110 VJETORI I KONFERENCËS SË AMBASADORËVE QË NDAU TOKAT E SHQIPNISË PËR ME KNAQË “KLYSHËT” E RUSISË! (29 korrik 1913 -29 korrik-2023)

0
192

NGA NDUE  BACAJ

HYRJE

110 Vite më parë, me 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha europiane, nënshkruam vendimet famëkëqia të konferencës të amasadorëve në Londër, vendime që lanë jashtë shtetit Shqiptar të pavarur, (të njohur prej tyre), më shumë se gjysmën e trojeve etnike me popullsinë e tyre autoktone Iliro-Shqiptare, dhe këto troje etnike shqiptare ua bënë “dhuratë” fqinjëve shoven serb, malazez e grek. Për ironi të fatit kjo konferenc u quajt edhe si konferencë e paqës të Londonit… Ndërsa ministri (ambasadori-N.B.) amerikan në Greqi vendimet e kësaj konference do t’i quante (me ironi): “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absulutisht e papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.1. 

NË PRAG TË KONFERENCËS:

Më pak se një muaj nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (me 28 nëntor 1912), nga patriotë shqiptar me në krye Ismail Qemali, gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia  do të mblidheshin me 17 dhjetor 1912 në Londër në Konferencen  e ambasadorëve. Gjithashtu Shqipëtarët me shpalljen e Pavarësisë  kishin formuar edhe qeverinë e tyre me Ismail Qemalin-Kryetar, Nikollë Kaçorrin -Nënkryetar dhe ministra; Myfit Libohoven-minister i Punëve të Jashtme, Mehmet Pash Dërallen- ninistër i Luftës, Pjetër Pogën-ministër të Drejtësisë, Luigj Gurakuqin-ministër të Arsimit, Abdi Toptanin-ninistër të Financave, Pandeli Calen-ministër të Bujqësisë dhe Lef Nosin-ministër të PostTelegrafëve. Në kohen kur mblidhej kjo konferencë, trojet shqiptare ishin sulmuar nga tre fqinjët e saj shoven: Në verilindje e veri nga Mali i Zi e Serbia dhe në jug nga Greqia. Me gjithë qëndresen e shqiptarëve në mbrojtjen të trojeve të tyre etnike, keto tre ushtri shovene, kishin arritur të pushtonin jo pak troje shqiptare që nga Malësia e Madhe Rrethinat e Shkodrës, Kosovën, Shqiperinë “Lindore”, ose Iliriden antike, e deri në Durrës e më gjërë. Ndërsa në Jug të Shqiperisë Etnike, Greqia kishte arritur të pushtonte jo pak nga i ashtuquajturi Epiri i Veriut. (Bënin përjashtim, Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë).2.  Pra e gjithë pjesa europiane nën Turqi (që shumica ishin troje etnike shqiptare N.B.), tani ishte në mëshirën e aleatëve ballkanik. I gjithë teritori tashma ose ishte i pushtuar ose do të pushtohej gjatë kohës së lirë. Vetëm në tri pika të izoluara fuqia osmane mbeti e panënshtruar. Qyteti i Adrianopojës i rrethuar nga bullgarët, dhe kështjellat e mëdha të Shkodrës në Shqipërinë e Veriut dhe ajo e Janinës, në Epir, mbeten në duar dhe kontrollin e garnizoneve të tyre turke…3.  Me këto pushtime trojesh etnike shqiptare, këta fqinjë shoven të mbështetur nga Rusia, (por edhe Franca), kërkonin të vënin  para faktit të kryer faktorin ndërkombëtar… Fqinjët sulmin mbi trojet shqiptare kërkonin ta paraqitnin para Europës si luftë kundër perandorisë Turke-Osmane, në “kuadrin” e luftës Ballkanike, ku qeveria turke do të pranonte se nuk kishte ma fuqi me rezistua dhe për rrellojë armëpushimi ishte nënshkrue me 3 dhjetor 1912. Madje shtetet ballkanike shpallen në mënyrë të preme se të gjitha tokat e perandorisë Otomane në gadishull u takonin atyre, mbasi kishin dalë fitues kundër Turqisë. Ata nuk donin të dinin kush ishte kombi shqiptar, i cili duhej të gëzonte pavarësinë në emër të parimit të kombësive… Shtypi grek e shfaqi këtë pikpamje në mënyrë më brutale duke shtuar: ”Asht nji gja e pamundur me lejua shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarun në djepin e qytetrimit grek”…. Mali i Zi donte me shti në dorë jo vetëm  Gusinë, Plavën, Hotin dhe Grudën, që nuk i mori dot me 1878, por edhe Shkodrën me rrethina e më tej… Serbët nuk ishin të kënaqun me marrë Kosovën, por donin me u shtri deri në Durrës për me pasë një skelë detare… Greqisë iu shtua oreksi mbas suksesit të ushtrisë së saj. Prandaj këtë herë donte të mos mjaftohej me Shqipërinë e “Jugut”, ose Epirin e Veriut , sikur u “pagëzua” prej propogandës greke, por qeveria e Athinës kërkoi me shtua edhe Vlorën me tokat e saj. Për të justifikua këtë ambicie të re tokësore, qeveria e Athinës e “ndau” Epirin në dy pjesë prej jugu  në veri. Tokat në mes të kufinit të Greqisë dhe lumit Kalamas , që ishin bërë objekt i pazardheqeve diplomatike në Kongresin e Berlinit, u proklamuan si Epiri i jugut deri në Vlorë….4. 

