Prova
ALBDREAMS TELEVIZION
Ulqinit i duhet një imazh i ri turistik
Ka qytete që nuk rinovohen kurrë, që ngelin të ngrira. Ulqini si qytet turistik me moshë duhet të restaurohet dhe të ndryshojë vazhdimisht. Ai ka nevojë për ndërhyrje të shumta infratsrukturore për të përmirësuar imazhin e tij turistik. Kjo për faktin e hidhur se, sidomos gjatë periudhës së tranzicionit, ka pësuar një stagnim (ngecje) të dukshëm, të cilin e vëren dhe e ndjen çdo qytetar, por edhe çdo mysafir që e ka vizituar këtë qytet së paku edhe një herë të vetme. Do të duheshin shumë investime për të përmirësuar peisazhin e Ulqinit, si qytet me histori e trashëgimi të pasur kulturore. Sfidat kryesore të pushtetit të ri vendor të identifikuara nga komuniteti i këtushëm janë konsolidimi i financave, menaxhimi i mbetjeve urbane, sistemimi i rrjetit të kanalizimeve e ujërave të zeza, ndërhyrja në infrastrukturën e disa rrugëve kryesore dhe e rrugëve dytësore të qytetit dhe fshatrave përreth, si dhe fillimi i disa projekteve madhore, pa të cilat Ulqini nuk mund të ketë një zhvillim të vrullshëm ekonomik. Padyshim se për këtë duhen edhe mjete të konsiderueshme buxhetore. “ Pa pare nuk hyp as hoxha në minare”, thotë një proverb yni popullor. Kjo është krejtësisht logjike, normale dhe e pranueshme. Sepse çdo ndërtim apo restaurim ka koston e vet financiare. Mirëpo shpeshherë me pak para mund të bëhen mjaft punë që ne i konsederojmë si “ të vogla”, por realisht ato kanë efekte të mëdha nëse kemi ide, vizion, vullnet dhe dëshirë që t’i jetësojmë ato. Sikur të ekzistonte një bashkëpunim dhe bashkëveprim më i koordinuar dhe më i harmonizuar ndërmjet autoriteteve vendore dhe drejtuesve të ndërmarrjeve publike me siguri se infrastruktura e qytetit do të kishte një pamje tjetër e cila pozitivisht do të ndikonte edhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të këtushëm.
Meqë jemi në prag të sezonit veror gjithësesi duhet të intensifikohen aksionet e filluara që synojnë gjallërimin urban dhe social të Ulqinit: pastrimi i të gjitha pjesëve të qytetit, përmirësimi i hapësirave publike, bartja e mbeturinave nga ekonomitë familjare, por edhe deponitë e vogla që janë krijuar dhe po krijohen nga qytetarët e pandërgjegjshëm që i hudhin mbeturinat vend e pa vend. Mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta po ashtu, të cilat janë “mushkëritë” e qytetit, sikurse edhe mbjellja e pemëve të reja lisi e pishash në Pyllin e Pishave dhe në parqet e qytetit.
Investim pa kosto të lartë financiare , i cili do të ndryshojë pamjen e Ulqinit, do të ishte lyerja-rikonstruksioni i fasadave në qendër të qytetit. Shumica e objekteve të banimit kolektiv, tash më se tri dekada kanë mbetur të pa mirëmbajtura, pasi pothuaj në asnjë prej tyre nuk funksionojnë këshillat e banorëve. Vetë kryetari i komunës Nazif Cungu në takimin e tij të parë me gazetarë pas rikthimit të tij në këtë detyrë me datë 13 prill 2016, ndër të tjera u shpreh:“Do të angazhohemi në lyerjen e fasadave, banesave dhe objekteve të qytetit”. Dua të besoj se kjo deklaratë e kryekomunarit Cungu mos të mbetet thjesht premtim i parealizuar, por të veprojë ashtu siç bëri ish – kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama në vitet 2003-2004, përvojë të cilën e kanë ndjekur shumë kryebashkiakë të tjerë në Shqipëri dhe disa kryetarë komunash edhe në Kosovë e Maqedoni. Ky projekt që do t’ia ndryshojë pamjen këtij qyteti mendojmë se vjen si nevojë e kohës. Faza e parë e punimeve do të duhej të fillojë sa më parë të jetë e mundur, duke filluar nga objektet e para të banimit në hyrje të qytetit dhe në vijim. Me përfundimin e lyerjes së fasadave Ulqini do të ketë një pamje krejt të re dhe do të jetë një qytet me një imazh tërësisht të ri dhe më atraktiv për pushuesit, por edhe më i bukur në pikëpamje vizuale për qytetarët ulqinakë. Kjo bukuri do të fillojë të transformojë shpirtin e njerëzve, do të ndikojnë të ndjejnë diçka që e kishin harruar, ndjesinë e objekteve të bukura.
Me një “chlik” në internet mund të shohim disa qytete europiane e botërore me fasada të lyera ( ngjyrosura) të cilat na joshin që në pamjen e parë, si: Burano që gjendet në Venecia dhe Vernazza ( Itali), Juzcr ( Spanjë), Mentone ( Francë), Breslavia ( Poloni), Copenhagen( Danimarkë), Guanajuto ( Meksikë), Majemi ( SHBA), Chefchaouen ( Maroku) etj.
