
Konceptimi është mjaft i gjerë dhe i duhet këtij brezi të sotëm për të njohur këtë nocion kaq shumë të përdorur gjatë 50 vjetëve, ku dhe kur lindën organizatat bazë të partisë në botën Bolshevike të Leninit është tjetër çështje e trajtimit, që ka të bëjë me Revolucionin e Tetorit. Në Shqipëri ato lindën si prejardhje nga grupet komuniste, pastaj të organizuara në celula partie gjatë luftës antifashiste dhe pas çlirimit funksionuan deri në vitin 1990. Një gjë dihet mirë që në këto organizata bazë nisi jetën në rrënjët e saj simbioza ekzekutive e dhunës, ku vendosej fati i pushtetit. Njëkohësisht u bë tmerr fjala: “Do ta shohim këtë punë a qëndrim në organizatën bazë të partisë”. Përcaktuese ishte paragjykimi për secilin njeri që servirej në organizatën bazë siç duhej të ishte dhe jo siç ishte realisht. Gjëra të thjeshta në dukje, por që bënë të dridheshin e tërë jeta shoqërore jonë. Rrëfimet në kishë a faljet në xhami nuk ishin gjë përpara organizatës bazë. Për vëllanë, babain, po se po, që duhesh rrëfyer ndërsa për farë e fisin as që bëhej fjalë për të mbajtur sekrete, sidomos në biografi. Jemi një popull që u dashuruam mbas kësaj dogme sepse dogma u përqafua si ideologji nga shqiptarët edhe me injektimin sllav terapia e së cilës edhe sot nuk ka mundur ta shërojë. Njëkohësisht po të ishe anëtar partie dhe asnjëherë të mos mendoje me kokën tënde, por me dogmën e vendosur në Organizatën Bazë si “revolucionar” apo si “besnik” patjetër duhet të bëheshe i tjetërsuar dhe hipokrit, intrigant, servil, të cilat e prishnin dinjitetin dhe personalitetin e njeriut. Janë mijëra faqe që po të lexohen e lodhin lexuesin sepse gjen të mbartur diskutime sofiste aq edhe ekletike të një filozofie për konsum propagandistik popullor, e cila edhe sot nuk kuptohet se ku duhet të dilte. Kështu që psikologjia e një populli ka ndikuar që edhe sot të jetë e vështirë për të kapur në përmbajtje standardet evropiane. Historia flet për karbunarët, si një lëvizje për bashkim, kundër pushtimit austro-hungarez. Opera e Verdit “Nabuko” si kulm të vetin kishte korrin e skllevërve që u bë himn për ta, aq sa u përvetësua e ndikoi ndjeshëm në shtimin e radhëve popullore. Garibaldi e gjeti kështu gati dogmën, masive për bashkimin e idealistëve të Italisë. Dhe ata e bënë Italinë Evropiane. Në Spanjë ishte ndryshe në psikologjinë e vendit. Pati sukses të madhe opera e Bizesë “Karmen” . Pse? Pjesë më e pëlqyer u bë “Toreador”, sepse atje gjeti veten spektakli mbarëpopullor në luftën me demat. E kështu në veçoritë e çdo populli, si p.sh. Brazili për futbollin, ku Pele u propozua deri për president të vendit. Po në Shqipëri? Nga: Albert Kotini