110 VJETORI I KUVENDIT TË JUNIKUT NË PENDËN E NJË MALËSORI.

0
344

NGA NDUE  BACAJ

HYRJE:

110 Vite më parë, (21-25 maj 1912) në Junik të Gjakovës zhvilloi punimet Kuvendi i Junikut. Ky kuvend “lindi” si rezultat i nevojës historike të daljes zot të trojeve shqiptare, në një kohë që perandoria pushtuese rreth 450 vjeçare turke-osmane kishte marrë tatpjetën , por për interesa të saja ishte e gatshme të mohojnë të drejtën e trojeve shqiptare etnike për t’u bashkuar në një shtet autonom shqiptar. Kryengritjet kundër turke-osmane në këto vite kishin marrë një hov të paparë deri atëherë, nga veriu në jug ,  nga lindja në perendim. Trojet shqiptare të “paktën” nga viti 1908, 1910, 1911, 1912 i ngjanin një votre të madhe “zjarri” që ngrohte zemrat e shpirtin e patriotëve shqiptar, por edhe kërkonte të digjte pushtuesin shekullore turko-osman dhe ata fqinjë shoven, që ndonse kishin grabitur deri atëherë jo pak troje etnike shqiptare, (mjerisht  edhe me bekimin e Europës plakë dhe “heshtjen” e pushtuesit turko-osman), nuk kishin të ngopur. Në këto kushte, ende pa u tharë gjaku i kryengritjes kundër turke-osmane të Malësisë së Madhe e më gjërë të vitit 1911, si dhe dhe pa u tharë mirë boja e kuvendit të Greçëss (10-23 qershor 1911),  që “prodhoi” memorandumin” e autonomisë substanciale me 12 kerkesa, në Junik të Gjakovës do të mblidhej ai kuvend , që në histori njihet (me emrin e vendit ku u zhvillua) Kuvendi i Junikut. Kuvendi i Junikut ishte “pasardhës” i kuvendit të Greçes dhe pararendës i kuvendit të Vlorës të 28 nëntorit 1912 , që shpalli mvehtësinë e Shqipërisë nga perandoria turke-osmane.

KUVENDI  I JUNIKUT !

Përhapja e kryengritjes bëri të nevojshme bashkërendimin e forcave dhe krijimin e një qendre të vetme drejtuese. Për këtë qellim me  nismën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u mblodh me 21 maj 1912 në Junik të Gjakovës një kuvend i posaçëm.  Në Kuvend do të merrnin pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit, si dhe disa përfaqësues nga trevat e jugut të Shqipërisë. Disa nga emrat më të spikatur të kuvendit të Junikut ishin perveç Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit edhe Mahmut ZajmiBajram DaklaniZefi i VogëlPjetër ÇeliHalil MehmetiIdriz JahaHasan Ballanca, Salih Hoxhë Hidri etjerë patriot. Qeveria turke-osmane duke parë se kuvendi i thirrur i Junikut do të ishte një organizim e mobilizim i kryengritësve shqiptar, ajo me anën e ministrit të brendëshëm do të deklaronte  në parlament se ” kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”. Në kuvend moren pjesë edhe krerë turkomanë, që mbronin interesat e xhonturqëve , si dhe përkrahës të partisë turke “Hyrjet Itilaf” (Liri e Marrëveshje) që quheshin Itilafistë… Këta element turkomanë me përpjekjet e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit nuk  do të arrinin të pengonin e ndryshonin punimet e vendimet e  kuvendit të Junikut.  Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, për këtë  u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme. Vlenë të cilësohet se pati kundërshtime për programin politik të kryengritjes. Megjithatë, përkrahësit e autonomisë ia parashtruan atë Portës së lartë. Programi në përgjithësi përmbante kerkesa për autonominë e Shqipërisë.1.

MEMORANDUMI ME 12 KERKESAT , DREJTUAR QEVERISË OSMANE PËR T’I NJOHUR SHQIPËRISË TË DREJTAT E NJË PROVINCE AUTONOME.2.

1.Të njihet kombësia shqiptare edhe gjuha të jetë shqipja, duke patur atë të drejtë që ka edhe turçja.

2.Katolikëvet dhe ortodoksëvet t’u nderohen të drejtat fetare.

3.T’u epet e zotuar që kurrë të mos veprohet nga qeveria qëndrore edhe nga nënëpunsit me vepra kundra konstitucionit.

4.Të kenë liri të plotë për të zgjedhurit depytet e tyre,  pas shumicës së vendasve.