Ulqin/Promovimi më i bukur i vlerave turistike
Kjo javë mund të quhet sportive për qytetin e Ulqinit. Në terrenet e Klubit të Tenisit “ Bellevue” në Plazhin e Madh më 11 prill ka filluar të mbahet turneu prestigjioz ndërkombëtar i tenisit për femra “ Fed Cup” . Kjo është hera e tretë që Federata e Tenisit e Malit të Zi në bashkëpunim me Federatën Botërore të Tenisit ia ka besuar këtij qyteti mbajtjen e këtij evenimenti. Nuk është vetëm një garë tenisi por edhe një festë e madhe e cila ka mbledhur qindra teniste dhe tenistë nga 17 shtete të botës nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia, Norvegjia, Tunizia, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Armenia, Irlanda, Islanda, Madagaskari, Qiproja, Algjeria, Mozambiku dhe Maroku. Tenistet me të mira të shteteve pjesëmarrëse gjashtë ditë radhazi do të shfaqin talentin e tyre para një numri të madh të dashamirëve dhe adhuruesve të këtij sporti gjithnjë e më atraktiv dhe më i popullarizuar në Ulqin. Pritet që ekipet pjesëmarrëse të shfaqin lojëra shumë cilësore dhe në terren të ketë një rivalitet dhe luftë të madhe. Kjo për tri arsye kryesore. E para këta sportistë po mbrojnë ngjyrat e shteteve të tyre. E dyta janë duke shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendeve të veta. E treta po garojnë për tu kualifikuar në grupin e dytë të kësaj garë në konkurrencën e femrave. Me angazhimin dhe rezultatet e tyre tenistet vendase dhe të huaja po përcjellin mesazhin më të mirë për përfaqësueset e veta, pa folur fare. Nga na tjetër ato, përveçse gjallëruan Ulqinin dhe zgjuan interesimin e jashtëzakonshëm të adhuruesve të tenisit, do të promovojnë anë e kënd rruzullit tokësor vlerat jo të pakëta të këtij qyteti të lashtë me traditë më se 2500 vjeçare.
Ulqini edhe këtë vit, sikurse edhe dy vitet e mëparshme, u bë qyteti i tenisit, vendi ku u tubuan shumë teniste të reja nga Evropa dhe Afrika që do të përçojnë vibrime pozitive, ku u bë dhe po bëhet gjithçka për ruajtjen e gjithë bukurisë që përmban ky sport. Poashtu ky qytet në prag të sezonit veoror tash tri vite përmes lojës së tenisit po promovon në arenën ndërkombëtare vlerat dhe potencialet turistike. Kjo ngjarje madhore dhe madhështore është dëshmi e gërshetimit të sportit si veprimtari universale që i bashkon popujt dhe turizmit si degë e rëndësishme ekonomike. Duke krijuar modele të këtilla me arritje ndërkombëtare në fushën e sportit organizatori ka shtruar rrugë të ndriçuara suksesi për gjeneratat e ardhshme. Sepse, është frymëzuese të shohim në Ulqin sportistë pothuaj nga e gjithë bota nga secili grup etnik, fetar dhe social të bashkuar jo vetëm për të luajtur tenis, por edhe për t’u njoftuar, shoqëruar dhe për të ndarë gëzmin me njëri-tjetrin. Përmes këtij kompeticioni tenistet dhe tenistët e huaj do të bëhen të vetëdijshëm për resurset që mbart Ulqini dhe për vlerat e tij kulturore, muzeale, arkeologjike e të tjera, të cilat do t’i përcjellin në vendin e origjinës së tyre. Ky është një shembull i mirë i punës së palodhshme dhe një përfaqësim mjaft i mirë që i bëhet këtij qyteti përmes tenisit.
Ulqini bashkë me ofertën e kapaciteteve strehuese me çmime të volitshme në sektorin shoqëror dhe privat i ka kushtet për t’u zhvilluar në një qendër të rëndësishme sportive e turistike. Tani ky qytet i tenisit në të ardhmen duhet të bëhet qytet i sportit, vendi ku sportistëve dhe klubeve të këtushme do t’u krijohen kushte për zhvillimin e sporteve të ndryshme. Turizmi dhe sporti do të duhej të jenë të lidhura në mes veti në dokumentet strategjike të kësaj komunë. Me një infrastrukturë tani më të rregulluar sporti dhe turizmi mund të bëhen motor i rritjes së qëndrueshme ekonomike, hapjes së vendeve të punës dhe të krijimit të të hyrave financiare. Është me rëndësi që përmes sportit të nxitet dhe të promovohet turizmi ngase në këtë mënyrë stumilohen investimet në projektet e infrastrukturës siç janë rrugët, fushat dhe komplekset sportive – projekte këto prej të cilave do të kenë përfitim edhe vetëqeverisja vendore edhe vizitorët shfrytëzues të saj. Sporti dhe turizmi janë lëmi të cilat në raport të ndërsjelltë mund të kontribuojnë në imazhin jo vetëm të vetadministrimit lokal, por edhe zhvllimit të gjithmbarshëm dhe të promovimit të programeve sportive-rekreative te popullata. Kësaj arritjeje do t’i gëzoheshin të gjithë qytetarët e kësaj komunë.
Arti ynë popullor,krenaria kombëtare.
Nga Haxhi ZENELI
Populli shqiptarë gjithmon kudo që ka jetuar,ka ruajtur me një dashuri të
veçantë artin e ti popullorë.Në të kaluarën e historis së kombit tonë,
folklori me këngë dhe valle popullore tek shqiptarët kanë lujtur një rol të
rëndësishëm në ruajten e identitetit tonë kombëtar.Arti folklorik i shërbeu
atyre në kohërat më të vështira,kurë ky popull nuk dinte shkrim as
lexim,ata nëpër mes të këti arti trashigonin:këngët,veshjet,traditat dhe
vlerat e artit kombëtar tek brezat që vinin pas,që ata mos të harronin se
kush ishin dhe nga vinin.Arti popullor shërbente edhe si mjet komunikimi
prej kohërave më të lashta nga brezi në brez.Ky art popullor që përfshinte
edhe këngët folklorike,që në brendësin e tyre përmbanin:emocionët,mesazhët,tingujt,gjuhën e të
shprehurit,duke përcjellur traditat,zakonët,dashurin ndaj kombit e atëdheut,ngjarjët historike etj.
