Kur në vitin 1985 Konstantin Chernenko vdiq në Kremlin, agjentët e KGB e ndodhur në Drezden i vodhën shefit të tyre një arkë me shampanjë nga Krimeja për të festuar fundin e afërt e regjimit të vjetër komunist. Pak më shumë se 30 vjepar, Vladimir Putini toku gotat bashkë me kolegët. Në ambientin e mbyllur e një prej «rezidencave» të rrjetit të spiunazhit sovjetik jashtë vendit, «vogëlushi» – siç quhej Putini, për ta dalluar nga një koleg me të njëjtin emër – ishte më skeptiku lidhur me regjimin të cilit i shërbente. Admironte akademikun Andrey Sakharov, i mërguar në Gorky pse nuk ishte dakord, dhe i ishte shpifur nga antisemitizmi i sistemit, duke i skandalizuar kolegët me pohime të llojit «hebrenjtë janë njerëz absolutisht normalë». I pajisur me formimin e tij universitar juridik, teorizonte me kolegët e ngurosur se Bashkimi Sovjetik i ngjallte më shumë frikë botës sesa Shtetet e Bashkuara sepse nuk posedonte një procedurë demokratike: për të nisur një luftë atomike presidentit amerikan do t’i duhej të mbante parasysh Kongresin dhe opinionin publik, ndërsa një udhëheqës i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i prekur nga Alzheimer mund ta shtypte butonin e kuq me askënd që guxonte ta kundërshtonte. «Vogëlushi» – në emër dhe faktikisht, duke parë se ishte në debutimet e karrierës si tij në spiunazh, në misionin e tij pak prestigjoz jashtë vendit që do të rezultonte edhe i fundit – nuk mund ta dinte se 15 vjet më vonë do ta qeveriste Kremlinin e sapobraktisur nga Chernenko dhe 20 vite më pas do të takonte një amerikan me emrin Bush, teoricien i së njëjtës ide, sipas të cilës një vend i lirë është më pak i rrezikshëm për veten dhe për të tjerët. As nuk e dinte se 30 vite më vonë do të vinte në lojë pushtetin e tij, ambicien e Nobelit për Paqen dhe kopertinat e “Time” pse ka aneksuar gadishullin e famshëm shampanjën e të cilit po pinte. Dhe 5 vite të tjera do të rezultonte se ishte i gatshëm ta shtypte butonin bërthamor në rast sulmi: «Një botë pa e pasur më Rusinë mund edhe të vdesë dhe pastaj ne [rusët] do të përfundonim në parajsë si martirë, kurse ata [amerikanët] do të shuheshin pa pasur as kohë të pendoheshin», shpjegoi me krenari.
Si ja ka dalë një burrë që si i ri kishte ngritur dolli për fillimin e fundit të një regjimi, që vdekja fizike e udhëheqësit të fundit tij Chernenko do të përfaqësonte vdekjen e komunizmit sovjetik, e përshpejtuar dhe e certifikuar nga pasuesi i tij Mikhail Gorbaçiov, në atë kohë ishte një perceptim thuajse unanim, të përfundojë për ta qarë dhe tentuar ta restaurojë atë deri në detajet më absurde, si konkurrenca me goditje raketash bërthamore? Evolucioni i presidentit të dytë të Rusisë, nga agjent i thjeshtë i KGB në Car të plotfuqishëm dhe më pas në të «keqin ndërkombëtar», është një prej karrierave më të errëta të historisë ruse. Në Forumin e Davosit të vitit 2000 gazetarët perëndimorë ju kërkuan ministrave të qeverisë ruse të dhëna lidhur me kreun e ri të shtetit, ende një i panjohur i shquar. Pyetjen «Who is Mr. Putin?» e pasoi një heshtje të sikletshme e cila hyri në histori dhe që në një farë kuptimi mbetet akoma sot simboli i një regjimi të obsesionuar nga sekreti. Ende sot nuk dimë thuajse asgjë lidhur me presidentin rus: për shembull, ku zhduket kur zhduket nga reflektorët e mediave, sa dhe cilat rezidenca ka, me kë i banon dhe deri ku ndodhet në çdo moment të veçantë, duke qenë se ka ndërtuar zyra praktikisht identike me atë të Kremlinit në daçat e ndryshme të tij. Por edhe sikur rrethanat dhe faktet e ndryshme – midis të cilave ato lidhur me sëmundjet, pallatet, fëmijët sekretë dhe llogaritë e fshehta bankara – do të zbuloheshin, vetëm pas fundit të mbretërimit të tij, ka qenë vetë Putini ai që i ka rrëfyer dhe rrëfehet me një sinqeritet në disa raste thuajse i pamundur për një kryetar suprem shteti, në një rrugëtim emeblematik të një regjimi mistika e të cilit në fund ka përkuar me idetë, fobitë dhe tikët e mbretëruesit dhe simbolit të tij. Që nga ana e tij e ka marrë forcën kryesore prej një sintonie të veçantë me votuesin e tij.