KONFERENCA:

Megjithse konferenca kishte filluar më heret, zyrtarisht ajo njihet se filloi me 17 dhjetor 1912. Konferenca ishte thirrur nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Austro-Hungaria që  përfaqësohej nga ambasadori Count Albert von Mensdorff (1861–1945),  Gjermania që përfaqësohej nga ambasadori Karl Max, Princ Lichnowsky, 8 mars 1860 – 27 shkurt 1928),  Italia që përfaqësohej nga ambasadori Guglielmo Imperiali di Francavilla, (1858-1944),  Franca që përfaqësohej nga ambasadori  Pierre Paul Cambon, (1843 – 1924),  Rusia që përfaqësohej nga diplomati Alexander Konstantinovich Benckendorff, (1849 –1917). Ndersa Britania (apo më sakt Anglia si vend “organizator”) përfaqësohej nga ministri i jashtëm i saj Edward Grey, (1862 – 1933), i cili ishte edhe bashkërenduesi i punimeve të Konferencës së Londrës….5.  (Konferenca e Londrës u ndoq edhe nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshi Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim).  Konferenca fillimisht nuk njohu një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri “autonome” dhe asnjanëse, njëherazi ndodhej nën sovranitetin e sulltanit dhe “gëzonte” garancinë e tyre persa i përkiste statusit të saj… 6. Konferenca ishte ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.7. Ndonse gjashtë fuqitë e  Mëdha europiane kishin hartuar projektin për një Shqipëri autonome, kur u paraqitën në Konferencë  në maj 1913, amabasadorët e tyre u shprehen për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Ky qendrim i ri ndaj Shqipërisë ishte i lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan. Ps marrjes së Janinës nga forcat greke dhe të Shkodrës nga ato malazeze. Vjena e Roma e panë se sundimi osman nuk mud të mbahej më në Shqipëri, dhe nuk kishin interesë që të vazhdonte sovraniteti i sulltanit mbi Shqipërinë. Prandaj Austro-Hungaria dhe Italia  paraqitën një projekt të ri….8.  Në konferencën e ambasadorëve kishte pasur një luftë të ashpër diplomatike për kufijët e Shqipërisë, sidomos ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Diskutimi ishte përqendrua në dy projekt-harta të Shqipërisë të paraqitura nga Austro-Hungaria dhe Rusia. Projekt-harta e Austro-Hungarisë përfshinte një pjesë të mire të trojeve shqiptare, ndër të cilat edhe Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Dobrën, Ohrin etjerë…. Ndërsa projekti rus parashikonte një coptim të madh të tokave shqiptare. Sipas tij vija kufitare në veri dhe në lindje të Shqipërisë do të ishin lumi i Drinit dhe Drini i Zi , kurse në jug linte jashtë Shqipërisë Korçën, Gjirokastren, Delvinen, Saranden , Çamërinë etjerë. Në fillim u shqyrtua kufiri verior dhe verilindor, më në fund me 22 mars 1913, Konferenca e  Ambasadorëve do të projektonte të coptonte rëndë trojet shqiptare duke shkëputur nga Shqipëria gjithë Kosoven dhe vise të tjera shqiptare, si Tetoven, Dibren, Gostivarin, Kërçoven, Strugen etjerë, të cilat duhet të kalonin nga zgjedha osmane në zgjedhen e re serbe-malazeze….9.  Për vendimet famëkëqia dhe të padrejta nga Fuqitë e Medha shkruan edhe një historian amerikan ,(Edwin Jacques),  të cilin mendova t’a citoj: Pas muajsh debate e kompromisi , në mars 1913 të gjashtë ambasadorët dhanë një zgjidhje të palogjikshme. Në bazë të saj, krahinat veriore të Hotit (Traboinit N.B.), Grudës dhe një pjesë e madhe e “Kelmendit” u shkëputën nga grupi i pesë bajrakëve , ku bënin pjesë edhe aleatët e tyre Kastrati e Shkreli , dhe së bashku me Plaven e Gusinë iu dhanë Malit të Zi. Në verilindje , Serbisë i dhanë të gjithë