Andaj në këtë mënyrë arritën të mbijetojnë shumë vendbamine autoktone të shqiptarëve.Ku më
tepër se gjysma jetonin jashtë kufirit të Shtetit Shqiptar,që fati i tyre me padrejtësi u përcaktue
nga të tjerët,duke ju privuar bashkëjetesën me vëllezërit e tyre brënda një shteti.
Shqiptarët e ish Jugosllavis,e në veçanti shqiptarët nën Malin e Zi,që ishin një numër shumë më i
vogël se ato të Kosovës dhe atyre nën bullgaro/maqedonët,e kanë përjetuar këtë ngjarëje të
shkëputjes nga trungu i tyre stërgjyshor me emocione,sakrificë dhe dhimbje të madhe,duke
filluar që nga:Plava,Gucia,Hoti,Gruda,Tuzi,Tivari dhe Ulqini.Të gjitha këto vendbanime
shqiptare,pothuajse e kanë përjetuar asimilimin e tyre nga ky shtet:kush më pak e kush më
shumë.Shqiptarëve nën drejtimin e aparatit shtetëror,në mënyrë konstante është ushtruar presion
ndaj tyre,duke i përçarë në shumë fusha të jetës,që ata të hjekin dorë nga kombësia e tyre.Për ti
mjegulluar edhe më tepër shqiptarët,pushteti luenta me ta si “maca me miun”,një vitë çelnin
shkollën shqipe dhe vitin tjetër mbyllënin,dhe në disa vende nuk e çeleshin fare,kështu ata
matëshin pulsin e shqiptarëve në trojet e tyre,që në mënyrën më efikase ti çnjorrosnin nga
identiteti i tyre kombëtar.Tek një pjesë bukurë e mirë të këtyre shqiptarëve që tashti janë
asimiluar,jo vetëm që humbën identitetin,por edhe ju është imponuar që mos të pranojnë
paraardhëjen e tyre.Sot kemi një pjesë të madhe që nuk deklarohën që gjyshërat e tyre ishin
shqiptar,kurë dihët fare mirë se ata kanë përardhëje shqiptare,që rrjedhin nga fiset më të njohura
shqiptare të Shqipëris së Veriut.Kjo pjesë e ish-popullit shqiptar,mu në trojët shqiptare,ju është
imponuar të braktisin gjuhën e tyre mijëravjeçare,dhe kanë aduptuar gjuhën serbo/sllave.
I gjithë ky asimilim i shqiptarëve ka filluar tek mos lejimi i shkollave shqipe,
që shqiptarët mos të kenë të drejt të shkollohën në gjuhën e tyre amtare,dhe si produkt i gjithë
kësajë stategjie të cilët kanë zbatuar projektet te përpiluara nga akademit e tyre shoveniste mbi
këtë popullat,ku ne humbëm një pjesë të trupit tonë.
Këtë ngjarëje e përshkruan më së miri edhe Edit Durham,e cila shkruan në ditarin e sajë më
shumë se njëqind vite më parë se:”me ligështohēt zemra kurë shohë këto malsor trima,të cilet
vdesin për lirin dhe për të pasur shkollat për fëmit e tyre.Në krejtë Malin e Zi nuk mund të
gjindët asnjë shkollë shqipëtare që është lejuar nga ky shtet.Ku me forcë kanë përdorur
sllavizimin e shqipëtarëve te fisit Kuç e Triepsh.” Andaj thuhët se shqiptarët me që nuk kishin
shkollat e tyre ,për të mësuar historin dhe gjuhen e tyre,ata me një fanatizëm janë mbështetur tek
arti popullor si një mjet i vetëm por i fuqishëm,që ndihmojë këtë popull që mos të shpërbëhët në
tërësi.Shqiptarëve më shumë se pesë shekuj ju është mohuar kjo e drejt.Edhe pse që mësimi në
gjuhën e tyre nuk është lejuar,një pjesë e këti populli përsëri ka ditur të ruaj dhe të përcjell këtë
histori të lavdishme të këtyre luftarëve heroik,të cilëve ju kanë thurur këngë për heroizma,ku
ende edhe sot këta heronjë kombëtar jetojnë në këngët dhe artin tonë,që ky popull i ka ruajtur
dhe përcjellur në memorjën e ti,brez pas brezi.
A ka ndyruar diçka në krahasim me të kaluarën e shqiptarëve të këtyre trojeve?
Kamë përshtypjen se ende pas një shekulli shqiptarët e këtyre trojeve ende ballafaqohën me të
njëjtat probleme.Ata ende vezhgohën msheftazi nga autoritetët sekrete shtetërore,siç janë
evenimentet e festave kombëtare dhe ngritja e flamurit,ende shqiptarët hezitojnë të përballën me
aspiratat e tyre për liri.Andaj edhe sot vazhdon i njëjti mentalitet antishqiptarë i korodizuar i
pushtetarëve sllav.Por nuk janë vetëm këto që i kundërvihën kombit tonë,na kanë dalur edhe
pengesa të tjera!nga një pjesë tjetër që nuk kanë interesim të mësojnë historin kombëtare,por janë
orientuar më tepër në historin e kombeve të hueja.Disa nga këto grupe kanë qitë identitetin e tyre
në treg,që po mundohën ti përfshijnë këtu edhe shqiptarët që kanë dinjitet,po manipulojnë me
popullin e varfur.Dhe për fat të keq këto njerëz kanë gjetur mbështetjet tek disa familje,ku
vrehehët qartë se nga veshëjet dhe paraqitja e tyre në skenë,kanë filluar të
tjetërsojnë:etnosin,identitetin,kulturën e tyre duke përqafuar atë jo shqiptare,dhe e gjithë kjo e
ndihmuar nga shtetet e hueja,por që lejohët nga pushteti aktual,vetëm për të vazhduar tjetërsimin
e shqiptarëve.