Mund të shkonte më keq
Tashmë nuk janë të shumtë ata që kujtojnë se Vladimir Vladimirovich Putin, i vitlindjes 1952, i lindur dhe i rritur në Leningrad, u emërua nga Boris Jelcini kryeministër dhe «pasues» si president në gushtin e 1999, i fundit i një serie krerësh qeverie dhe princash trashëgimtar ku secili zgjaste më pak se i mëparshmi, në një oborr të mbërthyer nga rënia fizike e mendore e sovranit të tij po aq sa nga skandalet që ja kishin katandisur popullaritetin me shumë zero pas presjes. Familjes – siç quhej rrethi i ngushtë i presidentit të parë rus – Putini i ishte dukur tejet anonim, i ndrojtur dhe i zellshëm sa për t’i besuar një seri operacionesh që kërkonin një prekje delikate dhe një mungesë të konsiderueshme skrupujsh, për ta promovuar më pas si delfin. Oligarku Sergey Pugachev, në atë kohë një prej të afërmve të Familjes dhe sot me banim në Londër, ka rrëfyer në një seri intervistash me Cathrine Belton e Financial Times (që e ka rindërtuar lindjen e perandorisë së presidentit rus në librin monumental Njerëzit e Putinit) se zgjedhja kishte rënë mbi funksionarin petërsburgas pikërisht pse konsiderohej i privuar nga aftësi dhe ambicie të tilla sa ta bënin të pavarur. Do të duhej të garantonte sigurinë e klanit të Jelcinit dhe tashmë kjo e bënte haptazi të destinuar për një dështim të shpejtë. Por brenda pak javësh Putini u pajis me një resurs të cilit më pas i ka mbajtur monopolin për më shumë se 15 vjet dhe që ka përmbysur krejtësisht lojën dhe historinë e Rusisë: fitoi një popullaritet të pamatë, spontan dhe të thellë.
Legjitimimi i tij nuk varej më nga dashamirësia e oligarkëve dhe familjarëve të Jelcinit. Përkundrazi, ishte mirëqenia e tye ajo që varej nga zemërbutëlsia e kryeministrit të ri. Në mënyrë korrekte, analistë të shumtë ia atribuojnë lindjen e Putinit që njëhim kërcënimit brutal për t’i «hedhur turistët në wc», e thënë pasi ka nisur luftën e re në Çeçeni. Por shprehjen tjetër kyçe për të kuptuar fenomenin e tij e tha një vit më pas, në gushtin e 2000, duke folur me familjarët e ekuipazhit të nëndetëses së mbytur “Kursk”, një katastrofë që do të trondiste një presidencë të saponisur. E ardhur në një garnizon të Arktikut, një çitadelë ushtarake e akullt dhe tashmë si e rrënuar, u tha vejushave të dëshpëruara se ishte gati të merrte përgjegjësinë për tragjedinë, por për sa u takonte shkaqeve më të thella të saj – mungesës së financimeve, mungesës së ndihmës, mospërgatitjes së Marinës në dekadën e fundit – preferonte në fakt që të «ulem përkrah jush për të bërë pyetje». Bashkë me nënshtetasit e tij, Cari u deklarua jo si idhtar, por si viktimë e rënies së komunizmit, duke u ndarë nga ato forca dhe ide politike që e kishin katapultuar në majë.
