Së shpejti në Amazon.com Barnes & Noble etj., kompanitë më të medha në botë dhe në SHBA, pritet të dalë online libri im i ri kushtuar Klerit Katolik Shqiptar. Vepra modeste, është fryt i një pune shumë vjeçare, qysh nga koha kur unë punoja si redaktor në revistën kulturore fetare popullore shkodrane “Kumbona e se Dielës”, themeluar nga Kardinal Mikel Koliqi në Arqipeshkvinë Metropolitane në Serreq, Shkodër, në vitet 1991-2002, së bashku me dy miqët e mi të paharruar imzot Zef Simoni Ipeshkev Ndihmës në Arqipeshkvinë Metropolitane dhe studiuesin e paharruar Kolec Çefa, të cilëve u kam kushtuar artikuj nderimi dhe respekti, në faqet e këtij libri. Libri ka 594 faqe dhe shumë foto me ngjyra, që botohen për herë të parë. Literatura e pasur e përdorur për hartimin e librit në fjalë, është në disa gjuhë të huaja dhe ka shumë fusnota dhe dokumente historike, që publikohen për herë të parë. Libri, është shtypur me standarte dhe cilësi bashkëkohore amerikane, për të cilën falënderoj nga zemra miqët e mi amerikanë nga New York-u dhe California. Gjej monentin, që një falenderim të veçantë vëllazëror nga zemra i bëj mikut tim të vjetër Martin Ndoja, për ndihmën e madhe të pakursyer, që më ka dhënë vazhdimisht.
* * *
Po çfarë në mënyrë të përmbledhur dhe esencialisht përmban libri ri?
Në “Nëpër faqet e historisë së klerit katolik”, ky libër thellohet në një mori këndvështrimesh, duke zbuluar Shën Nënë Terezën shqiptare; tregon se si Atë Gjergj Fishta o.f.m. ishte ungjill i ngrohtë atdhedashurie, sikurse edhe pse shqiptarët ishin mes Krishtërimit Perëndimor dhe Lindor. Këtu tregohet mbi zhvendosjen e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë (Zoja e Shkodrës) në Genazzano të Italisë; Historia e paharrueshme e Atë Anton Harapi O.F.M., martir i fesë dhe shqiptarizmës; Historia e personalitetit të shquar dom Anton Kcira së vogël, kalvari familjar si dhe kontributi i tij meshtarak 51-vjeçar; Arrestimi, hetuesia, pushkatimi, martirizimi dhe lumturimi i Abatit të fundit të Mirditës imzot Frano Gjinit; Mons. dr. Zef Oroshi si nxënësi i fundit i Kolegjës Saveriane në qytetin e Shkodrës; Pse amerikanët frymëzohen nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës; Një përkujtim i vonuar për mikun dhe studiuesin e kulturës dhe klerit katolik Kolec Çefën; Shkrimtari i shquar i traditës dhe shkollës geg të veriut të Shqipërisë imzot Zef Simoni Ipeshkëv; Jeta dhe një vështrim mbi librin me vjersha e poezi “Lule dhe gjak” të dom Gjergj Simonit; Dy intelektualë disident brilant shqiptaro-amerikanë: Prof. Arshi Pipa (Professor Emeritus) dhe mons. dr. Zef Oroshi; Një jetë i përgjuar në Dosjen e diktaturës komuniste kundër mons. dr. Zef Oroshit; Tetë parimet udhëheqëse të Shën Nënë Terezës në një libër të ri nga bashkautorët amerikanë Ruma Bose & Lou Faust: “Nënë Tereza CEO”; Një këndvështrim mbi studiuesin dhe publiçistin e shquar mons. dr. Lush Gjergji biografin më të shquar të Shën Nënë Terezës në 50-vjetorin e meshtarisë së tij; Një qiri drite në 121-vjetorin e lindjes së Kardinalit të parë shqiptar Shkëlqësia e Tij Mikel Koliqit si i pari në historinë e krishtërimit ndër shqiptarë; Shkrimet apo Parathëniet shkruar nga Ndriçim Mlika dhe Dr. Fran Luli, për librat e tjerë historik të autorit të këtij libri Klajd Kapinova, etj.
Eshte publikuar edhe në : AlbDreams.blogspot.com