Një pjesë e këtyre dalngadal pa ditur po largohën nga rrënjët e stërgjyshërve të tyre,të cilët
qëndruan me dinjitet dhe nuk u nënshtruan dhe asnjëherë ata nuk tjetërsuan xhubletën
ilire,përkundrazi ata i trashëguan brez pas brezi këto bukuri të veshjeve tradicionale së bashku
me një opus të gjërë të këngëve folklorike,këngë të cilat në brëndësin e tyre kanë një histori
legjendare të popullit tonë,që janë krenaria e kombit tonë.
Mars/2016
Foto nga Festivali Folklorik Kombëtar Gjrokaster 2015 Ansambli “Bashkimi Kombëtar”në
përpjekje të ruatjes së traditave kombëtare në Amerikë.
Gjurmues dhe pasqyrues i krenarisë dhe i atdhetarisë shqiptare
(Rreth librave studimorë dhe ndihmesave të Gjekë Gjonajt në fushën e publicistikës në Mal të Zi)
Gjovalin Shkurtaj
Gjekë Gjonaj është tashmë një emër i mirënjohur në gazetarinë e shqiptarëve në Mal të Zi, intervistat, artikujt dhe reportazhet e të cilit për trojet shqiptare në Ulqin e rrethina, në malësinë e Trieshti, Hotit, Grudës, Martinajve të Plavës etj. janë botuar në faqet e gazetave të ndryshme e kryesisht te “Koha javore” (Podgoricë), “Koha jonë” (Tiranë), “Ilyria” (Nju-Jork), “Jeta Katolike” (Nju-Jork),”Zani i Shna-Ndout (Tuz), “Kumbona e së dielës” (Shkodër), “Zëri “ , “Koha ditore” e “Bota sot” (Prishtinë), si dhe në “Buzuku” (Ulqin), organ në të cilin ai është edhe ndihmëskryeredaktor.
Gjekë Gjonaj ka qenë një nga themeluesit dhe gazetari i parë për emisonet në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi, që ka filluar pikërisht me “Kronika e javës”, në vitet 1986-1992 , kohë kur ai ka punuar si gazetar në Radion e Malit të Zi.
Por, Gjekë Gjonaj, krahas (dhe përtej) vlerësimeve si gazetar e autor reportazhesh shumë të pëlqyera, është edhe gjurmues e hulumtues i zellshëm i historisë shqiptare, duke gjakuar të ndriçojë e të bëjë të njohura figura të mëdha të kombit shqiptar, si Prekë Calin e Kelmendit, një nga figurat madhore e madhështore të patriotizmit shqiptar, të cilit ai do t’i kushtonte librin e tij të rëndësishëm monografik “Prekë Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë” (Tiranë, 2005, 273 faqe). Një vepër madhore e me vlera të shënueshme historike e dokumentuese.
Në vitin 2008, që shënon edhe pikën më të lartë të prodhimtarisë apo “korrjeve” historiko-kulturore dhe të prurjeve të tij si gazetar e analist, po gjithashtu edhe si dëshmues e dokumentues i përkushtuar i jetës dhe i përjetimeve e bëmave të malësorëve të trojeve shqiptare në Mal të Zi, Gjek Gjonaj do të botonte tri vëllime të çmueshme e pikërisht:
“Njëmendësi shqiptare”-35 intervista me personalitete të shquara të artit, letrave dhe gazetarisë shqiptare, si (në rendin e paraqitur në libër): Serafin Fanko prej të cilit shkoqit idetë dhe mendimet e tij në boshtin “Teatri duhet liruar nga prangat ideologjike”; Gjelosh Gjoka, piktor i shquar e akademik nga Malësia, intervista e të cilit përthekohet në temën “Arti i mirëfilltë nuk njeh kufij dhe është I kuptueshëm për të gjithë”; Riza Rexha nga Ulqini, prej të cilit Gjeka merr pohime në lidhje ndihmesa të tij “Pjesë e historisë së vendlindjes”; Imzot Angelo Masafra, ipeshkëv me origjinë arbëreshe, i cili pohon “Ēndërroj rajonin e Ballkanit në paqe. Për këtë edhe punoj”; Nail Draga, gjeograf nga Ulqini, prej të cilit sjell trajtesa për “Realitetin shqiptar në prizmin e dëshmive”; Kolë Berishaj, i cili thekson se “Në kosovë askush nuk do të pranonte diçka më pak sesa pavarësinë”; Rexhep Mejdani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, me të cilin Gjeka dialogon dhe sjell opininon e tij “Obligimi ynë-plotësimi i kritereve për integrim”; Joseph Dio Guardi, senator amerikan me origjinë arbëreshe, prej të cilit merr velërsime në tematikën “Po bëj çdo gjë për ruajtjen e krenarisë shqiptare”: Vily Kamsi, i cili në intervistën e tij pohon se “Edhe pse në moshë të thyer, gjithnjë punoj”. Libri vazhdon me shumë të tjerë, si Tonin Çobani, Pjetër Arbnori, Skënder Drini, Dom Nikë Ukgjini, Simë Dobreci, Shaban Demiraj, i cili në intervistën e tij shprehet se “Dallimet midis dialekteve të shqipes-parëndësi”; Jorgo Bulo, Gj.Shkurtaj, Ilir Meta, Jeta Katro Beluli, Artan Haxhi, Myslym Hotova, Sabri Godo, prej të cilit në intervstë shkoqit idenë “Mali i Zi-vendi më mik i Shqipërisë”; Ismail Kadare, në intervistën e të cilit trajtohet “Prania shqiptare do të ndihet në Evropë”; Rexhep Qosja, që vlerëson se “Duke mbiçmuar ato që janë bërë nuk i shërbejmë ngritjes së nivelit estetik të letërsisë sonë”; Erling Johansen, i cili pohon “Jam krenar që fëmijët e mi kanë gjak shqipar”. Sillen në libër edhe intervista të tjera, si me shkrimtarin Enver Gjerqeku, porosia e të cilit është se “Të rinjve u duhet ndihma e krijuesve të vjetër”; nga studiuesit arbëreshë Zef Chiaramonte nga Sicila dhe nga Françesko Altimari nga Kalabria, mesazhi i të cilit është “Mbijetesa e fuqishme historike”. Libri përmban edhe intervista nga Alfred Kaçinari, Jevrem Brkoviq, Hysni Hoxha, Nevila Nika.