vilajetin e Kosovës , ku përfshiheshin Shkupi, Ipeku, Gjakova dhe Prizreni,- qytetet aq të shenjta për Rilindjen Kombëtare, të populluar nga një milion shqiptarë dhe nga fare pak sllav…. Gjithashtu edhe krahinat shqiptare lindore të Dibrës, Ohrit e Manastirit i kaluan Serbisë. Në jug, grekët ngulën këmbë që popullsia e “Vorioepirit”, me që kishte besim ortodoks grek, ishte rrjedhimisht me kombësi greke….. Pavarësisht  se vendimet e Konferencës të Ambasadorëve u nënshkruan me 29 korrik (1913), ambasadorët vijuan kompromiset e mëtejshme në dëm të trojeve etnike shqiptare… Nga thirrjet e shqiptarëve të Jugut dhe të bashkatdhetarëve të tyre të merguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 11 gusht 1913, u arritë një zgjidhje kompromisi. Greqisë i dhanë një pjesë të madhe të Shqipërisë jugore, ku përfshihej krahina e Çamrisë, e populluar kryesisht nga musliman shqiptar, si dhe vet Janina, kryeqyteti tradicional i Shqipërisë së Jugut.10.  Ata e njohen Shqipërinë si një shtet sovran, tërsisht të pavarur nga perandoria osmane. Mirpo, ajo u vendos të qeverisej nga një princ i zgjedhur nga vetë Fuqitë e Mëdha, gjithashtu u caktua një “Komision Kontrolli Ndërkombëtar për Shqipërinë”, i përbërë nga një përfaqësues nga të gjashtë fuqitë dhe nga një shqiptar. Ky komision do të mbikqyrte organizimin e qeverisë shqiptare , të financave dhe të administrates për një periullë dhjetvjeçare. Oficerët holondezë u ngarkuan me organizimin e xhandarmërisë. Ndonse një gjë e tillë cenonte pavarësinë e Shqipërisë , kjo përkrahje ndërkombëtare për shtetin e ri , të rrethuar nga lakmitarë , ishte ndoshta garancia më e mirë pë mbijetesën e Shqipërisë.11.  Siç e cilësova në hyrje të kësaj kumtese, ministri (ambasadori) amerikan në Greqi e quajti këtë plan “një mrekulli të paaftësisë”, “një skemë absulutisht e papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”. 12.  (Ambasador i SHBA-së në Greqi  në vitet 1912-13 ishte Jacob Gould Schurman…).13.  Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca ishte  mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballaknikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike14.  Në vijim të zbatimit të vendimeve të Konferencës të Ambasadorëve u caktua edhe përbërja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Shqipërisë.  Ndërkohë Ismail Qemali  insiston që Shqipëria të ketë delegatin e saj në këtë komision. Komisioni ndërkombëtar përbëhej: Nga Dr.Vinkel- i dërguari i Gjermanisë,  Petroviç- i dërguari i Austro-Hungarisë, Krajevski- i dërguari i Francës, Lemb- i dërguari i Britanisë së Madhe, Leoni- i dërguari i Italisë dhe Petrijev- i dërguari i Rusisë…15.  Kur Komision Ndërkombëtar për Kufijët, (i ngritur  në gusht 1913), do të verifikonte në vend popullsinë dhe do të pëcaktonte me “saktësi” kufijtë, në jug puna e tyre u nderlikua pa masë nga ideja e marrë e grekëve se njerëzit me fe ortodokse ishin grekë. Sevasti Qiriazi Daka njoftonte se atë tetor , kur antarët e Komisionit shkuan nga Korça në Msnastir , ajo u takua me një të njohur, zotin  Beleinski, një përfaqësues austriak , që t’a informonte për strategjinë greke që synonte ta paraqiste popullsinë korçare si greke. Pas demostratave  të zjarrta , të frymëzuar nga grekët, z.Belinski u propozoi kolegëve të tij të bënin një shetitje në qytet. Kur hynë në oborrin e shkollës greke , ai holli në mes të fëmijëve një grusht me monedha. Ata u hollen që t’i kapnin dhe nga hutimi , harruan greqishten dhe folën shqip, në gjuhën e nënës. Kjo ishte e mjaftueshme për të bindur Komisionin…16. 

