ato ishin bërë ose jo me keqdashje. Është pikërisht kjo arsyeja përse dy gjykatës të Gjykatës së Lartë të SHBA në një vendim jo kaq të zakonshëm vendosën të publikonin mendim ndryshe nga shumica duke kërkuar shkëputjen nga standardi i vitit 1964 sipas të cilit debati për shpifjen ndaj personave publik duhet kufizuar vetëm me mungesën ose jo të vetëdijes për shipfjen dhe  keqdashjes se atij që shpif, pasi në këtë mënyrë viktimave të këtyre shpifjeve, u hiqet çdo mundësi për t’i adresuar ato dhe për të kërkuar drejtësi për dëmin e krijuar. Ndonëse do të kisha dashur që ky të ishte vendimi i shumicës, mendimi i dy gjykatësve të nderuar tregon se beteja ime ligjore ka qenë e bazuar tek qëllimi për të kërkuar dhe nxjerrë të vërtetën. Por mbi te gjitha transparenca mbi dokumentet dhe dëshmitë e siguruara përgjate këtij procesi kanë provuar para publikut, se gjithë pretendimet për përfshirjen time në këtë aferë kanë qenë shpifje duke më hequr kësisoj barrën morale të gënjeshtrave që kanë synuar të më përbaltin përgjatë gjithë këtyre viteve dhe duke provuar përtej çdo dyshimi se nuk kam pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë.” – mbyll reagimin Shkëlzen Berisha.