Vlera e një libri të tillë, kaq të pasur me kumte e vlerësime prej figurash të dalluara të letrave shqipe e më gjerë, sidomos të shumë dashamirëve të Shqipërisë e të shqiptarëve që ka tubuar në libër, është ajo që e thotë bukuraza vetë Gjekë Gjonaj në parathënien e e tij: “Përherë jam gëzuar dhe gëzohem që populli im ka pasur, ka dhe do të ketë intelektualë të përmasave universale, të cilët, për mua kanë mbetur dhe janë shembull i punës vetëmohuese për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel të lartë.”
Në po atë vit (2008) Gjekë Gjonaj boti edhe librin tjetër me titull “Gjurmave të kohës”, Enti Botues “Gjergj Fishta’ (360 faqe), në të cilin ai shkruan për figura të shquara kombëtre si: “Dom Gjon Buzuku, autor ilibrit të parë shqip”, “Vepra e Gjon Buzukut dhe rëndësia e saj shkencore”, “At Gjergj Fishta, figurë madhore e kulturës dhe e historisë sonë kombëtare”; “Nëna Tereze-misionare e dashurisë”, “Nëna Tereze është shqiptare”, “Shtatorja e Nënës Tereze edhe në Ulqin” (f.47-74).
Në kreun e titulluar “Personalitete historike”, janë tubuar shkrimet: “Ded Gjo’Luli, figurë historike e Malësisë”, ”Shtëpia muze e Ded Gjo’Lulit”, Baca Kurti-krenaria e Malësisë”, “Tringë Smajlja Ivezaj-heroinë e Malësisë, “Pretash Zeka,luftëtar për mbrojtjen e trojeve shqiptare”, “Epopeja e lavdishme e Oso Kukës” (f.82-112).
Kreu I tretë më titullin “Lamtumirë, President” përfshin shkrime rreth vdekjes së presidentit të Kosoëvës,Ibrahim Rugova.
Kreu i katërt ka dy shkrime për dy figura të mëdha nga radhët e klerit shqiptar të anëve të Malësisë: Dom Simon Filipajt, njeriut që realizoi botimin e plotë të Biblës në gjuhën letrare shqipe dhe at Vinçenc Malaj, figurë poliedrike e kulturës dhe e historisë shqiptare. (f.167-190) Në kreun e pestë pëmblidhen shkrime kushtuar arsimtarëve, gazetarëve dhe artistëve të njohur të anëve të Malit të Zi, si Gjergj Gjoka, Mark Ujkiqi, Zake Prelvukaj, Seida Belgoviq etj.
Në kreun e gjashtë përmblidhen intervista të ndryshme, si me aktoren Ema Andrea dhe aktorin Timo Flloko, me poetin Xhevahir Spahiu dhe me shkrimtarin Besnik Mustafaj.
Kreu i shatë u është lënë opinioneve dhe vështtrimeve për figura të mëdha të kombit shqiptar, si dhe mjaft dukurive nga jeta bashkëkohore e shqiptarëve të Malit të Zi.Në kreun e tetë, sillen shkrime me prurje nga fusha e folklorit dhe e etnografisë, si “Muzeumi etnografik i Malësisë”, “Xhubleta-mbretëresha e veshjebve shqiptare” dhe “Veshja popullore e Shestanit”.
Në vitin 2010 gjekë Gjonaj botoi librin “Shqipet e maleve”, kushtuar jetës së shqiptarëve në Malin e Zi, një libër me vlera të shumta njohëse dhe i shkruar bukur.
Kam pasur nderin të shkruaj edhe parathënien e atij libri dhe, pikërisht për prurjet e vlerat e shumta të atij libri, edhe mbas botimit, herë mbas here, i kthehem dhe e rilexoj për të cituar shumëçka nga bëmat historike dhe vetitë e larta të malësorëve shqiptarë në Mal të Zi e më gjerë, të cilët Gjekë Gjonaj, me një metaforë të goditur, i quan “shqipet e maleve”. Dhe, së mbrami, por jo për nga rëndësia, zoti Gjekë Gjonaj sapo më dërgoi dy librat e tij më të rinj: “I dentiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”(recensione-vështrime), Botimet Gjergj Fishta, 2014 (212) dhe “Bijtë e shqipes”, Botimet Gjergj Fishta, 2015 (416 faqe).
Krerët e librit “Bijtë e shqipes” janë jo vetëm kërshërindjellës, por edhe me prurje të freskëta për një numër temash gjithmonë të pavdira, si “dashuria për flamur” (Kreu i parë, f.11-34), ku gazetari me prirje të theksuara prej dokumentuesi, dëshmuesi e historiani, na jep një kronologji të përdormit të flamurit kombëtar shqiptar prej vitit 1905 deri në vitin 1968, duke sjellë dëshmi , prurje fakuese, të dhëna nga Tivari (1905), Tuzi e Trieshi (1906).