QEVERIA E VLORËS DHE KONFERENCA E LONDRES    

Qeveria shqiptare me rezidencë në Vlorë ku ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë me 28 nëntor 1912, që në fillim të konferencës të Londres ishte perpjekur që kerkesat e saja për njohjen e një Shqipërie të pavarur të njiheshin dhe merreshin në konsideratë nga fuqitë e Mëdha Europiane, të mbledhura në Londër “zyrtarisht” që me 17 dhjetor 1912. Një raport i datës 27 dhjetor 1912, nr.258 i MPJ në Vjenë,  dërguar MPJ në Romë, bënë fjalë për delegacionin shqiptar që do të nisej  për të dorzuar memorandumin në Londër. Raporti është një njoftim konfidencial, nga ku  “mësojmë” se simbas autorizimit të Ismail Qemal Beut do të nisen këto ditë në Londër katër nga paria shqiptare që ndodhen në Europë, për t’i dorzuar Eduad Greit dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha një memorandum përmbledhës të dëshirave të shqiptarëve. Emrat e të këtër delegatëve janë: Rasih bej Dino, Sotir Kolea, (nisen) prej Egjipti, Mehmed bej Konica dhe Filip Noga të cilët po udhëtojnë sot prej Vjene për në Londër me anë të Parisit. Delegacioni u paraqitë në këtë ministri (në Vjenë N.B.) dhe me këtë rast u inkurajuan në qellimin e tyre që në memorandumin e caktuar për të paraqitur, të theksojnë veçanarisht dëshirën unanime të të gjithë shqiptarëve për të ruajtur sa më tepër integritetin tokësor të vendit tyre. Kurse, nga ana tjetër, përsa i përket relacionit të Shqipërisë me Turqinë, organizimit të brendshëm të vendit, zgjedhjes të kryetarit të shtetit dhe çeshtjeve të tjera të papasqyruara ende, të cilat do të shkaktonin mosmarrveshje midis shqiptarëve, iu rekomandua atyre që të mbajnë një fare rezerve.17.  Ndërsa  dokumenti nr.265, i datës 2 janar  1913 jep të plotë memorandumin e qeverisë së Vlorës paraqitur sër Eduard Greit , ku ndër të tjera mendova të citoj: “Të nënshkruamit e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kanë nderin  t’i paraqesin mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikpamjen shqiptare për të njohur kerkesat ligjore të Shqipërisë. Është fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm të gadishullit Ballkanik. Raca e gjuha e tij, zakoni e karakteri i tij e shquajnë kryekput nga kombet e tjera që e qarkojnë dhe ia japin atij tamam këtë individualitet, për hirë të cilit ai ka ditur t’u bëjë ballë të tëra përpjekjeve të asimilimit…. Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e perendimit…. Shqipëria është plotësisht e vendosur të bëhet një element ekuilibri e paqeje në gadishullin e Ballkanit. Por për të përmbushur këtë detyrë nevoitet homogjeniteti i tij kombëtar…. Sot zgjidhja përfundimtare e problemit ballkanik ngrihet me forcë, populli shqiptar nuk do të duroj që të drejtat e tij të jenë pjesërisht të sakrifikuara e që e ardhmja e pavarësisë së tij të jetë ndërtuar mbi baza pak të qëndrueshme…. Pra nuk mund të vendoset paqja e plotë në gadishull derisa kufijët që janë njohur çdo etniteti politik s’do të jenë bazuar në vijat kufitare  gjeografike e etnografike të çdo shteti. Fara e grindjes dhe turbullimit do të mbetet gjithmonë e gjallë  kur të vihen nën një pushtim të huej toka të banuara me shumicë ose krejtësht prej popullsisë shqiptare…. Kufijët që kërkojmë ne janë këta: duke ndjekur një vijë demarkacioni, nisur nga kufijët e sotëm të mretërisë malazeze që përfshijnë veçanarisht, me gjithë hiderlandet përkatëse, qytete e Pejës, Mitrovicës,, Prishtinës, të Shkupit e të Manastirit deri në Meçovë, duke u shtuar këtyre kufijjve , kufijët e sotëm deri në Prevezë….”