Në vitet e mëpasme kjo narrativë rimerret në retorikën e tij lidhur me «të mallkuarat vite Nëntëdhjetë», me të cilën Putini ende sot kërkon të terrorizojë votuesit, duke ju përgjigjur çdo shfaqjeje pakënaqësie me një promemorie për të kaluarën nga e cila po dilte Rusia, një «mund të kishte shkuar më keq» që për rreth dy dekada ka funksionuar thuajse magjishëm. Lideri i parë i Kremlinit pas Leninit jo i lindur në ndonjë fshat, por në një qytet të madh, që flet gjuhë të huaja dhe ka jetuar jashtë vendit, dhe i pari (bashkë me Gorbaçiovin) që ka studiuar në një universitet të famshëm, por ka qenë sidomos lideri i parë që nuk vinte nga ajo nomenklaturë e lartë që qysh nga mosha më e re banonte në një komunizëm personal. Bir i një familjeje të varfër dhe të thjeshtë, i rritur në një kommunalka (pallat me shumë familje) në një lagje punëtore të Leningradit, Vladimir Putini kishte arritur të hynte në borgjezinë sovjetike, të cilës në momentin e fundit të sistemit sapo kishte filluar t’i ngjiste hierarkitë. Në librin e tij biografik të 2000 rrëfeu me dy zëra me të shoqen Lyudmila ëndërrat dhe nevojat e tyre: kishin mbajtur për orë të tëra radha që blinin ushqime dhe veshje, kishin vënë menjanë paratë për makinë gjatë qëndrimit në Gjermani nga i cili qenë kthyer të pasuruar edhe me një lavatriçe të përdorur, dhuruar nga miq gjermanë. Kishin kërkuar mirëqenien, duke pësuar në shkëmbim mendjengushtësinë e propagandës.
Vladimir Ussoltsev, shoku i tij i dhomës në Drezden, ka rrëfyer në një libër të 2003, të titulluar Kolegu, se Putini e kishte goditur pikërisht prej gjakftohtësisë, pragmatizmit, një mendje të saktë, joafektive, thuajse matematikore në skepticizmin e akullt të tij. Sipas Ussoltsev (të cilit i detyrojmë edhe rrëfimin lidhur me shampanjën krimease), kolegu i ti nuk besonte në asgjë: ishte «një konformist nga koka deri tek këmbët» që në publik shfaqej si komunist i zjarrtë dhe në privat e këshillonte mikun që të mos ishte shumë kritik sepse «mban familje». Produkt tipik i cinizmit të epokës Brezhnjev, domethënë kur besimi tek komunizmi tashmë ishte zhdukur dhe mendimi i dyfishtë orwellian praktikohej universalisht në pritje të fundit të regjimit, që dukej i afërt. Putini gjeti rast që t’ia shikonte me sytë e tij kolapsi më 1989, pak ditë pas rënies së Murit të Berlinit, kur ju desh t’i digjte natën për gjithë natën dokumentat e KGB dhe të STASI përpara se turma të futej në zyrat e policisë politike. Nga Moska nuk erdhën kurrë as direktiva, as mbrojtje.
I kthyer në një qytet që ndërkohë kishte ndryshuar emër, presidenti i ardhshëm pa fundin e partisë i së cilës ishte anëtar dhe i shërbimit sekret tek i cili kishte vendosur të gjitha shpresat e tij të ashensorit social. Në moshën 39 vjeçare nuk kishte më asnjë punë dhe i duhej të mbante dy vajzat e vogla. Tregoi se kishte menduar seriozisht të bënte taksixhiun pa letra, me Vollgën – status symbol i paarritshëm për kë nuk ishte pjesë e nomenklaturës – e blerë me kursimet e jetës në RDGJ. Nuk pati nevojë: falë gjermanishtes dhe kontakteve të tij të trashëguara nga KGB, thirret nga kryebashkiaku liberal Anatoly Sobchak si shef i marrëdhënieve me jashtë. Por solli me vete aty atë traumë themelore që bashkon të gjithë ish sovjetikët që më 1991 ishin më shumë se 30 vjeç: atë se duhej të rifillonin nga zero, mbi gërmadhat e një perandorie të shembur në peshën e katastrofave të veta.