Kreu i dytë i librit (f.35-84) me titull “Kurrë të mos harrohen”, Gjonaj na jep shumë dëshmi e dokumente me vlerë, prej të cilëve meriton të veçohet “Letër e Papës Palit të 6-të ,me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skëndërebut (më 17 janar 1968). Letrën e Papës, Gjekë Gjonaj e ka përkthyer nga latinishtja dhe ajo letër, deri më sot gati krejt e papërmendur (ose, në most jetër) e pacituar, qoftë edhe për arsye të censurës në kohën e Shqipërisë komuniste, fillon me këto fjalë që zgjojnë kureshtje të këndshme:
“Ky është biri i një toke (thotë letra e Papës, duke folur për Skënderbeun) që ka pasur fatin të jetë e përfshirë nga apostullati i Shën Palit e ndoshta e pajisur nga një farë ungjillëzimi nga ky vetë, ndërsa kjo figuron si Kishë hierarkike në shekullin IV”.
Ajo Letër është plot vlerësime e pohime, jo vetëm dashamirëse e të rëndësishme nga Papa Pali për shqiptarët e për Skënderbeun,po edhe me rëndësi të përhershme dhe aktuale për cilësitë dhe vlerat etno-kulturore të një plejade figurash të klerit katoloik shqiptar.
Gazetari ynë, Gjonaj, shënon se disa pjesë të Letrës së Papa Palit kanë qenë përkthyer nga latinishtja prej Dr.Athanas Gegajt dhe botuar në gazetën “Dielli” më 7 shkurt 1968, shoqëruar me këto fjalë vlerësuese: “Vatra” dhe të gjithë shqiptarët i mbeten mirënjohës Shejtëris së tij, Papë s Palit VI për shprehje fisnike që shkroi në atë Dokumnet të veçantë pëë Skënderbeun, për popullin shqiptar dhe për bijtë e tij kudo në botë. Ky është një dokument për të cilin krenohemi dhe i mbetemi mirënjohës Selisë së Shënjtë,-thotë në fund të shkrimti Athanas Gegaj”. (f.37).
Krejt kreu i dytë i këtij libri është plot me shkrime që të mahnisin me aftësinë qëmtuese të Gjekë Gjonajt për të risjellë në vëmendjen e shqiptarëve të kohës sonë disa prej pikave të paharrueshme të shkrimtarisë e të vlerave gjuhësore të mjediseve shqiptare në Malin e Zi. Kështu, aty na tërheqin shkrimet“Arnold fon Harfi, gjermani i cili dokumentoi se shqipja në Ulqin ishte gjuhë amtare para gjashtë shekujsh” (f.43), “37-vjetori i Besëlidhjes së Malësisë” (f. 49-52), “Nderohet kujtimi i Dom Simon Filipit”(f.53-57), “Rasim Llolla, misionar i tolerancës ndërfetare” (f.57-63), Gjekë Rudaj, bamirësi i madh i Ulqinit” (f.64-72); “Mark e Kolë Dedvukaj, shembull biblik i qëndresës njerëzore (f.73-78), Pretash Ulaj, trim i edukuar në votrën shqiptare” (f.79-84).
Kreu i tretë me titull “Copëza historike nga vendlindja” (f.87-191) çelet me shkrimin hyrës “Nga e kaluara e Trieshit”, ku autori derdh jo vetëm dashurinë për vendlindjen e tij, Trieshin, po edhe sjell një varg shkrimesh shumë tërheqëse e plot vlera historike e kombëtare me të cilat ai krenohet (po edhe na fton të krenohemi edhe ne si shqiptarë) për bëmat e bijve të mëdhenj që ka nxjerrë Trieshi në rrjedhë të shkujve. Përmendim, p.sh. “Nikollë Ivanaj-personalitet i shquar i shtetit dhe i pavarësusë shqiptare” (f.142-150); “Kontributi i Nikollë Ivanajt në shtypin shqiptar” (151-159); Mirash Ivanaj-harresa e dhimbshme mbi eruditin e madh” (f.160-172), si dhe një varg shkrimesh dhe intervistash me rëndësi për të pohuar vlerat atdhetare,si dhe ditunore e arsimore e kulturore të Trieshit e trieshjanëve, pauses i zellshëm e meritor i të cilëve është, pa dyshim, edhe vetë miku e gazetari ynë i njohur,Gjekë Gjonaj.
Ditët e fundit, zotin Gjekë Gjonaj e kemi propozuar të jetë në Këshillin Botues të gazetës “Nacional”, propozim që është pëlqyer e pranuar pa ngurim nga Kryeredaktori, z.Mujë Buçpapaj. Me këtë rast, si mik e dashamirë i autorit, për ata që mund të mos e njohin (ose që nuk i dinë të gjitha) ndihmesat, artikujt dhe librat e botuar nga z.Gjekë Gjonaj, po shënojmë shkurt sa vijon:
Gazetar, publicist dhe studiues. Ka lindur më 20 mars 1958 në Triesh (Malësi e Madhe), Komuna e Podgoricës, Mal i Zi). Librat e tij janë pëlqyer, përhapur e vlerësuar nga studiues dhe personalitet të mirënjohura të letrave shqipe në Mal të zi, në Shqipëri,Në Kosovë e në diasporën shqipare, sidomos në Amerikë, ku ai ka edhe aq shumë farefis e miq që e duan dhe e ndjekin veprimtarinë e tij të lëvdueshme publicistike e studimore. Përmendim, ndër të tjera, vlerësimet e recensionet e përgëzimet për veprat e tij nga nga Prof.dr.Simë Dobreci, prof.dr.Bahri Brisku , prof.dr.Hamit Boriçi, prof.dr.Hysni Hoxha, prof.dr.Romeo Gurakuqi, prof.dr.Alfred Çapaliku e shumë të tjerë.