.  Memorandumi u paraqitur nga delegatët shqiptar Rasih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.18.  Qeveria e Vlorë me në krye Ismail Qemalin ka edhe mjaftë  telegrame e komunikime të vazhdueshme me faktor të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar dhe autoritetet e prefekturave shqiptare nga jugu në veri dhe nga perendimi në Lindje, të cilat i njoftonte për situaten dhe vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër, si dhe pergatitjet që duhen bërë pë çdo situate. Gjithashtu edhe autoritetet e Prefektuarave njoftonin për çdo situat të krijuar në prefekturat e tyre, si dhe gatishmerinë pë t’iu përgjigjë detyrave që do t’u ngarkonte qeveria… Letrat, telegramet dhe komunikimet e derguara nga qeveria e Vlorës me në krye Ismail Qemalin, autoriteteve të prefekturave dhe autoriteteve të huaja e anasjelltas janë të shumta dhe gjinden të shkruara në Permbledhje dokumentesh të Ismail Qemalit që citova më sipër. Unë nga këto mendova të kujtoja vetëm atë të datës 10 tetor 1913, ku ndër të tjera citoj: “Duke mos mundur të durojmë më mizoritë serbe e malazeze , që po vazhdojnë pre 10 muajsh e këtej, dhe si një pasojë e natyrshme e atyre mizorive, populli i Gjakovës rroku armët. Në Letren që i dëgohet Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë, njoftohet se edhe Bajram Curri me luftëtarët e tij kanë rrokur armët, gjithashtu thuhet se nga qeveria presin të holla dhe armë etjerë…19. Mora “thjeshtë” shembullin e Gjakovës, por qëndresa dhe lufta mbrojtëse e trojeve etnike Shqiptare ishte prezente nga veriu ne jug  dhe nga Lindja në perendim.20.   Fatkeqësisht në ata kohë shqiptarët thuajse ishin vetëm dhe me një Europë thuajse kundra në luftën e qëndresen e tyre të drejtë ndaj shoveneve grabitqar serbo-malazez e grekë, e si rezultat nuk munden të ndalin projektin e grabitjes të trojeve shqiptare nga fqinjët, sipas vendimeve të nënshkruara nga Konferenca e Ambasadorëve. (Vlen të shënohet se Qeveria e Vlorës gjatë kësaj kohe kishte komunikime edhe me faktor shqiptar me në krye Esat Pashën, që në vend  të “luanin” për interesat e Shqipërisë, “luanin” për interesat e veta , apo të ndonjë vendi të huaj). Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës mori vendimet e padrejta e antishqiptare, ku brenda kufijve, të shtetit shqiptar u përfshi vetëm afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë (rreth 28 mijë km2 me një popullsi prej 740 mijë banorë), kurse gjysma tjetër mbeti jasht kufijve shtetrore duke u shkëputur në mënyrë arbitrare nga trungu i atdheut. Populli shqiptar dhe qeveria kombëtare e Vlorës, që kishin ndjekur me vëmendje e shpresa punimet e Konferencës së Amabasadorëve, pritën me zemrim të thellë vendimet e saj për coptimin e rëndë të Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan me to dhe aty ku pati mundësi, si në Vlorë, në Shkodër  e qytete të tjera si dhe në kolonitë shqiptare të mergimit u organizuan mitingje e manifestime proteste. Që në pranveren e vitit 1913, vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin ndërmoren një udhëtim në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër për të njohur të drejtat e popullit shqiptar…21.