Roman rus
Ka të ngjarë një ditë, një roman i madh rus do të arrijë të rrëfejë atë katastrofë mendore të përjetuar njëkohësisht nga qindra milionë njerëz, por për momentin mbetet një traumë ende në rrugë përpunimi. Brenda pak muajsh, e dimë, ndryshoi gjithçka: punë, studime, veshje, ushqim, para, ide, atë që shihej në televizion dhe atë që kishte (ose më shpesh nuk ishte) në frigorifer. Lindën kështu zanate të reja (nga bankieri tek publicitari), ndërsa profesione të vjetra dhe prestigjioze si mësues i marksizëm – leninizmit zhdukeshin, por edhe zanate ekzistuese, si ai i mjekut apo i shitësit, rimendoheshin fund e majë, dhe një ushtri inxhinierësh e kërkuesish të mirëpaguar nga shteti duhej ta rishpiknin veten si taksixhinj dhe shitës ambulantë. Ndryshoi mënyra e të menduarit: praktikisht gjithçka që konsiderohej si pozitive nga propaganda komuniste, flakej tej nga realiteti i ri, që fuste si vlera ato që sistemi i kaluar përçmonte dhe ndëshkonte: pasurinë, ndërmarrësinë, pavarësinë. Ndryshoi raporti midis eprorëve dhe vartësve, prindërve dhe fëmijëve, bashkëshortëve dhe të afërmve. Një revolucion i vonuar seksual e rriti më tej spektrin e shanseve të papritura tashmë deri shumë i gjerë për një popull të mësuar prej gjeneratash për të mos pasur zgjedhje; ndërsa gara e imitimit të Perëndimit e parë nëpër filma ngecte në një moskuptim themelor të demokracisë e të tregut të lirë, të dhëna pa një manual udhëzimesh.
Koha e nda në një para e një pas, por edhe ata (më të shumtë në numër nga sa shpesh besohet) që në «pas» kanë pasur një nivel jetese materiale më të lartë sesa në Bashkimin Sovjetik e kanë ruajtur traumën e tërmetit që shkatërroi çdo siguri, duke i lënë të mbijetuarit në ankthin se janë braktisur në fatin e tyre. Fenomeni putinian lind në këtë shok primordial dhe tiparet karakteristike e metodës së tij, në kundërshtim me idetë dhe aleancat, nuk do të ndryshonin më. I edukuar në një ambient hipokrit e të zhveshur, presidenti do ta konsideronte gjithmonë pushtetin si qëllim në vetëvete: pragmatiku Vladimir Putin i debutimit lançoi liberalizimet ekonomike e fiskale, duke mbledhur ekonomistë edhe të opozitës dhe duke mbajtur shënime gjatë kursit të tij të përshpejtuar prej shtetari autodidakt, si edhe mbylli bazat tejet të kushtueshme ish sovjetike në Kubë e në Vietnam, duke ngjallur urrejtjen e ushtarakëve. I shortuar në një intrigë oborri, me një përvojë politike publike të barabartë me zero – zgjedhjet e vetme ku mori pjesë si zëvendëskryebashkiak i Shën Petërsburgut i humbi, bashkë me besimin tek instrumenti elektoral – do të mbetej mosbesues ndaj procedurave demokratike, duke refuzuar gjithmonë deri debatet elektorale.
I tradhëtuar nga një regjim i rezultuar tejet i brishtë, do të manifestonte një skepticizëm total ndaj çdo sistemi (fakt i veçantë për një të stërvitur të funksionojë brenda një entiteti si KGB), duke parapëlqyer raporte besimi personal dhe duke i beuar besnikërisë së individëve më shumë sesa rregullave të barabarta për të gjithë. Për këtë, i dorëzoi menjëherë pasuritë e mëdha të vendit në dorën e sekretarëve tij të besuar petërsburgas, kolegëve të KGB dhe shokëve të palestrës së xhudos të tij; ashtu si në vitet e fundit ka nisur deri të emërojë truprojet e tij si guvernatorë rajonesh të mëdha sa një vend europian me përmasa të mesme. Duke mbajtur mend kolapsin e çdo sigurie, do të ishte një maniak i kontrollit, një i obsesionuar nga kaosi dhe, kush e njeh, thekson se kthesën finale drejt autoritarizmit e bëri duke shikuar shumë e shumë herë videon e vdekjes mizore të Muammar Gheddafi të masakruar nga turma. Njeriu që për 20 vjet ka mbajtur në xhep teserën e partisë komuniste dhe ka qenë pjesë e KGB të prirur ndaj kauzës së revolucionit proletar në të gjithë botën, qysh në fillim të karrierës së tij si president e quajti veten «konservator».