5.Të qeverisunit të jetë pas zakonit dhe dëshirës  të vendit.

6.Të zgjidhet valiu dhe nënëpunsit e lartë nga më të mirët edhe më shumë nga ata që dine gjuhen edhe zakonet e vendit.

7.Të dorëzohet (të caktohet) një përfaqësonjës i sulltanit , i cili të jetë guvernator i përgjithshmë  për të kontrolluar të mbushurit të momeve nga nënëpunësit.

8.Gjuha zyrtarishte të jetë shqipja edhe të perdoret edhe nëpër hyqametet (administratë).

9.Sherbimin ushtarak ta bëjnë gjithë shqiptarët po në kohë të paqës mos largohen nga kazatë e tyre.

10.Të ardhurat e Shqipërisë të prishen (shpenzohen) për vendin, perveç të postes, të duhanit, të pirave (pijeve alkolike) edhe ca si këto. Të tepruarit do të prishen për shkollë, udhë të hekurta, udhë qerre e të tjera gjëra të nevojshme.

11.Këshillat e vilajeteve të rregullojnë buxhetin duke mbajtur  llogari.

12.Nga të ardhurat  një shumicë të përdoret për të ndërtuar shtëpitë që janë prishur dhe djegur nga lufta. 3.  Është me vlera të cilësohet se edhe një memorandum tjetër, por me gjashtë kërkesa, shkruhet se është miratuar nga Kuvendi i Junikut , por ky memorandum nuk shënon datën  veçse maj 1912.  Memorandumi i është drejtuar qeverisë xhonturke dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkup me kërkesen për t’i njohur Shqipërisë të drejtat e provinces autonome. Memorandumi ndonse është me vetëm gjashtë kërkesa është më konçiz , dhe me vlera më të qarta autonomie, ndaj unë mendova që kërkesat e memorandumit t’i citoj si vijon:

1.T’i jepet Shqipërisë autonomi.

2.Në tërë Shqipërinë të ngrihet flamuri i Shqipërisë.

3.Gjeneral guvernatori i Shqipërisë të zgjidhet nga stërnipërit  e prensërve (princërve) shqiptarë.

4.Nëpunësit të cilët nuk janë shqiptarë të nxirren nga buka (nga puna) dhe të këmbehen me shqiptarë.

5.Gjuha zyrtare të jetë shqipja me shkrimin kombiar (kombëtar).

6.Mbarimi i këtyre kërkimeve të sigurohet prej Fuqive të Mëdha.4.

Nga kuvendi i Junikut u drejtua edhe thirrja për kryengritje të armatosur, thirrje që u nënshkrua nga Mahmut ZajmiBajram DaklaniZefi i VogëlPjetër ÇeliHalil MehmetiIdriz JahaHasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani (i cili ka qënë edhe pjesmarrës në kuvendin e Greçës 1911 si perfaqësues i Ismail Qemalit). Me vendimet e Junikut do të bashkohej edhe Riza bej Kryeziu, ndërsa misioni “i paqes” i dërguar në Junik nga mytesarifi i Pejës nuk arriti t’i bindte pjesëmarrësit e Kuvendit të hiqnin dorë nga kryengritja e armatosur….

KUVENDI I JUNIKUT DHE PËRHAPJA E KRYENGRITJES KUNDËR TURKE-OSMANE.