Kam shkruar edhe unë, disa herë, për librat e ndihmesat e Gjekë Gjonajt, sidomos kam vlerësuar rëndësinë e madhe të librit monografik “Prekë Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë” (2005) dhe për librin “Shqipët e maleve” ( 2010). Në pritje që, në paçim shëndet e kohë, në ditë që pasojnë të ulem e të shkruaj edhe për dy librat e tij më të rinj, që sapo m’i ka dërguar, po lejohm të përdor si mbyllje një vlerësim të shprehur edhe më parë: Gjekë Gjonaj është ende i ri në moshë, porse shkrimet, emisionet radiofonike, artikujt në organe të shumta të shtypit shqiptar, pastaj librat e tij të këtyre dhjetë a pesëmbëdhjetë viteve të fundit, e kanë bërë atë jo vetëm të njohur,por edhe një penë të autoritetshme e me peshë në gazetarinë dhe në botën e letrave shqipe.
Prej shkrimeve dhe librave të Gjekë Gjonajt lexuesit e sotëm, do të përfitojnë shumë, do të mësojnë shumë gjëra nga bëmat e vlerat e Malësisë së Mbishkodrës dhe m gjerë për vendet shqiptare në Malin e Zi dhe, pa dyshim, do t’u lindë edhe dëshira për t’i vizituar Malësinë, Krajën, Ulqinin etj. duke gjetur atje, edhe sot e gjithë ditën, bujarinë tradicionale shqiptare, mikpritjen e pakundshoqe, fjalën e ëmbël shqipe, këngët epike, natyrisht edhe dëshirën ende të zjarrtë të shqiptarëve në Malin e Zi për të mbetur edhe më tëj shqiptarë. Shqiptarë në gjuhë, në zakone e në tradita, sepse kjo nuk i pengon aspak për të vazhduar të jenë edhe shtetas të mirë të Malit të Zi, ku jetojnë prej shekujsh.
Tiranë, 18 tetor 2015
Ulqini, qytet i kulturave të ndryshme
Gjekë Gjonaj – Në fund javën që shkoi qyteti i Ulqinit kishte vërtet një festë të madhe dhe të bukur. Karakteristikë e gjithë kësaj ishte defilimi nëpër qytet i mbi 300 anëtarëve të njëmbëdhjetë ansambleve folklorike nga Ulqini, Kosova, Maqedonia, Serbia, Turqia, Bullgaria dhe vende të tjera të rajonit si dhe interesimi i dukshëm i popullatës vendase për origjinalitetin e këtyre veshjeve kaq të bukura të shteteve pjesëmarrëse.
Koloritin dhe skenarin e gjithë kësaj pjesë të prezentimit nëpër qytet i përgatitën me kujdes udhëheqësit artistik të shoqërive të përërmendura kulturoro – artistike, duke afirmuar në këtë mënyrë qartë dhe pastër jo vetëm kulturën dhe traditën kombëtare të trevës së Komunës së Ulqinit, por edhe kulturën dhe traditën kombëtare të vendeve pjesëmarrëse të rajonit.
E gjithë kjo larmi e kostumeve popullore të popujve të ndryshëm zbukuroi e hijeshoi Ulqinin, por edhe la përshtypje, mbresa dhe simpati ulqinakët, të cilët u impresionuan me kulturën dhe traditën shekullore të popujve të tjerë joshqiptarë në rajon.
Kënaqësia arriti kulminacionin në momentin kur të gjitha ansamblet folklorike u ngjitën në skenën e Qendrës Kulturore të Ulqinit, të cilat u mirëpritën me duartrokitje frenetike nga ana e spektatorëve.
Ishte padyshim kënaqësi e jaszhtëzakonshme të shihje djem të pashëm e vajza të bukura të nacionaliteteve të ndryshme të veshurë në kostume kombëtare, duke luajtur valle, duke kërcyer dhe duke kënduar në gjuhë të ndryshme, por të kuptueshme për të gjithë, meqë ato kanë vlera universale.
Me këtë aktivitet kulturoro-artistik, , i cili u zhvillua në kaudër të manifestimit tre ditorë “ D’olcinium International Festival” nga Organizata Turistike e Ulqinit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, u dëshmua se ky qytet jo vetëm se afirmon kulturën dhe traditën e vet kombëtare, por tregoi se në Ulqin ka vend edhe për kultura të tjera, të cilat gërshetohen mjaft bukur me njëra-tjetrën , pra edhe me kulturën shqiptare. Organizatori i këtij manifestimi me këtë simbolikë zgjodhi mënyrën më të preferuar dhe më të qëlluar për përmbylljen e sezonit të sivjetshëm turistik.
Libri më i ri nga Agron Gjekmarkaj” Reaksionari”
Përmbledhje interesante e kritikave letrare
Gjekë Gjonaj Ulqin
Libri më i ri “ Reaksionari” i Agron Gjokmarkajt botuar para pak ditësh nga Enti Botues “ Gjergj Fishta “ në Lezhë është një përmbledhje kritikash letrare mbi libra dhe autorë bashkëkohorë shqiptarë. Meqë autori vetë është përcaktuar si “ reaksionar” ndaj edhe këtij libri ka vendosur t’i vë këtë titull.
” Reaksionarët” , pohon autori, po zinin gjithë kohën e tij. “ I lexoja me ëndje dhe ndieja admirim. Ata ishin vërtetë pa shtiratje, me cenet dhe virtytet e tyre, me sukseset dhe kufizimet, me meritat dhe gabimet. Mbi ta kishte kishte rënë gjykimi dhe përjashtimi ideologjik. Sa më shumë njihja traditën e mohuar të kulturës sonë po aq ndihesha “ reaksionar”. Një braktisje e natyrshme ndaj “ përparimtarëve” plazmohej në shijet e mia për arsye estetike dhe etike”, shkruan Gjekmarkaj.