NË VEND TË NJË EPILOGU 

Në ato kohë ishte “hapur fjala” se shqiptarët Europa nuk i don në një shtetet etnik të bashkuar shqiptar, pasi janë me shumicë të besimit musliman,  patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta për këtë do të pergjigjej me fjalët  “lapidare”: “Po thonë se Europa nuk na don shtet, pasi shqiptarët janë shumicë muslimanë , atëherë nëse është kështu ne kristianët shqiptarë do të shkrimë kryqet tona për t’i bërë plumba për të mbrojtur vëllezërit tanë Musliman”. Për vendimet e padrejta të Europës, për ndarjen e trojeve shqiptare në favor të fqinjëve shoven,  At Gjergj Fishta do të “shfrynte” dufin e tij kunder Eurropës plakë edhe me poezinë kushtrim me titull: Sugrite Mortui! (Çohi të Dekun), nga e cila citoj:

“Shqiptarë , a ndiet ! Europa e mrrutë e ndytë ,                                                              

Shkerdhye me Evrej  t’Parisit  e  t’Londonit ,

(Së ciles dreqi  ja plasi dy sytë

E marren se sheh njitash  n’e s’vonit )

E bani gjyq që t’nipat e Kastriotit ,

Shkjeve t’Ballakanit  urë  t’rrijnë mbas sodit ,

Po, për Shqiptarë pleqnua e ka Europa,

Që si njatyne  urë t’u rrin për dhê ,

Të cilet kishat  rrenua ua kanë me topa ,

E n’djep foshnjat e njoma ua kan pre:

Që t’ndertat vasha ua kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekë uni….

…………………………………………….

E mbas sodit Shqyptarët n’gjuhë të huej do t’flasin;

E gjaksvet t’vet do u bajnë kta  t’u ngjatët jeta?….

Ktu, ktu shqiptar… a ndiet?… Ku u kam?… Ku jeni?

Mo’ lëni burra… M’armë… Mbaroi Kosova…

Janina humbi… e ndoshta Tepeleni…

Shkoi Manastiri, Dibra dhe Gjakova…

Vendet ma t’mira ne n’a i mori  shkjau,

E çka asht ma zi, ne vlla me vlla na dau….22. 