Nuk qe menjëherë e qartë sesa një rus mund ta përdorte këtë term në vetë verbimin e Europës, duke parë se në Moskë deri pak vite më parë quheshin të «majta» forcat antikomuniste liberale dhe të «djathtë» reaksionarët e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në vitet në vazhdim, Putini do të frymëzohej haptazi nga sovranët më reaksionarë të historisë ruse, Nikolla i I i triadës autokraci – ortodoksi – popull dhe Aleksandër i III i bindur se Rusia kishte «vetëm dy aleatë: ushtrinë dhe flotën». Do të citonte filozofët Nikolay Berdyaev («Ndjenja e konservatorizmit nuk është në pengimin e lëvizjes për lart dhe përpara, por lëvizjen prapa dhe për poshtë, errësirës kaotike, kthimit të gjendjes primordiale») dhe Ivan Ilyin, një monarkist nacionalist simpatizues i Hitlerit. Do të paraqitej si mbrojtës i «vlerave tradicionale» të harruara nga Europa e degraduar në «tolerancën aseksuale dhe shterpë» të saj (kryqëzatën kundër geive dhe bollëkut të ikonave e të shenjtorëve në estetikën e regjimit i janë vetëm shprehjet më të dukshme) dhe do t’i shpifej e do të terrorizohej nga kaosi revolucionar i shesheve si Maidani ukrainas.
Nuk i ka ngatërruar kurrë terminologjitë, e dinte se për çfarë fliste: Një Car nuk i promovion revolucionet, është ai që i ndalon ato. Qysh vite më parë politologu Vasily Zharkov kishte identifikuar tek Putini një ndjekës instinktiv të Thomas Hobbes: ashtu si filozofi anglez i kohës së Cromwell, ai ka mbetur aq i tronditur nga rënia e një regjimi sa të mësojë një herë e përgjithmonë se revolucionet janë e keqja supreme: «Shkatërrojnë shtetin, duke i zhytur popuj të tërë në anarki, varëfri dhe prapambetje. Për pasojë, nëse duam paqe e përparim, duhet ta ruajmë shtetin. Pastaj, se cili do të jetë ky shtet, një demokraci apo një regjim pushteti personal, është çështje dytësore. Nëse rezulton demokraci, shumë mirë. Nëse nuk ja arrin – në daç pse populli nuk është gati, në daç për motive të tjera – mjafton një pushtet i fortë, boll që të vendosë kontroll dhe deridiku rend». I kundërvënë nga Zharkov ndaj një Barack Obama që ashtu si John Locke është një revolucionar që e konsideronte lirinë si burim parësor përfitimesh për njerëzimin, vit pas viti Putini është bërë gjithnjë e më shumë mbështetës i vetëdijshëm i një modeli arkaik i luftës së të gjithë kundër të gjithëve dhe i një loje me shumatore zero në raportet midis subjekteve shtetërore dhe politikë. Kur John Kerry, sekretar Shteti në kohën e aneksionit të Krimesë, e akuzoi për një politikë të jashtme që «përdor kategori të Tetëqindës», ka mundësi që e ka marrë si kompliment.
Pa kompromis
I lindur mbi gërmadhat e një perandorie jo të aftë, projekti qeverisës i Putinit është krejtësisht mbrojtës: fjalët kryesore të 2000 si liri, mobilitet, barazi, likuiditet, rrjeti, multi dhe mikro janë të gjitha të urryera. Është një botë që ndjek autoritetin dhe qëndrueshmërinë, ku burrat janë burra dhe gratë janë gra, ku çdo gjë ka vendin e saj dhe i pari ka të drejtë edhe kur e ka gabim. Në Rusinë e Putinit psikologët e qeverisë fusin midis kritereve të krimit të propagandës gei nxitjen e bërë fëmijëve «që të mos tregojnë respekt ndaj prindërve». Jo rastësisht Putini përdori si një prej mantrave të para të mbretërimit tij tij «vertikalen e pushtetit». Është e ashtuquajtura «Kultura 2», e teorizuar nga Vladimir Paperny në punimin e tij të shkëlqyer Architecture in the age of Stalin, që duke u nisur nga arkitektura dhe duke u zgjeruar më pas në çdo sferë, nga gjuha tek gjeografia, përshkruan antagonizmin e përjetshëm rus midis «horizontalitetit» dhe «vertikalitetit», që i ofron secilit një vend në hierarki dhe mundësinë, në vogëlsinë e tij, të jetë maja e një piramide pushteti që ka nën vete fëmijë, punonjës, nxënës, klientë, në rastin më të keq macen.