Ky libër i studieusit të letrave shqipe Agron Gjekmarkaj për nga tematika është i rrallë në letërsinë shqipe, sepse kohëve të fundit ndjehet një mungesë e shkrimeve me synim kritik. Autori u ofron lexuesve shqiptarë një analizë kritke letrare të veprave të autorëve bashkëkohorë shqiptarë, si At Zef Pllumbi, At Daniel Gjeçaj, At Gjergj Fishta, Sami Repishti, Ismail Kadare, Ernest Koliqi, Agron Tufa, Parid Teferiçi, Gential Çoçoli,Aurel Plasari, Uran Butka, Mustafë Kruja, Lazër Stani, Ben Blushi, Besnik Mustafaj e të tjerë. Në vazhdim flet për heroizmin, rebelizmin dhe paralelet në veprën e Bardhyl Londos, Spartak Ngjelës dhe Ryszard Kapuscinskit.
Pjesë e këtij libri janë edhe shkrimet kushtuar Lukë Kaçaj,këngëtar, Lin Delisë, piktor, Alush Shimës, piktor, Luçia Nadin, albanologe dhe studiuese italiane, por edhe Qytetare Nderi e Shkodrës pastaj familjes kryesore të Shqipërisë – Gjonmarkaj, sikurse edhe edhe fenomene kulturore dhe jo vetëm, shpjegimi i nocionit “ malok” në ligjërimin e përditshëm, në atë politik, mediatik, artistik e popullor shtjellon fenomene kulturore dhe jo vetëm çështja e Kanunit të maleve, i njohur edhe si Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe shkrimet e përfshira në kapitullin e fundit me titull “Antropologji shqiptare”.
Antropologjinë kulturore të kësaj epoke shqiptare të cilën Gjekmarkaj e trajton në këtë përmbledhje kriitikash letrare e pasurojnë edhe disa libra me karakter historik e sociologjik, që kanë qenë objekt i leximit të tij, të cilët autori ka preferuar t’i vë krahas tyre me karakter letrar dhe t’i lë së bashku nën një çati, sepse leximet ngjajnë rastësore por nuk janë të tilla. Leximi nxit leximin si nevojë mendore dhe Gjekmarkaj e ndjen që duhet të rrinë bashkë, pa kërkuar shumë arsye shpjegimi.
Duke lexuar librin e Agron Gjekmarkajt “ Rekasionari” njohim veprat madhore të disa nga autorët bashkëkohorë shqiptarë dhe pikëpamjet e tyre për ngjarje, fenomene e dukuri të ndryshme të kohës që shfaqin në botimet e tyre.
Studiuesi dhe kritiku Agron Gjekmarkaj, njëheri edhe profesor në Universitetin e Tiranës, përmes këtij libri e plotëson në një farë mënyre mungesën e ktirkës letrare në Shqipëri dhe në vendet tjera shqiptare, duke qenë ndër të paktët autorë shqiptarë që i qaset botimit të librave studimorë e kritikë. Nëpërmjet një këndvështrimi interesant mbi letërsinë, mbi tekstin, mbi sistemet letrare, duke argumentuar me interpretimin e tij krijues, lëvruar në perspektivë historike, Gjekmarkaj, ka materializuar disa nga parimet e kritikës në këtë libër.
Gjekë Gjonaj sjell librin më të ri “ Bijtë e shqipes
Para pak ditësh nga edicioni i Botimeve Fishta në Lezhë doli libri “Bijtë e shqipes” i autorit Gjekë Gjonaj. Libri është përmbledhje e artikujve publicistikë dhe shkencorë të autorit, por edhe i disa autorëve të tjerë, mbi personalitetet, ngjarjet e rëndësishme dhe tema të tjera nga fusha të ndryshme, që sipas Gjonajt përbëjnë “një pasuri të rëndësishme në ruajtjen e veçorive të identitetit kombëtar, etnik, të shqiptarëve në Mal të Zi dhe kudo që janë”.
Duke u nisur nga lënda që trajton, libri voluminoz me 416 faqe është ndarë në tetë kapituj.
Redaktor i librit është dr. Bahri Brisku, recensent prof. dr. Simë Dobreci, ndërsa ballina është punuar nga Marian Shkreli.
Për redaktorin e librit, dr. Bahri Briskun, në librin e tij autori na i sjell të plotë figurat e personaliteteve të shquara shqiptare në Mal të Zi, “që i kemi pasur ose i kemi midis nesh dhe atyre në mërgim, të cilët me veprimtarinë e tyre krijuese dhe kombëtare kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe vlera të rëndësishme për t’u njohur nga të gjithë”.
Ndërsa prof. dr. Simë Dobreci, në recensionin e tij vlerëson ndër të tjera se me këtë libër “autori, mbi të gjitha, shlyen një ‘borxh’ ndaj kombit në tërësi, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin e tij kombëtar dhe intelektual, që e mban në vete çdo krijues”.
Gazetari, publicisti dhe studiuesi Gjekë Gjonaj është autor i gjashtë librave: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare” (35 intervista me personalitete të shquara), “Gjurmëve të kohës” (përmbledhje shkrimesh publicistike), “Shqipet e maleve” (Jeta e shqiptarëve në zonat malore në Malin e Zi), “Identiteti etnolinguistik dhe etnokulturor i shqiptarëve” (recensione-vështrime) dhe “Bijtë e shqipes”.
Botimin e këtij libri e mundësoi Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
- 1
- 2
- 3
- …
- 6
- Next Page »