Kuvendi i Junikut me vendimet e tij , si dhe thirrjen për kryengritje të armatosur ndikoi fuqishëm në përhapjen e kryengritjes në trojet shqiptare, ku thirrjes iu përgjigjen mijëra luftëtarë. E ndodhur përballë një kryengritje më të fuqishme dhe më të organizuar , qeveria xhonturke mori masa dhe dërgoi në Kosovë forca të  mëdha ushtarake nën drejtimin e Fadil Pashës. Në fund të muajit maj dhe gjatë qershorit (1912) , kryengritësit të udhëhequr nga Hasan Prishtina , Bajram Curri , Isa Boletini , Idriz Seferi , Islam Spahiu etjerë zhvilluan veprime luftarake në të gjithë Kosovën , në Lumë e në Tetovë.  Luftime të ashpra pati sidomos në Qafën e Prushit (në jugperendim të Gjakovës), ku kryengritësit e komanduar nga Bajram Curri sulmuan dhe shpartalluan forcat turke-osmane që ishin përqendruar aty, si dhe tek Ura e Sinicës (afër Mitrovicës), ku kryengritësit shpartalluan dy batalione ushtarësh . Si rezultat i kësaj lufte të kryengritësve shqiptarë operacioni i ndërmarrë nga forcat e shumta të Fadil Pashës dështoi. Veprime  luftarake zhvilluan gjithashtu kryengritësit e udhëhequr nga Gjeto Coku , Zef Arapi etjerë në zonen e Lezhës, Mirditë, Bregu i Matës dhe ata të zonës Tiranë-Shijak-Krujë të udhëhequr nga Abdi Toptani. Në Shqipërinë e Jugut u formuan çeta të udhëhequra nga Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Sali Butka, Muharrem Rushiti etjerë. Në muajin korrik kryengritja ishte shtrirë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, që nga Mitrovica e deri në Çamëri në jug. Forcat kryengritëse çliruan qytete e krahina të tjera , sidomos në treven e Kosovës. Repartet ushtarake turke-osmane në Shqipëri u paralizuan. Ngjarjet e Shqipërisë e detyruan qeverinë xhonturke të jepte dorheqjen me 17 korrik 1912…. Me 22 korrik u formua qeveria nga kundërshtarët politik të xhonturqëve e kryesuar nga Ahmet Myftar Pasha, që ndërpreu veprimet ushtarake në Shqipëri, dhe vendosi të hynte në bisedime me kryengritësit… Bisedimet u nderprenë pasi perfaqësuesit e qeverisë nuk i pranuan kërkesat për autonomi të paraqitura nga Hasan Prishtina. Në këto kushte kryengritësit vazhduan luftën pë çlirimin e trojeve shqiptare. Vlenë të shënohet se me 12 gusht 1912, kryengritësit çliruan Shkupin. Çlirimi i Shkupit , qëndres të vilajetit të Kosovës përbënte një fitore të rëndësishme dhe pati jehonë në mbarë vendin. Veprime luftarake u zhvilluan edhe në krahina të tjera dhe kryengritësit çliruan Peshkopinë, , Fierin, Përmetin, Leskovikun dhe Erseken… Në fillim të gushtit kur kryengritja kishte arritur kulmin , Mali i Zi bëri disa provokacione të armatosura në fshatrat kufitarë në drejtim të Shkodrës e Pejës…5.

Megjithse kryengritja e këtyre muajve perfundoi pa i arritur objektivat e caktuara , ajo pergatiti truallin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912. Nëse kryengritjet kundër turke-osmane të filluar nga Malësia e Madhe në 1911 e vijuar pas kuvendit të Junikut, por edhe memorandumet (e Greçës e Junikut) ishin pararëndëse “e platëformës” të programit politik të shpalljes së pavarësisë. Ndaj keto kuvende dhe protagonistët e tyre duhen  perkujtuar,  nderuar e vlerësua në perjëtsi, sepse kështu kujtojmë, nderojmë e vlersojmë historinë tonë, gjakun e sakrificat e të pareve tanë, që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për trojet etnike shqiptare edhe pse sot të ndara, por me shpresa se të bashkuar do të jenë “mot”…

REFERENCAT:

1.Historia e Popullit Shqiptar për shkollat e mesme, fq.130, redaktor përgjegjës Hysni Myzyri, Sh.b.e librit shkollor, Tiranë 1994.

2.Memorandumi në përmbajtje është i ngjashëm me atë të miratuar në  Greçë (të Malësisë së Madhe) me 23 qershor 1911… Gazeta “Koha” që e boton thotë se e ka marrë nga gazeta “Neue Freie Pressë” e Vjenës…(Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912 (memorandum, vendime, protesta, thirrje) Akademia e Shkencave  e Shqipërisë, Instituti i Historisë, pergatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë 1978, fq.234-235. 

3.Kërkesat janë botuar në gazetën “Koha” , Korçë 27 qershor / 10 korrik 1912.- Po aty, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912. 

4.Memorandumi është botuar në gazetat “Liri e Shqipërisë”, Sofje me 31 maj dhe 2 qershor 1912, gazeta “Dielli” Boston me 13 qershor (1912) , “La Nazione Albaneze “, Pallagorio (Catanzaro) me 31 maj (1912) në Italisht. Gazeta “Liri e Shqipërisë në botimin e dytë thotë se memorandumi është nënshkruar edhe nga Ismail Qemali. Këtë e shkruan edhe gazeta “Dielli” i Bostonit (SHBA) , që thotë se e ka marrë nga gazeta “Times” e Londres… Po aty, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, fq.240. 

5.Historia e Popullit Shqiptar, po aty, fq.130-132.

Malësi e Madhe me 25 maj 2022.