Putini është frymëzuar drejtpërsëdrejti nga Nikolla i I kur i propozoi Europës një aleancë konservatore kundër kaosit të indivdualizmit liberal. Nuk është e rastësishme që një prej shprehjeve më të shpeshta të votuesve të tij është «me Putinin jemi të sigurtë», anipse shpesh kanë vështirësi të shpjegojnë se nga cilat kërcënime ndjehen të mbrojtur. Një konservator pastraumatik, një president i rastësishëm që bashkë me popullin e tij kërkon të amortizojë shokun e rënies së perandorisë: një mision që në duar të tjera do të mund të nënkuptonte edhe një tranzicion të pilotuar drejt një modeli europian. Nga i cili Putini patjetër ishte tërhequr, më së paku prej superioritetit të qartë të ofertës ekonomike e sociale dhe nga i cili – sërish në sintoni me elektoratin e tij – është ndjerë i refuzuar. Sepse më mirë është ndjerë i papajtueshëm, njëlloj si një softuer jo i përditësuar. Për politologun Stanislav Belkovsky, që pasi ka qenë për vite me radhë një prej spin doctor të Putinit tani investigon më shumë me metodat e psikanalizës sesa me ato të shkencave sociale, presidenti është viktimë e komplekseve të tij si fëmijë nga periferitë e Leningradit, një fëmijëri që vetë ai do ta kujtonte si të dominuar nga gopnik, gangot e lagjes.
Një botë ku cedimi ishte ekuivalent me shfaqje dobësie dhe frika barazohej me një shenjë respekti. Praktikisht, monedha e këmbimit nuk duket se ka qenë e ngulitur në kokën e Putinit. Çdo herë që është bërë fjalë për të zgjedhur midis dialogut dhe përdorimit të forcës, presidenti në dukje i ndrojtur dhe i përmbajtur ka zgjedhur të dytën. E bëri me Çeçeninë. E bëri në udhëkryqin vendimtar të 2003, kur në vend që të pranonte bashkëmenaxhimin e pushtetit me opozitën, oligarkët dhe rajonet, zgjodhi ta burgosë Mikhail Khodorkovsky, të ndalojë partitë liberale nga Duma dhe të ndalojë zgjedhjet e guvernatorëve. E bëri me disidentet e shesheve në 2012, duke refuzuar deri edhe t’i takojë. E bëri me Ukrainën që përzuri kandidatin e tij Viktor Yanukovich, një tjetër bir periferishë nënproletare sovjetike. E ka bërë sërish me Alexey Navalny, i trajtuar shumë më ashpër nga sa Berzhnjevi trajtoi Sakharovin. Kompromisi nuk është një instrument i përpunuar nga tradita autoritare ruse. Kush sfidon pushtetin, asgjësohet: si mësim për të tjerët, por sidomos për të shmangur shfaqjen e një dobësie që një dorë e fortë nuk mund ta durojë.
Liderët më të përçmuar nga rusët janë Gorbaçiovi dhe Jelcini, dy politikanë që nuk kanë futur kurrë në burg armiqtë e tyre dhe që e kanë lënë pushtetin pa luftuar. Diktatura, që shpesh magjeps si një mister i ndërlikuar, në realitet parapëlqen në mënyrë të pashmangshme zgjidhje të thjeshta, kundërvënie binare e skela të ngurta dhe delegim e ndarje janë dy fjalë që autokratët i urrejnë. Forca e e saj përfundon për t’u bërë kurthi i vetëvetes, siç e ka demonstruar pikërisht Alexey Navalny, duke luajtur mjeshtërisht me frikërat dhe automatizmat e autoritarizmit për t’u transformuar në hero dhe martir të regjimit. Revolucionet me ngjyra dhe pranverat arabe kanë qenë për Kremlinin një makth që mëson sesi edhe një protestë e çakorduar dhe dukshëm minoritare mund të shpërthejë papritmas në një sistem politik që nuk dëshiron të ndërmjetësojë dhe që është tejet i ngurtë sa për t’u epur; megjithatë përgjigja e vetme që një diktaturë arrin të ofrojë është ajo e rritjes gjithnjë e më shumë e represionit. Një rrugë që i ka çuar tashmë despotë arabë, aziatikë dhe latinoamerikanë në një rreth vicioz nga i cili vështirë dilet i gjallë. Kush lë valvola shfryrëse në media, parti gjysmëautonome dhe intelektualë disidentë me litar në qafë jeton më shumë dhe nganjëherë edhe vdes në shtratin e tij. Por ky është një mësim që nuk mësohej në Shkollën e Lartë të KGB.
Nga ARMIN TIRANA