Padrejtësinë që iu bë trojeve etnike shqiptare nga Konferenca e Londres e pranon edhe njeri nga autorët kryesor të konferencës, Ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Eduard Grey, i cili  mbas konferencës në një fjalim të hapur e cinik në parlamentin britanik, ndër të tjera do të deklaronte: “Ne e dimë se, pas ca kohësh , fëmijët tanë do t’a shohin të gjithë këtë si një padrejtësi të madhe. Do të çuditën që toka të banuara kryesisht prej shqiptarësh ose krejtësisht prej shqiptarësh i janë dhënë fqinjëve të tyre. Kjo është e padrejtë, por ata do t’a kuptojnë se ekuilibri i Fuqive të Mëdha nuk mund të prishej për një vend të quajtur Shqipëri”.23.  Fatkeqsisht këto padrejtësi që n’a  bëri Europa e vjetër ne shqiptarëve dhe trojeve tona etnike, ende nuk janë në rrugën e zgjidhjes edhe sot pas 110 viteve nga Konferenca e Ambasadorëve, edhe pse Europa e “re” (BE) ka në themel bashkimin e jo ndarjen….

 

REFERENCAT:

1.Serge  Metais ,HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.   

2.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.224-226, botim i dytë-PHOENIX, 1998.

3.Jakob Gould Schurman, Luftrat Ballakanike 1912-1913, fq.60, Sh.B.”Jakup Ceraja”, Prishtinë 2022.

4.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.224-226, botim i dytë-PHOENIX, 1998.

5.http://www.focus24.info/2018/08/02/konferenca-e-londres-1912-ndarja-e-tokave-shqiptare-pse/.

6.Serge  Metais, HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272.

7.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londr%C3%ABs_(1912%E2%80%931913. 

8.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.140, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994. 

9.Histori e Popullit Shqiptar,po aty…fq.138-139.

10.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.374-375, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995.  Megjithatë, konferenca e kishte shpallë vendimin përfundimtar me 29 korrik 1913.

11.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.373-374, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995, + Serge  Metais, HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

12.Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE, po aty, Fq.272.  

13.Ambasador i SHBA-së në Greqi (Athinë) në vitet 1912-13 ishte Jacob Gould Schurman (1854-1942), padagog dhe diplomat amerikan me origjinë kanadeze, autor i librit Luftrat Ballkanike 1912-1913, libër i publikuar për herë të parë në vitin 1914 dhe ripublikuar edhe në Prishtinë 2022.

14.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londr%C3%ABs_(1912%E2%80%931913.

15.Më hollësisht  shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.333-334.

16.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.373-374, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995, + Serge  Metais, HISTORI E SHQIPTARVE  nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

17.ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, perg. Nga Teuta Hoxha , fq.277, Tiranë 1982.

18.Më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.282-285.

19.AQSH IRSH F.245, D.53, f.26, orgjinali osmanisht,  më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.331-332.

20.Gjatë kësaj lufte e qëndrese masakrat serbo-malazeze, mbi popullsinë autoktone shqiptare janë të dokumentuara gjërësisht në librin GOLGOTA SHQIPTRE 1912-1913, akuza kundër shfarosësve të popullit shqiptar, me autor publicistin hebre që jetonte në Vjenë, Leo Freundlich (1875-1953), libri u botua për here të parë në Vjenë me 1913, dhe është ribotuar edhe në Prishtinë në vitin 2022.

21.Histori e Popullit Shqiptar…, po aty, fq.140.

22.At Gjergj Fishta, MRIZI I ZANAVE, fq.43-45, botim XI, botime Françeskane, Shkodër 2019.

23.https://albemigrant 2011, wordpres.com 2017/11/26/rrethimi -i- Shkodrës-në-vitin-1913-nga-malazezët-çlirimi-dhe-pavarësia).

VOO:Fotot marrë nga https://www.google.com….

 

Malësi e Madhe, me 29 korrik 2023.